
Prokuroria e Lezhës e ka cilësuar “vrasje në kushtet e tronditjes së rëndë psikike” krimin e kryer nga 21-vjeçari Ylli Prenga dy net më parë në fshatin Kallmet i Vogël i këtij rrethi.Pas arrestimit, i riu ka rrëfyer për grupin e hetimit ngjarjet e njëpasnjëshme që morën jetën e dy personave, njëri prej të cilëve babai i tij, Prend Prenga, 48 vjeç. Ndërkaq, Policia e Lezhës ka blinduar me forca të shumta të saj banesat përreth dy familjeve, në mënyrë që të shmangen vrasje të tjerë ndërmjet dy fiseve. Mësohet se viktima Prend Prenga ishte emigrant prej shumë vitesh në Itali. Ai ishte kthyer vetëm një javë para se të vritej, për të kaluar pushimet me dy fëmijët e tij, djalin 21-vjeçar, si dhe vajzën, e cila gjithashtu është ndodhur në vendin e ngjarjes natën e tragjedisë. Policia e Lezhës bëri të ditur se në sajë të hetimeve, por edhe të dëshmisë së dhënë nga motër e vëlla, të cilët kanë qenë me të atin në momentin e vrasjes, kanë mundur të zbardhin plotësisht krimin dhe shkakun e saj. Sipas dëshmisë së të arrestuarit Ylli Prenga, rreth orës 19:10 të së martës ai ka qenë në afërsi të shtëpisë së tij në Kallmet të Vogël së bashku me të atin dhe motrën. Në këtë moment, ka ardhur fqinji i tyre, Pjetër Pjetri, 44 vjeç, i cili ka debatuar ashpër me babain e tyre. “Debati kishte si motiv pronësinë e një sipërfaqe toke të mbjelle me ullinj. Kjo pronë ishte mbjellë rreth katër vite më parë nga babai im, Prend Prenga. Por autori i vrasjes, Pjetër Pjetri, pretendonte se toka ku ishin mbjellë ullinjtë ishte e tija”. Kështu është shprehur në polici 21-vjeçari, i cili mori hakun e babait të tij vetëm pak minuta pasi ia vranë atë. Sipas hetimeve dhe dëshmisë së dhënë nga familjarët e të dyja palëve, edhe pse kishte ndërhyrë kryepleqësia për shuarjen e konfliktit mes tyre, kishte qenë e pamundur pasi Pjetër Pjetri vijonte të pretendonte pronësinë e tokës ku ishin mbjellë ullinjtë. Dy ditë më parë, konflikti kishte nisur edhe më ashpër. “Pas debatit rreth orës 19:10, Pjetër Pjetri qëlloi babanë me armë, çifte. Motra ime, që është më e vogël se, unë i doli përpara Pjetër Pjetrit duke iu lutur edhe me zë të lartë që të mos ma vriste babanë. Unë u largova me shpejtësi në drejtim të shtëpisë, nga ku mora një armë gjahu për t’u mbrojtur. Por dëgjova të shtënë arme dhe më pas pashë tim atë të shembej përdhe. Pjetër Pjetri e kishte qëlluar me armë. Në kushtet e tronditjes së thellë, kur pashë babanë të mbuluar me gjak, ndoqa autorin e krimit dhe vetëm pak metra larg vendit qëllova drejt tij”, ka vijuar dëshminë e tij në Policinë e Lezhës 21-vjeçari. Sipas tij, ai e kishte marrë të atin dhe me shpejtësi e kishte nisur për në Spitalin e Lezhës, por ai ndërroi jetë gjatë rrugës. Policia bëri të ditur se edhe Pjetër Pjetri ka vdekur gjatë rrugës për në spital, në fshatin Larushkë të Krujës. Sipas drejtorit të Policisë së Lezhës, Muharrem Furriku, policia do të vazhdojë të qëndrojë në fshatin Kallmet të Vogël për shmangien e ndonjë hakmarrjeje të mundshme ndërmjet familjeve Prenga dhe Pjetri. Dje është përcjellë për në banesën e fundit Prend Prenga, ndërsa sot pritet të kryhet edhe varrimi i Pjetër Pjetrit. Policia bëri të ditur se është vendosur varrimi në ditë të veçuara, në mënyrë që të shmangej edhe përplasja ndërmjet të afërmve të familjeve respektive, të cilët do të vinin për ceremoninë mortore.
Shkodër, babë e bir, në burg për vrasjen
Gjykata e Shkodrës vendosi masën e sigurisë “arrest me burg”, për Riza dhe Naim Idrizi, babë e bir. Ata akuzohen si autorë të vrasjes së 42-vjeçarit Agim Shullani, ngjarje e ndodhur tri ditë më parë në fshatin Oblikë të Komunës Ana e Malit. Megjithëse të akuzuarit Idrizi e mohuan autorësinë, për Prokurorinë, provat e mbledhura gjatë hetimit të kësaj vrasje janë të mjaftueshme që të provojnë fajësinë e tyre. Në lidhje me hetimin janë përdorur metodat speciale duke provuar kështu që Naim dhe Riza Idrizi janë autorët e vrasjes së Agim Shullanit. Organi i akuzës kërkoi nga togat e zeza si masë sigurie “arrestin në burg”, kërkesë e cila u miratua nga gjykata. Gjatë seancës, prokurorja e çështjes theksoi se autorët e krimit dhe viktima kanë pasur lidhje familjare njëri me tjetrin, duke qenë kushërinj të parë. r.d
LEZHE/ ROLAND NIKOLLI
© Panorama.al











