Gjykata e Fierit nuk e pranoi kërkesën e 21-vjeçarit Edison Kamaj për një masë të lehtë sigurie, duke argumentuar nëpër-mjet avokatit mbroj-tës se autori i vrasjes së 13-vjeçarit ishte vëllai i tij, Y. Kamaj. Në seancën e djeshme, ku do të vlerësohej masa e sigurisë, gjyqtarja e çështjes vendosi “burg pa afat” për të riun, i cili akuzohet për “vrasje në bashkëpunim në rrethana cilësuese”. Ai është shfaqur i heshtur gjatë të gjithë seancës, ndërsa pala mbrojtëse theksoi se i përmbahej deklaratës së të riut dhënë para grupit hetimor të kësaj çështjeje. Deponimi i të 21-vjeçarit në lidhje me ngjarjen e rëndë, ku mbeti i vrarë me thikë 13-vjeçari Xhevit Lamaj, ndodhet tashmë edhe në dosjen e Gjykatës. Burime nga Prokuroria bënë të ditur se gjatë deponimit të tij, Edison Kamaj ka shfaqur ngarkesa emocionale dhe pendesë për faktin se ai nuk ka ndërhyrë në kohë për të shmangur tragjedinë. Por ai ka mohuar çdo dyshim të mundshëm se autori ishte ai dhe jo i vëllai i tij i mitur, 13-vjeçari Y. Kamaj.
“Nuk e qëllova unë me thikë Xhevit Lamajn. Gjithçka ndodhi shpejt dhe unë nuk arrita të ndërhyj në kohë…Ai u qëllua nga vëllai im i vogël. Unë u afrova në momentin që të dy, vëllai im e Xheviti, po sqaroheshin me tone të larta. Por unë nuk e dija që im vëlla kishte thikë me vete. Në momentin e fundit, kur pashë mjetin mprehës, sërish nuk ndërhyra. Nuk di çfarë më pengoi që t’ia hiqja thikën nga dora, por mendova se ai nuk do të mund të qëllonte shokun e tij. Nuk më shkonte kurrë në mendje se ajo zënkë aty do të përfundonte kaq tragjikisht”. Kështu mësohet të ketë deklaruar në
Viktima Xhevit Lamaj
Prokurorinë e Fierit 21-vjeçari i arrestuar, i cili dje doli për vlerësimin e masës së sigurisë në Gjykatën e Fierit. Dje në Gjykatë nuk kishte asnjë familjar të viktimës, ndërsa policia kishte marrë masa për të evituar një hakmarrje të mundshme. Të pranishme në Gjykatë ishin vetëm nëna e Edison Kamajt dhe tezja e tij, të cilat mbaheshin të përlotura në krahët e njëra-tjetrës.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 22:30 të së premtes në qytetin e Ballshit. Viktima, Xhevit Lamaj, ka qenë duke luajtur me shokët e tij kur është thirrur nga bashkëmoshatari i tij, Y. Kamaj. Ata kishin debatuar për lojën rreth dy javë më parë dhe prej asaj dite ishin armiqësuar me njëri-tjetrin. Në fillim të miturit janë sharë dhe përleshur. Dëshmitarë në vendin e ngjarjes kanë pohuar se gjithçka kishte ndodhur sa hap e mbyll sytë, dhe ata kanë parë shokun e tyre teksa ka rënë në kalldrëm i gjakosur. Tentativa për ta çuar në spital rezultoi e kotë, pasi mjekët konstatuan se 13-vjeçari kishte ndërruar jetë, pasi mjeti mprehës i kishte prekur zemrën. Në vendin e ngjarjes ka qenë edhe vëllai 21-vjeçar i autorit, i cili u arrestua disa orë pas krimit si bashkëpunëtor në vrasje. Ndërsa autori u la i lirë nga policia, pasi sipas legjislacionit, arrestimet e të miturve bëhen pasi të ketë mbushur 14 vjeç.
Babai i autorit: I ulem në gjunjë Bilbil Lamajt
XHEMAL KAMAJ, BABAI I 13-VJEÇARIT QE VRAU SHOKUN, XHEMAL KAMAJ, DUKE FOLUR PER “PANORAMA”
Xhemal Kamaj, babai i Edison Kamajt dhe i 13- vjeçarit Y. Kamaj, i kërkon mëshirë mikut të tij prej 30 vitesh, Bilbil Lamajt. “Jam fajtor kokë e këmbë. Ia kam falur Bilbilit djalit tim. Jo shtetit. Le të veprojë me djalin si t’ia dojë e bardha zemër. Ose të më vrasë mua. Vetëm të mos ketë gjakmarrje. Ndaj i ulem në gjunjë dhe i lutem mikut dhe shokut tim prej 30 vitesh, babait të viktimës, Bilbilit, që të vendosë ai se si do të zgjidhet kjo ngjarje që më ka vrarë për së gjalli”. Kështu u shpreh dje mes lotësh Xhemal Kamaj, babai i tre fëmijëve nga fshati Usoj i Mallakastrës. Prej pesë ditësh, ai dhe familja e tij është ngujuar duke sjellë Kanunin e Lekë Dukagjinit edhe në Jug të Shqipërisë, në Mallakastër, në pritje se si do të vendosë familja e viktimës. Askush nga burrat e familjes nuk del nga shtëpia në ruajtje të ndonjë ndodhie të papritur të hakmarrjes. Ndërsa fëmijën që akuzohet për vrasjen e kanë strehuar te të afërmit e tyre.