“Perandorinë e Enverit e mbanë në këmbë armata e spiunëve”

Jun 28, 2011 | 11:12
(Nga e majta) Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani , para se te futeshin ne burg

Nga denoncimet e Fadil Kokomanit e Vangjel Lezhos në letrën drejtuar udhëheqjes së KQ të Partisë, që zbardhëm në numrin e kaluar, ai për përmbajtjen antikombëtare të Kushtetutës së vitit ‘76, është ndër qasjet më interesante të opozicionit të dy gazetarëve të dënuar. “Me Kushtetutën e re, nënvizojnë Kokomani e Lezho nga qelitë e ferrit të Spaçit, “Olimpi” i Tiranës (Enveri-shënim i red.) më në fund sanksionoi me ligj vetëizolimin”. Përtej këtij vlerësimi monumental për kohën, autorët e letrës denoncuese identifikojnë njëri pas tjetrit faktorët regresiv të ligjit themeltar “alla Ali Pasha”, siç e quajnë ata. Duke polemizuar me 51 komisionerët e hartimit të Kushtetutës së re, Kokomani e Lezho fshikullojnë marrëzinë për të ligjëruar zyrtarisht mbylljen e institucioneve të kultit dhe heqjen e fesë. “Ti shpallësh luftë fesë, nënvizojnë ata, do të thotë të tregohesh më Bismark se Bismarku”. Pavarësisht botëkuptimit idealist dhe staturës së komunistit liberal, dy gazetarët e dënuar nuk e kanë vështirë të konkludojnë në fundin tragjik ku e zhyt shtetin dhe shoqërinë shqiptare udhëheqja aventureske e Enverit dhe oborrit të tij prej monarku. Sipas tyre, “Olimpi” i Tiranës i ka kthyer të gjitha tragjeditë eskiliane të lashtësisë në komedi alla “Epopeja e Ballit”…

…vijon nga numri i kaluar

Faksimile e letrës e Kokomanit dhe Lezhos drejtuar Ramiz Alisë

Juve ngulitët te brezi i ri i kohës urrejtjen për BS-në dhe dashurinë për Kinën, por, kur edhe kjo e fundit ju piu lëngun ose anasjelltas, juve ja pitë asaj lëngun e orizit, atëherë edhe ky brez u zhgënjye!  E, megjithatë, juve duke i hedhur asaj armatës suaj të makinës shtetërore (të zëvendësuar demek si rezultati i një burokracie të rrezikshme – me kuadro të njomë e më të bindur) nga një copë sallam, siguruat përsëri një lloj sundimi, një “status-quo” dhe në udhëtimet tuaja me gruan që është edhe anëtare e rrallë e KQ-së nga të vjetërit e mbetur ose edhe me bufonët e tjerë të cirkut alla – shtretbeher, të quajtur kandidatë e anëtare të KQ-së a të Byrosë Politike, si edhe me veteranë të tillë si Myslym Peza etj; pranoni me paturpësi duartrokitje dhe brohoritje kafkash, të zgërlaqura dhe u jepni atyre po atë këshillë dhe po ato premtime stereotipe që keni mësuar qysh në rininë tuaj, premtime që nuk realizohen kurrë.! Dhe këtë e quani Parti–Popull–Enver, që don të thotë Enver-Enver-Enver.
Kjo, sipas jush, do të thotë gju më gju me popullin, kurse po ta përkthesh në gjuhën marksiste-leniniste do të thotë: Pranoni dokrrat dhe dogmat e mia të sajuara me monarkët e së kaluarës dhe unë, nga ana tjetër, në fakt kjo tingëllon jo gju më gju etj, por hundë më hundë dhe hu më hu me popullin.
Duke folur përsëri për faktorin fe të kushtetutës mund të konkludojmë se, edhe të gjitha çështjet e tjera sipas jush kardinale, juve i keni zgjedhur po në këtë dritë.
Dhe në vazhdën e kësaj politike, juve i thoni popullit se na kërcënon rreziku i jashtëm borgjezo-revizionist, inovacioni, bllokada e të tjera dokrra dhe simulitete; dhe e detyroni atë me anë bindjesh (përsëri me bindje!) se këto janë të vërteta, prandaj “O burra!”, dilni me iniciativa. Juve dërgoni nëpër  pozicione artificiale njerëz artificialë e të porositur për “masat” të dalin me propozime si fjalë që vjen, “të punojmë, të jetojmë e të ndërtojmë si në rrethim!, ose me diçka tjetër patriotike që i ngjan këtij kallëpi”.
E kush na paska rrethuar ne?!
Juve sajuat edhe pseudokushtetutën dhe e sanksionuat me ligj se në rast lufte, Sekretari i Parë është kryekomandat olimpik. Duke përgatitur në kudhrën e djersës dhe të gjakut të këtij populli të mjerë tufa të reja medaljesh floriri për këto lodra pesëvjeçarësh olimpikë; juve e sajuat Kushtetutën si një kala me të cilën mbroni veten tuaj dhe me banorët e kësaj kalaje, me masat e gjëra, të cilat i mbani të lidhura si në “kalin e Trojës”, as që keni ndërmend të pushtoni majat e komunizmit, por t’ia dorëzoni skamjes e poshtërimit rininë, gruan, veteranin e Luftës Nacional-Çlirimtare
Kulti i individit të Enver Hoxhës është bërë realitet dhe si tillë është antimarksist, antileninist, prandaj do të ishte më se e natyrshme që ekuacionin Parti + Popull = Unitet, ta shkruanim Parti + Enver = Artific; Artific = Popull.
Populli ka dy të dhëna:
-I varfër ekonomikisht dhe shpirtërisht i vrarë.
-I detyruar të brohorasë e të punoje me orë të pallogaritshme.
Atëherë keni një popull me dy pamje, njëra pamje tregon raportin midis buzëqeshjes (lexo: ngërdheshjes) së shtirur dhe punës shtetërore e vullnetare (duke përfshirë këtu gjithfarë mbledhjesh me pallavra) dhe pamja tjetër kallëzon brohoritjet gjatë mitingjeve (lexo: në ta mbajti, mos brohorit po deshe!) edhe fytyrat e qeshura e me buqeta lulesh nëpër parakalime e takime me perëndinë vet, të cilat duhet t’i kuptojmë pa hezitime të të kundërtave (plusit dhe minusit) si qeshje qesharake dhe brohoritje agonie shpirtrash të sfilitur.
Si rezultat:
Antific + Antific = 2 Artific! Njëra nga këto Artifice ia ka me të pabesë tjetrit, kurse Artifici i dytë (Artifici popull) e quan si përulje e detyrë ndaj Zotit të ri të “Olimpit” të Tiranës, një kulminacion të tillë shoqëror!!!!.
Në Shqipërinë socialiste fëmijës, qysh kur del nga barku i nënës, i japin pushkën dhe këtë e bëjnë vetëm me të njëjtin qëllim “humanitar” që ai, (fëmija) kur të rritet, të vrasë veten!
Lind pyetja:
Cili është avokati i këtij populli?
Juve pa dyshim do të përgjigjeshit – “partia e tij mëmë”. Kurse ne do të thoshim se avokati i tij përsëri është e do të jetë Moska bolshevike.
Një tjetër pyetje:
Cili është avokati i individit? Juve prapë: “partia e tij mëmë”, kurse ne do të mendoheshim pakëz, sepse juve keni suprimuar edhe Ministrinë e Drejtësisë dhe kështu burgjet qysh atëherë, po mbushen çuditërisht me “hove revolucionare e dëshirash impulsive”, kontigjente të reja njerëzish të dënuar me dëshmitarë të rremë, me gjyq e pa gjyq.
Si ndodhi kjo?
Argumentimi është fare i thjeshtë? Juve shani Atin, Birin dhe Shpirtin e Shenjtë të kësaj bote, me qëllim që t’u shërbeni më mirë këtyre. Juve çirreni në efir nëpër botë, duke harxhuar pa kursyer djersën e këtij populli për propagandë nëpërmjet M-L–ve e kallëpeve të tjera të nëndheshme, me qëllim që të ruani “status-quonë” tuaj. Juve bërtisni për revolucion botëror dhe jeni të etur për gjak, sepse rrugët e tjera nuk ju japin qetësi shpirtërore apo “morale”. Juve luftoni kundër gjithë botës (nën maskën e Marksit – Engelsit – Leninit), duke xurxullitur si gjinkalla në zheg të vapës e të luksit!
Patjetër, një ditë do të bëni bam!
Kjo është dialektike!
Këtë do t’jua imponojë ekonomia që ka marrë të tëtposhtën (kthimi në fshat në kohën e “socializmit” te avancuar, a nuk është regres?); industria dhe mungesa e rëndësishme e investimeve, prezenca e borxheve si rezultat i shpenzimeve kolosale si individ, si oborr “olimpik”, si makinë shtetërore (Ministria e Punëve të Brendshme, Ushtria, gjykatësit, armata e spiunëve – për spiunë, ky shtet i vogël buzë Adriatikut e Jonit, ia ka kaluar Perandorisë së dikurshme Austro-hungareze për të cilën Shvjeku thoshte: “Këtë Perandori e mbajnë spiunët, zhduki ata – Perandoria rrezohet”, – dhe natyrisht të ardhurat vijnë duke u pakësuar.
Për t’i shpëtuar borxhit konkret në të holla dhe borxhit karshi popullit, juve, duhet të kufizoni shpenzimet, të thjeshtoni organizmat qeveritare, të mos ndërhyni kaq banalisht deri në jetën familjare, civile etj., etj.
Por, juve këtë nuk e bëni dot. Kursi juaj është atrofizuar!…
Ndaj, ne si komunistë e publicistë jua përsërisim edhe njëherë idenë tonë vepruese të parashtruar në traktin e hedhur në mes të Tiranës (në vitin 1962) se… “Moska ka të drejtë! Hoxha e Shehu me kompani po e çojnë Shqipërinë në qorrsokak!”
Ku shkoni juve, kjo është punë për ju! Komunizmi botëror nuk do t’ju falë kurrë! Populli që brohoret me ngërdheshje sot, do tua rrëzojë gjithçka në humnerën e Plutonit; monumentet kushtuar Perëndisë do t’ju bëjë copë e çikë!!!!. Enver Hoxha gjithmonë po ecën në shkallën e madhe të dilemës alla Cezar, ai mban mbi supe borxhe të mëdha materiale e shpirtërore, si edhe premtime boshe që nuk po realizohen as me 1 për qind dhe ai ka plotësisht të drejtë të thërrasë deri në fund të ditëve të tij “triumfale”, “Aut Caesar, aut clichy!” ose “Aut Caesar aut nihel!”.
Për fat, tani së fundmi, kemi filluar të merremi me pelegrinazhe me rast dyndjesh eshtrash stërgjyshore dhe atë që e bënte tregtari Çiçikov në shek  XIX-të, duke u endur nëpër Rusi, po e përsërit një tregtar i quajtur Sekretar i Parë i KQ-së të PPSH-së, duke sajuar skena prekëse e përshpirtje fantastike të eshtrave të të parëve patriotë në altarin e Republikës Socialiste.
Edhe këtu dora dhe taktika jezuite e këtij Çiçikovi makabër sjell famë, lavdi dhe natyrisht dhurata.
Klasës punëtore e fshatarësisë sonë i rri mbi kokë shpata e Damakraut dhe nuk është e vështirë që olimpikët e Tiranës ta përkthejnë këtë skenë kështu: Klasa punëtore e Shqipërisë është shpata e gjithë popullit, kurse Partia e Punës është maja e kësaj shpate.!!
Po ç’ndodh në ekonomi?
Deficiti shtetëror rritet, të ardhurat shtetërore pakësohen, për shkak të amullisë së prodhimit të pakësimit të konsumit dhe të importit. Rrugët ekonomike u vështirësuan me humbjen e “Botës së Tretë”
Ç’të bëjmë?
Kursime, angazhime të reja, prodhime në 95 përqind të veglave të ndërtimit në vend (me forcat tona), të punohet me mungesa dhe pa pretendime në jetë, sepse jemi në rrethim(!) Eh, ky rrethimi!?! (Mefistoteli mund të sajonte kësi virtuozitete shoqërore, shtetërore, por në asnjë mënyrë, komunistët!)
Atentatit të madh kundër popullit të organizuar hap pas hapi nga perënditë e “Olimpit” të Tiranës, po i vjen fundi. Çorganizimi “socialist” i organizuar me makiavelizëm po perëndon!
Rroftë liria e popullit shqiptar!
Rroftë Bashkimi Sovjetik, demoni i Kozmosit të Komunizmit!
Juve, zotërinj të Tiranës, shkoni ku të doni. Ne dikur besonim në fjalët tuaja për socializmin, por qysh kur sulmuat Partinë Bolshevike dhe e thelluat këtë sulm me mënyrat që parashtruam më lart, ne, na vjen turp që besuam në udhëheqës si ju, na vjen zor t’ju përmendim qoftë dhe në mendimet tona të thjeshta e shoqërore!!!. Por, një gjë veç të tjerave nuk ua falim kurrë, rininë tonë që na e kalbët nëpër burgje. Për këtë do t’ju gjykojë gjyqi i lartë i komunizmit botëror i Moskës bolshevike, Leninit – përjetë i gjallë midis të gjallëve (të të gjithë globit), të cilët çajnë të sigurt përpara, drejt botës totale komuniste.
Juve, na keni dënuar me temë penale si revizionistë dhe këtë e quani dënim të një drejtësie socialiste. Por, detyra jonë na thotë Vladimir Iliç Lenini, është që t’ua sqarojmë se ne jemi komunistë deri në vdekje, besoni juve në këtë apo jo, neve nuk na shqetëson aspak!
Vetëm një gjë është e qartë si drita: brezi i sotëm duhet të largohet nga skena për t’ia lënë vendin njerëzve që do të jenë të pjekur për një botë të re.

