Nga nesër në mëngjes PANORAMA do të kushtojë dhjetë lekë më shumë (30 lekë). Është gjithnjë e pakëndshme kur njofton për një rritje çmimi.
Por kriza ekonomike që na ka përfshirë tashmë prej vitesh, një rënie e ndjeshme e reklamave dhe vështirësitë e njohura të medias së shkruar përballë asaj elektronike e online, na kanë detyruar prej kohësh të rishikojmë çdo shpenzim tonin. Kemi eliminuar gjithçka që e kemi konsideruar të panevojshme në këto kushte dhe gazetarët tanë kanë pranuar shkurtime e sakrifica. Por ne nuk duam më të vëmë në diskutim ato që quhen themelet e cilësisë së produktit. Mbulimi me gazetarë i të gjitha hapësirave me interes publik, korrespondentë në të gjithë territorin e vendit, bashkëpunëtorë të vlefshëm dhe një numër i kënaqshëm faqesh, rubrikash apo suplementesh. Mbyllja e një zyre në Durrës apo Gjirokastër, shkurtimi i numrit të gazetarëve në redaksinë e Tiranës, eliminimi i një suplementi apo shkurtimi i faqeve do të thoshte që ne të ofronim për të njëjtin çmim një produkt shumë më pak cilësor, i cili pa diskutim që do të ndikonte në rënien e gazetës.
Për këto arsye, ne nuk kishim tjetër zgjidhje veçse të kërkojmë nga ju të nderuar lexues që të bëheni pjesë e ruajtjes së cilësinë së gazetës suaj. Që nga dita e hapjes, fiks dhjetë vjet më parë, gazeta ka ruajtur të njëjtin çmim. Së bashku kemi parë gjatë gjithë këtyre viteve të na rritet çdo kosto e jetesës, që nga çmimi i bukës tek ai i ujit, dritave, qumështit apo i karburanteve. E gjatë këtyre viteve kjo gazetë veçse i ka shumëfishuar lexuesit e saj. Ne shpresojmë që çdo mëngjes ju të vazhdoni ta blini atë duke ju premtuar përpjekjet tona shtesë në rritjen e cilësisë dhe besueshmërisë së produktit që do t’ju ofrojmë, duke besuar njëkohësisht se ky çmim i ri do të vazhdojë të ruajë lirinë tonë.












