
“E kam qëlluar me hekur në kokë Klevis Mujën sepse ma ka bërë borxh”. Kështu ka dëshmuar për hetuesit nga Burgu i Shënkollit në Lezhë autori i plagosjes së ish-kreut të Komunës Rrethina në Shkodër, i cili ndodhet në gjendje të rëndë në spital pasi u godit me hekur pas koke. Autori i ngjarjes, Xheladin Kruja, 33 vjeç, i cili mbahej në Burgun e Lezhës, është marrë në pyetje dje në lidhje me shkakun e sulmit të dhunshëm ndaj kryekomunarit të arrestuar në Shkodër që mbahej në të njëjtin burg, në pritje të ekstradimit në Itali. “Ai ka pasur gisht në trafikimin e një kushërirës time, e kam pritur atë ditë dhe po ju them se edhe nëse më izoloni a bëni çfarë të doni, po u ndesha me të kam për ta vrarë përsëri”, ka theksuar në dëshminë e tij autori i ngjarjes, shtetasi Xheladin Kruja. Ai ka shpjeguar se pasi ka marrë vesh për mbërritjen e kryekomunarit në Burgun e Lezhës, ka planifikuar ngjarjen, duke hequr nga frigoriferi i qelisë, në pjesën e pasme, një hekur të cilën e ka marrë me vete katër ditë më parë kur ka dalë në ambientet e ajrimit. Ditën e djeshme ekipi hetimor i SHKB-së nga Ministria e Drejtësisë mësohet se ka përfunduar procesin e hetimit për ngjarjen e ndodhur brenda Burgut të Lezhës. Tashmë një raport për ngjarjen është paraqitur në Ministrinë e Drejtësisë dhe kreu i këtij dikasteri, Eudard Halimi, dy ditë më parë pezulloi nga detyra drejtorin e Burgut dhe tre zyrtarët më të lartë të sigurisë, për shkak të ngjarjes së rëndë të ndodhur brenda ambienteve të vuajtjes së dënimit. Shtetasi Klevis Muja, kryetar i Komunës Rrethina në Shkodër, u arrestua nga policia një javë më parë për shkak se ishte në kërkim nga autoritetet italiane me akuzën e trafikut të drogës. Pas prangosjes së kryekomunarit në Shkodër, Gjykata vendosi mbajtjen e tij në paraburgim deri në ekstradimin në Itali. tr.so
Ekstradimi
Ish-kreu i komunës Rrethina është duke marrë mjekime në spital pasi ka pësuar gjendje të rëndë shëndetësore dhe u qëllua pas koke me një copë hekuri në burgun e Shënkollit në Lezhë. Prokuroria thotë se ka 40 ditë kohë në dispozicion për ta ekstraduar në Itali sipas vendimit të gjykatës, por pritet që para se të merret një vendim, të konfirmohet edhe gjendja shëndetësore e të arrestuarit.