Rroftë Populli!
Rroftë Liria!

Fadil Kokomani
Vangjel Lesho
Spaç, më 9 korrik 1978

Fotot e Kokomanit e Lezhos në qelitë e Qafë-Barit

Mjaftoi një breshri plumbash pas mesnate dhe regjimi pas një procesi njëvjeçar, për të mbyllur përfundimisht kapitullin me dy armiqtë e rrezikshëm, Kokomani e Lezho. Po hesapet me ta nuk mund të mbaronin këtu. Pas çasteve fatale të dy martirëve, fillonte kapitulli tjetër për mënyrën se si do të përdorej historia e tyre me armatën e  të dënuarve të tjerë. Mëndja diabolike e përbindëshave të fshehtë i kishte dhënë zgjidhje në një formë të padëgjuar më parë: Në vendin e ekzekutimit, dy të dënuarit u fotografuan në dy pamje, njëra para dhe tjetra pas pushkatimit. Produkti i përftuar nga procedura misterioze, të nesërmen filloi “xhiron” e radhës në të gjitha qelitë e të dënuarve politikë. “I kam ende në sy ato pamje të tmerrshme”, rrëfen Haxhi Baxhinocki, njëri nga të burgosurit e Qafës së Barit, duke kujtuar çastet kur nën terror fizik u kanë vendosur përpara pesë fotografi me imazhet e Fadil Kokomanit, Vangjel Lezhos e Xhelal Koprenckës. “Te fotoja e parë ishin ata të tre, gjallë, në këmbë, lidhur me tel me gjemba. Te fotoja në krahë, përsëri ata, por shtrirë, mbuluar me gjak. Në tri të tjerat me dimensione më të vogla ishin veç e veç me plagë që u dalloheshin qartë…”. Baxhinovski nuk e mban mënd njeriun që ua ka sjellë në kamp, por nuk ka për të harruar zërin e tij rrëqethës. “Duke lëvizur me to në duar, kujton ai, thërriste si i çmëndur duke shqiptuar se kështu do ta pësonte çdo njëri nga ne, po të çonim në mëndje aventurën e tyre”. Gjithsesi, operacioni ogurzi i njerëzve të sigurimit me fotot e martirëve do të përjetohej nga bashkëvuajtësit, si një lloj përshpirtje e heshtur.

 

AFRIM IMAJ

© Panorama.al

Te lidhura