“Norga”, Malaj: Ndërhyrja e bankës, e gabuar

Jun 3, 2011 | 9:58

Ndërhyrja e “Raifeissen Bank” për sekuestrimin e pronës së kompanisë “Norga”, në momentin që kjo e fundit vazhdon prodhimin, gjykohet e gabuar nga deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj.Ai shprehet se ndërprerja e procesit teknologjik nuk ndihmon as njërën dhe as tjetrën palë, dhe ekzekutimi i kolateralit nuk është mënyra e duhur për të zgjidhur problemin. “Marrëdhëniet bankë dhe kompani private nuk janë marrëdhënie ku banka i shet paratë një kompanie dhe ku një kompani merr një kredi, dhe që këtu marrëdhëniet mbarojnë thjesht duke kontrolluar pagimin e kësteve. Çdo ndërhyrje, qoftë edhe me të drejtën formale të bankës mbi një kompani të cilën e ka kredituar dhe ka vonesa në kthimin e kredisë, ndërhyrja në procesin teknologjik, veprime vulgare të ndërprerjes në mes të procesit teknologjik, besoj se e dëmtojnë rëndë edhe kompaninë, por edhe bankën”, shprehet Malaj. Sipas tij, në momentin që marrëdhënia arrin në një pikë të tillë, siç është ndërprerja e procesit teknologjik, patjetër që humbjet shtohen. Për deputetin e PS-së, njëkohësisht anëtar i Komisionit të Ekonomisë, ekzekutimi i kolateralit të kompanisë nuk e zgjidh problemin, përkundrazi, i shton ato. “Kolaterali i mjafton bankës për të mbuluar kredinë e dhënë, por humbjet që pëson kompania dhe pasojat ekonomike e sociale që krijohen nga këto lloj marrëdhëniesh midis një kompanie, që është jo e vogël, dhe kreditorëve që e kanë furnizuar këtë kompani. E them këtë pasi efekti zinxhir mund të vijë edhe te kompanitë e tjera, të cilat, duke qenë furnitore dhe duke kredituar kompaninë “Norga”, tashmë do të zënë dhe ato radhën për të marrë detyrimet që do të mund të arkëtohen nga gjithë procesi i ristrukturimit të kompanisë. Jo thjesht për këtë rast, por edhe në debate që kemi bërë në Parlament, si ekonomist i përmbahem një këndvështrimi pak më ndryshe nga ajo që qeveria dhe Banka Qendrore po shprehin si me forcë. Mjafton respektimi kategorik i Përmbarimit dhe duket se cilësia e kredive do të rritet apo bankat do të ulin kreditë e këqija”, shprehet ish-ministri i Financave. Duke e komentuar rastin e Raiffeisen dhe Birrës Norga, ai u referohet edhe diskutimeve që bëhen në botë sot rreth çështjeve të ngjashme në një periudhe postkrize, duke kërkuar më tepër elasticitet në marrëdhëniet mes palëve. “Besoj se sidomos në momentet kur cikli ekonomik është në vështirësi zbatimi në mënyrë apriori thjesht i disa marrëdhënieve burokratike, dëmton rëndë edhe interesat e kompanive edhe fitimet e bankave, por jep impakt negativ zinxhir në ekonominë e çdo vendi”, shprehet deputeti i PS-së.

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura