
Kompania “A&B” e fabrikës së birrës “Norga” dhe ajo e frutave ende nuk janë vënë në punë për prodhimin e birrës dhe të pijeve freskuese.Shkak për këtë është bërë mosrikthimi i aseteve, pajisjeve dhe paneleve të fabrikave nga kompania private e përmbarimit, e cila, sipas vendimit së formës së prerë të Gjykatës, duhet t’i kishte rikthyer të gjitha pajisjet që ka marrë nga të dyja fabrikat në momentin e sekuestrimit të tyre, gjë që edhe sot asnjë pajisje nuk ka ardhur në fabrikë nga kjo kompani. Dyert e fabrikave u hapën pas vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Vlorës, e cila e quajti të pabazë dhe të jashtëligjshëm vendimin e sekuestrimit të fabrikave nga kompania private përmbaruese për llogari të Raiffeisen Bank dhe me vendim të gjykatës duhet të kishin rikthyer të gjitha asetet e marra nga fabrikat. Por, nëse nuk kthehen pajisjet që janë hequr nga përmbaruesit, asnjëra prej fabrikave nuk rivihet në punë. Gjithashtu janë dëmtuar shumë aparatura dhe sisteme kompjuterike të fabrikave. Për riparimin apo zëvendësimin e tyre duhen shpenzime të konsiderueshme sipas specialistëve të fabrikës, të cilët kanë filluar të bëjnë llogaritjet e dëmeve të shkaktuara dhe shumës që do të duhet për të rivënë në funksion fabrikat. Sipas pronarit të fabrikës, Agron Haxhiraj, “përmbaruesit kanë masakruar të gjitha sistemet e dy fabrikave, por sidomos në fabrikën e pijeve freskuese është shkatërruar gjithçka: janë prerë të gjitha lidhjet elektrike, është marrë i gjithë sistemi kompjuterik dhe sistemi i programit të fabrikës, duke nxjerrë gjithçka jashtë funksionit. Për të rivënë dy fabrikat në punë duhet që, sipas marrëveshjes, kompania përmbarimore të kishte rikthyer që para tri ditësh të gjitha asetet, kompjuterët, sistemin dhe panelet për të tentuar të vëmë në punë fabrikat, por as sot kjo kompani nuk i ka rikthyer pajisjet (asetet) e marra me dy trajlerë. Por dhe kur të kthehen pajisjet, do të kontrollohen nëse janë në funksion apo janë dëmtuar nga momenti i çmontimit dhe transporti, sepse ata që i kanë çmontuar nuk kanë qenë specialistë, por thjesht punëtorë”. Haxhiraj thotë se i gjithë sistemi kompjuterik ka dalë jashtë funksionit, pasi gjithçka në fabrikë është e kompjuterizuar dhe nëse një pajisje stakohet apo çmontohet, del jashtë funksionit. “Gjithashtu, në të dyja fabrikat është shkaktuar një dëm i jashtëzakonshëm. Po punohet për të nxjerrë vlerën e dëmit të shkaktuar dhe vlerën që duhet përcaktuar për të rivënë në punë fabrikat. Pas nxjerrjes së dëmit real nga ekspertët, do t’i drejtohemi Prokurorisë dhe Gjykatës së Vlorës për të bërë kallëzim penal ndaj kompanisë së përmbarimit që kreu sekuestrimin dhe shkatërrimin e gjithçkaje në fabrika, për të kërkuar zhdëmtimin e dëmit të kryer prej tyre me dashje dhe të jashtëligjshme”. Nga ana e pronarit të fabrikës së birrës “Norga” pohohet se për të rivënë në punë dy fabrikat do të duhet investim i konsiderueshëm për të zëvendësuar pajisjet dhe rivendosur sistemin kompjuterik, si dhe gjithçka që është shkatërruar nga kompania private e përmbarimit në momentin që ka kryer sekuestrimin e fabrikave.
19 dite
më parë u bë bllokimi i fabrikave të shoqërisë “A&B Grup” në Vlorë nga ana e një zyre përmbarimi private, vendim që u cilësua i paligjshëm nga ana e gjykatës
1 vit më parë, sipas pronarëve të birrës “Norga”, ka nisur konflikti mes tyre dhe Raiffeisen Bank, duke cilësuar fajtor për këtë drejtorin e bankës, Kanakaris
Haxhiraj: Me bankën do kërkojmë bashkëpunim
Në lidhje me kredinë dhe çështjen në Gjykatën e Vlorës, pronari Haxhiraj u shpreh se me bankën do të bashkëpunohet për të gjetur gjuhën e përbashkët. “Kjo do të shërbejë për të mirën e të dyja palëve, të biznesit dhe të vazhdimit të punës, si dhe të punësimit të njerëzve. Shpresojmë se gjithçka do të zgjidhet po qe dëshira e mirë nga të gjitha palët, por gjithçka varet nga kompania përmbaruese për të rikthyer pajisjet dhe më pas për të parë se çfarë ka ngelur pa u dëmtuar”. Konflikti me Raiffeisen Bank ka nisur prej një viti, sipas përfaqësuesve të shoqërisë “A&B”, të cilët akuzuan vetë drejtorin e saj, Kristian Kanakaris. Sipas tyre, në këtë bankë është marrë një kredi prej 19 milionë eurosh, me qëllim shlyerjen në 6 vite. Deri tani rezultojnë të paguara 8.2 milionë euro. Dy këstet e fundit të papaguara kanë çuar në dyert e fabrikave në Vlorë përmbarimin, i cili sekuestroi në mënyrë të paligjshme (siç u përcaktua nga gjykata e Vlorës) pajisjet e tyre, duke pezulluar aktivitetin.
VLORE/ QEMAL BIRAKU
© Panorama.al











