“Pendohen” 3 bullgarë të kartave false

Aug 6, 2011 | 12:30

Tre nga pesë bullgarët e arrestuar pak ditë më parë, të akuzuar për vjedhjen e mijëra eurove në Shqipëri duke përdorur karta bankare të falsifikuara, janë “gjunjëzuar” teksa pyeteshin në polici.

Ata kanë pranuar se kanë tërhequr para me karta të falsifikuara si dhe kanë “kallëzuar” se pajisjet për kopjimin e kartave i kishin marrë nga dy bashkëpunëtorët e tjerë. Fakti u pohua dje nga prokurori Armand Gurakuqi, gjatë seancave gjyqësore për caktimin e masave të sigurisë për shtetasit bullgarë. Por, surpriza ishin bankomatet e zgjedhura për kopjimin e të dhënave të kartave, njëri prej të cilëve i vendosur fare pranë Drejtorisë së Policisë Tiranë. “Dragomir Bonev, Pavel Milenov, Nikolay Tosonev kanë pranuar që kanë tërhequr para me karta të falsifikuara. Të njëjtët kanë deklaruar se skimmer- in e kanë marrë nga Aleksandër Kolev dhe Ivo Ivanov”, tha prokurori. Por, gjatë zhvillimit të seancave, dy nga “të penduarit” pretenduan para gjyqtarit të gatshëm, Neritan Cena, se ishin dhunuar nga policia për të deklaruar. “Dua të them se deklarimet e dhëna në polici i kam dhënë nën dhunë”, përktheu dje përkthyesja fjalët e të dyshuarit Dragomir Bonev. Të njëjtin pretendim shfaqi edhe i arrestuari Pavel Milenov. I pyetur nga gjykata nëse kishte gjë për të thënë, ai u shpreh: “Dua të them se më kanë rrahur. Deklarimet i kam dhënë nën presion”. Nga ana e tij, Aleksandër Kolev mohoi para gjykatës t’ua kishte dhënë ai pajisjen skimmer.

MASAT

I arrestuari Aleksandër Kolev ishte arsimuar në një shkollë të mesme profesionale për kuzhinë dhe tha dje para gjykatës se punonte si kuzhinier në Sofie. Por, sipas Prokurorisë, ai dyshohet të jetë një nga personat që u ka dhënë skimmer-at tre prej të dyshuarve të tjerë. Ai akuzohet për veprën penale të “mashtrimit kompjuterit në bashkëpunim më shumë se një herë, me pasoja të rënda”. Gjykata e Tiranës e vlerësoi si të ligjshëm arrestimin e tij, ndërsa caktoi për të si masë sigurie atë të “arrestit me burg”. Për të njëjtën akuzë, gjyqtari Neritan Cena vlerësoi të ligjshëm arrestimin dhe vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” edhe për katër të dyshuarit e tjerë: Dragomir Bonev, Ivo Ivanov, Pavel Milenov dhe Nikolay Tosonev. Masa “arrest me burg” u kërkua nga prokuroria për të pestë të akuzuarit.

MEKANIZMI

Sipas aktakuzës së lexuar dje nga prokurori Armand Gurakuqi, kartat e bankomateve të falsifikuara nga të dyshuarit janë përdorur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Bullgari dhe në Shqipëri. Nga hetimet e deritanishme të prokurorisë, shuma në total e vjedhur nga 5 të dyshuarit nëpërmjet kartave të falsifikuara shkon në afro 35 mijë euro. Por, sipas përfaqësuesit të Akuzës, kjo shumë mund të rritet, pasi prokuroria ende nuk zotëron të gjitha verifikimet e kryera nga bankat e dëmtuara. Referuar mekanizmit të falsifikimi në seancë u shpjegua nga prokurori se mjeti i përdorur për përfitimin e të dhënave ishte një skimmer. Mjeti skimmer montohej në folenë ku vendoset karta e bankomatit. Ndërkohë që një mikrokamera ishte montuar më parë në pjesën e sipërme të bankomatit. Kjo mikrokamer fiksonte pamjet e kodit pin teksa ai shtypej mekanikisht nga qytetarët në tastierën e bankomatit. Ndërkohë, pajisja skimmer merrte të dhënat e kartës. Sipas prokurorit, në vijim, përmes një pajisjeje tjetër, këto të dhëna hidheshin në një kartë çfarëdo, që përmbante çip, si edhe shirit magnetik. Më pas, pasi kishin ndërtuar kartë e re, pinin e të cilit e kishin siguruar më parë, bënin tërheqje në bankomate. Sipas prokurorit, kopjimet e kartave janë bërë në dy bankomate, njëri pranë Drejtorisë së Policisë dhe tjetri në Komunën e Parisit në Tiranës. Ndërsa skimmer-i i vendosur në një bankomat në qytetin e Vlorës nga të dyshuarit Bonev, Milenov dhe Tosonev, nuk ka funksionuar.

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura