Charles Michael Bouri, drejtori i fabrikës në Fushë-Krujë
Charles Bouri: Anwar-in e kam njohur më 1996.
Drejtori i fabrikës në homazhin e fundit: Anwar Rizik s‘kishte konflikte personale.
Ambasadori palestinez dhe drejtori i fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë deklaruan dje se aktiviteti në biznes ka qenë shkaku i vetëm i vrasjes së 43-vjeçarit, i cili humbi jetën tri ditë më parë në Tiranë, pranë Ambasadës Amerikane. Në kishën ortodokse në Rrugën e Kavajës në Tiranë, u zhvillua dje mesha homazh për biznesmenin palestinez Anwar Rizik, i cili u ekzekutua dy ditë më parë me eksploziv në derën e banesës së tij. Bashkëshortja, Elda Ferracaku, vëllai Rami Rizik, që erdhi dje nga Katari, miq, fqinjë dhe kolegë të 43-vjeçarit ishin të pranishëm dje gjatë meshës që u zhvillua në kujtim të tij, rreth orës 17:00. Në pamundësi për ta prekur për herë të fundit në ballë të afërmin e mikun e tyre, pjesëmarrësit vendosën lule pranë dy fotografive të tij që ishin vendosur në kishë. Pamundësia për të pasur arkëmortin me trupin e pajetë të Anwar Rizik shkaktoi edhe më shumë dhimbje te të afërmit, por më shumë te bashkëshortja dhe vëllai i tij. Pas psalmeve që këndoi prifti ortodoks, drejtori i fabrikës së çimentos së Fushë-Krujës, Charles Michael Bouri, mbajti fjalën e tij gjatë homazhit, duke iu drejtuar të afërmve të kolegut e mikut të tij Rizik. Ai ngushëlloi bashkëshorten, vëllain dhe të gjithë të afërmit e Anwar Rizik, të cilëve i premtoi mbështetjen e tij dhe të kompanisë që ai drejton e ku Rizik punonte deri dy ditë më parë. Bouri e quajti një humbje të madhe vdekjen tragjike të 43-vjeçarit për miqtë, kolegët dhe më shumë për familjen e tij të mrekullueshme, bashkëshorten Elda dhe dy djemtë e mitur. Por uroi që shpirti i tij të prehet në paqe. DREJTORI BOURI
Charles Michael Bouri, drejtori i fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë, i cili ishte kolegu dhe miku më i afërt i Anwar Rizik, ishte i vetmi që mbajti një fjalim pas përfundimit të psalmeve të priftit. Duke iu drejtuar herë pas here fotografive të mikut të tij që ishin vendosur në mesin e kishës e më pas bashkëshortes dhe vëllait të tij, drejtori Bouri tregoi një pjesë të historisë se si është njohur me Rizik. “E kam takuar Anwar-in në vitin 1996 këtu në Shqipëri. Ishte takimi i parë, por pavarësisht kësaj, nga mënyra se si bisedonte me mua, e kuptova mirësinë, pastërtinë e tij dhe dëshirën e madhe që ai kishte për të investuar këtu. Më pas kemi jetuar bashkë për një kohë të gjatë këtu në Shqipëri. Gjatë asaj kohe miqësia jonë u forcua edhe më shumë dhe sot ndiej dhimbje për atë që ka ndodhur. Është një ngjarje tragjike që ai nuk e meritonte, pasi ishte një njeri i mrekullueshëm. Mik i përsosur. Bashkëshort i përkushtuar dhe një baba shembullor”, është shprehur Bouri, i cili herë pas here e ndërpriste fjalën e tij dhe kthehej nga fotografitë e Rizik. Më pas, duke iu drejtuar bashkëshortes së mikut të tij, Elda Ferracaku, Charles Michael Bouri i premtoj asaj mbështetjen dhe përkrahjen e tij maksimale. “Unë ju premtoj sot se ju do të keni mbështetjen dhe përkrahjen time, por edhe të vendit tim e kompanisë që drejtoj, në mënyrë që të përballoni këtë humbje të madhe. Pasi është një humbje e madhe jo vetëm për ju, por edhe për ne. Uroj që Anwar Rizik të prehet në paqe”, e mbylli fjalën e tij i përlotur drejtori i fabrikës, Bouri. Ai theksoi se 43-vjeçari nuk ka pasur probleme apo konflikte personale dhe motivi i vetëm i vrasjes së tij ka të bëjë me punën që ai bënte si një biznesmen dhe sipërmarrës i suksesshëm.
Fqinja: Ishte gjallë, por ambulanca vonoi
Dëshmitarja e ngjarjes
Shpërthimi i dy ditëve më parë, ku mbeti i vrarë shtetasi palestinez Anwar Rizik, tronditi të gjithë zonën pas Ambasadës Amerikane ku ndodhi ngjarja, por më shumë banorët e vilës dykatëshe ku edhe ai jetonte prej vitesh me qira. Fqinja që banon në hyrjen tjetër të kësaj vile tregoi dje momentet e fundit të jetës së Anwar Rizik, pasi kishte ndodhur shpërthimi. Ku ndodheshit në momentin që ndodhi ngjarja?
Ndodhesha në shtëpi. Jetoj në të njëjtën ndërtesë ku banon edhe familja e Anwar Rizik, por hyrja ime është në pjesën e pasme të vilës. E ndiet shpërthimin mëngjesin e së mërkurës?
Si mund të mos e ndienim? Ishte një shpërthim mjaft i fuqishëm. Lëvizi gjithë shtëpia. Për këtë arsye dola që të shihja se çfarë kishte ndodhur. Çfarë patë kur dolët jashtë?
Fillimisht dëgjova të bërtiturat dhe të qarat e Eldës. Ajo ishte e shkatërruar në atë moment. Qante dhe kërkonte ndihmë. Por kujdesej edhe për djalin e madh, të cilin një mrekulli e ka shpëtuar nga ajo ngjarje. Ai është fëmijë, por kupton shumë dhe kjo që i ndodhi para syve ishte e tmerrshme për të. Djali ndodhej pas të atit, madje ka qenë fati i tij që u shkëput nga dora e babait për të marrë një lodër që e kishte për zemër. Dhe kjo shkëputje e shpëtoi nga vala e shpërthimit. Ju e patë trupin e Anwar Rizik pas ngjarjes?
E pashë dhe pamja ishte e tmerrshme. Asnjë nga ne nuk kishte asnjë mundësi për ta ndihmuar. Ai ishte akoma gjallë. I kishte sytë të hapur, edhe pse trupi i tij ishte… Njoftuam fillimisht ambulancën, pastaj policinë. Pra ju thoni që Rizik ishte ende gjallë edhe pas shpërthimit?
Po, po. Ai ishte gjallë për gati 20 minuta. Thërriste, na shikonte dhe kërkonte ndihmë. Kërkonte një mjek. Por mjeku nuk erdhi në kohë. Ambulanca u vonua shumë. Edhe pse mbase e kishte të pamundur të mbijetonte në atë gjendje që ishte. Po policia?
Policia erdhi, por ai kishte ndërruar jetë. Nuk kishte më asnjë shpresë për të.
Vëllai, Rami Rizik, i pranishëm në Tiranë
Ceremonia e varrimit të biznesmenit zhvillohet në vendlindje, Betlehem
Rami Rizik
TIRANE – Ceremonia e varrimit për Anwar Rizik do të zhvillohet nesër në Betlehem, në vendin e tij të lindjes. Ai do të përcillet nga Tirana drejt Aeroportit të Rinasit dhe trupi i pajetë do të fluturojë nga Shqipëria me linjën “Alitalia”. Bashkëshortja e tij, Elda Ferracaku, do ta shoqërojë gjatë këtij udhëtimi të tij të fundit, por pa djemtë e saj të mitur, pasi ata kanë vetëm shtetësinë shqiptare dhe e kanë të pamundur të udhëtojnë jashtë Shqipërisë. Ndërsa vëllai i 43-vjeçarit, Rami Rizik, i cili mbërriti paraditen e djeshme në Tiranë, do të largohet sot rreth orës 18:00 nga Shqipëria, për të kryer përgatitjet e ceremonisë mortore të të vëllait në Betlehem, bashkë me pjesëtarët e tjerë të familjes së tij që ndodhen atje. “Anwar Rizik do të varroset në Betlehem me kërkesë të familjes së tij. Por në Tiranë do të kryhet një meshë homazh në kishën ortodokse, duke qenë se ai i përkiste fesë së krishterë”, u shpreh dje ambasadori palestinez në Tiranë, Issam Massalha.
Ambasada Palestineze është kujdesuar për kryerjen e të gjitha procedurave të përshpejtuara, pajisjen me dokumentacionin e nevojshëm të të gjithë personave që do të udhëtojnë nesër drejt Betlehemit, për t’i dhënë lamtumirën e fundit Anwar Rizik. Gjithashtu, Ambasada, në bashkëpunim edhe me fabrikën e çimentos në Fushë-Krujë, ka organizuar dje edhe homazhet në nderim të tij në meshën që u zhvillua në kishën ortodokse te Rruga e Kavajës në Tiranë.
BASHKËSHORTJA Të afërmit dhe miqtë e Anwar Rizik treguan dje se bashkëshortja e tij, Elda Ferracaku, po kalon një gjendje të rënduar shëndetësore si pasojë e ngjarjes tragjike që i ndodhi të shoqit. Paraditen e djeshme një ambulancë ka qëndruar vazhdimisht para shtëpisë së saj, mbrapa Ambasadës Amerikane, në mënyrë që mjekët të ishin pranë saj për çdo përkeqësim të shëndetit. Të afërmit treguan se tronditja e madhe i ka shkaktuar Eldës një gjendje shoku, gjendje që sipas tyre, po e përjeton edhe djali i madh i saj, i cili pavarësisht moshës, e ka përjetuar mjaft keq atë që i ndodhi babait para syve të tij.
Zv.ambasadori: Sot takojmë Berishën Edhe zv.ambasadori palestinez në Tiranë ishte dje për ngushëllim në banesën ku jetonte me bashkëshorten dhe dy djemtë e mitur Anwar Rizik, ku edhe u vra mëngjesin e së mërkurës. Duke mos dashur të nxitohet me deklarata zyrtare në lidhje me hetimin e ngjarjes, zv.ambasadori u shpreh dje se përfaqësues të Ambasadës Palestineze dhe të fabrikës së Fushë-Krujës do të zhvillojnë një takim me Kryeministrin Sali Berisha, si dhe me ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani.
Raporti i Policisë Në deklaratën e Policisë së Tiranës në lidhje me ngjarjen, thuhej: “Më 9 maj 2012, rreth orës 07:45, në rrugën ‘Budi’, prapa Ambasadës Amerikane, është vendosur lëndë eksplozive në portën e banesës së shtetasit Anwar Rizik. Si pasojë ka gjetur vdekjen shtetasi Anwar Rizik, 43 vjeç, lindur në Palestinë, me detyrë zv.drejtor i fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë ‘Cement Factory’”.
Provat në vendngjarje Policia tha se në vendngjarje u fiksuan dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale disa copa letre të vogla, një fije teli me ganxhë, disa copa plastike, njolla gjaku, mjeti i viktimës i dëmtuar nga shpërthimi, i markës “Mitsubishi Pajero”, me targë TR 7420 R dhe një tjetër makinë tip “Peugeot”, me targë TR 3191 N.
Kamerat e sigurisë Zona ku ndodhi ngjarja ka qenë e vëzhguar nga kamera sigurie, por asnjëra prej tyre nuk ka fokusuar autorin. Pritej ekzaminimi i kamerave të Ambasadës Amerikane, 20 metra larg vendit të ngjarjes, por nga këqyrja paraprake nga vetë personeli i Ambasadës ka rezultuar se nuk kanë filmuar autorët e ngjarjes.
Atentati, lirohen 16 të dyshuarit
Ambasada Amerikane kthen përgjigjen në polici: Kamerat tona s’kanë filmuar pamje të vendosjes së eksplozivit.
Porta e baneses ku ndodhi shperthimi
Bie versioni i shpërthimit me granatë, ishte bombë e komanduar. Inxhinieri palestinez me shtetësi shqiptare u vra me bombë për shkak të konflikteve të fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë. Kjo është pista e vetme mbi të cilën janë përqendruar hetimet e Policisë së Tiranës për zbardhjen e ngjarjes së rëndë ku mbeti i vrarë 43-vjeçari Anwar Rizik. Sipas burimeve nga grupi hetimor, gjatë verifikimeve që janë kryer pas ngjarjes, pyetjes së dëshmitarëve, por edhe miqve, familjarëve dhe përfaqësuesve diplomatikë palestinezë, nuk ka rezultuar që Rizik të ketë pasur konflikte. Nisur nga këto rrethana, por edhe nga problemet e vazhdueshme që kanë ndodhur në Fushë-Krujë për pronësinë, burimet thanë se vrasja e Rizik është vepër e këtyre problemeve. Anwar Rizik ishte zv.drejtor i kësaj fabrike, por pavarësisht se nuk kishte konflikte direkte me banorët e zonës, sipas burimeve, kjo është pista e vetme ku janë përqendruar hetimet. Atentati me eksploziv ndaj inxhinierit Rizik është cilësuar si vrasje për shkaqe ekonomike që lidhen me pronësinë edhe nga përfaqësuesit e Ambasadës Palestineze në Tiranë, si dhe nga përfaqësuesit e bordit të fabrikës së çimentos së Fushë-Krujës. Ata hedhin poshtë çdo motiv tjetër, qoftë idenë e një vrasjeje me prapavijë politike, apo ndonjë akt terrorist të mundshëm. Sipas ekspertimeve në vendin e ngjarjes është rrëzuar versioni i shpërthimit të provokuar me granatë. Kjo pasi verifikimet kanë gjetur se shpërthimi ka ndodhur nga një bombë e komanduar në distancë nga persona që mund të kenë vëzhguar lëvizjet e viktimës. HETIMET
Në mungesë të provave direkte që mund t’i lidhnin me vrasjen e shtetasit palestinez Anwar Rizik, 16 personat nga fshati Zall i Fushë-Krujës, që u shoqëruan dy ditë më parë nga RENEA, janë lënë të lirë pasi u morën në pyetje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Burime nga Policia thanë se ata nuk kanë pranuar të kenë asnjë lidhje me ngjarjen që ndodhi mëngjesin e së mërkurës në kryeqytet. Duket se për grupin hetimor është shuar edhe e vetmja shpresë për identifikimin e autorëve nëpërmjet kamerave të sigurisë së Ambasadës Amerikane, që ndodhet vetëm 20 metra nga vendi i ngjarjes. Burimet thanë se ende nuk ka ardhur një përgjigje zyrtare nga SHBA për sekuestrimin e kamerave, por nga verifikimi paraprak i kryer nga personeli i selisë diplomatike amerikane nuk ka rezultuar që ato nuk kishin fokusuar asnjë person të dyshuar për shkak edhe të fushëpamjes së pamjaftueshme. Ndërsa provat e sekuestruara nga policia në vendin e ngjarjes janë: disa copa letre të vogla, një fije teli me ganxhë, disa copa plastike, njolla gjaku, mjeti i viktimës i dëmtuar nga shpërthimi, i markës “Mitsubishi Pajero”, me targë TR 7420 R dhe një tjetër makinë tip “Peugeot”, me targë TR 3191 N, pronë e një fqinji të Rizik, që ishte parkuar pranë makinës së tij. MOTIVET
Ambasadori palestinez në Tiranë, Issam Massalha, deklaroi dje se vrasja e Anwar Rizik nuk ka prapavijë politike. “Krimi mund të ketë lidhje me aktivitetin e tij si zv.drejtor i fabrikës së çimentos, por nuk mund të flasim me saktësi, pasi hetimin po e zhvillojnë autoritetet shqiptare”, është shprehur ambasadori Massalha. Të njëjtin mendim me ambasadorin palestinez ka edhe drejtori i fabrikës së çimentos, Charles Michael Bouri. Ai u shpreh dje se shumë shpejt fabrika do të ketë një reagim zyrtar në lidhje me ngjarjen. Megjithatë, duke qenë i vetëdijshëm për problemet që banorët e Fushë-Krujës kanë shfaqur herë pas here, nuk ka dyshim se vrasja e kolegut të tij më të afërt Anwar Rizik është kryer për shkaqe ekonomike që lidhen me problemet që banorët kanë me përfaqësuesit e fabrikës.