“Njerku abuzoi me 13-vjeçaren”

May 3, 2012 | 14:45

Valbona H. duke denoncuar të shoqin para mediave

Policia arreston pas denoncimit publik 46-vjeçarin. Akuzë për shfrytëzim për lypje të fëmijëve.

Korçë, e denoncon e shoqja: Kam frikë për vajzën.

Një nënë 36-vjeçare ka denoncuar paraditen e të mërkurës keqtrajtimin fizik dhe psikologjik të vajzës së saj 13-vjeçare. Duke akuzuar bashkëshortin dhe njëherazi njerkun e vajzës, Valbona H., nënë e tre fëmijëve, ka sqaruar se njerku i të miturës përveç dhunës së ushtruar sistematikisht prej vitesh ka kryer edhe veprime të turpshme në sy të vajzës, ndërsa ajo druhej se ai mund ta dhunonte seksualisht. Valbona ka denoncuar rastin në polici para 4 muajsh, por sipas nënës së re, kjo e fundit nuk ka marrë asnjë masë për shpëtimin e së bijës. “Prej vitesh bashkëshorti im më rreh mua dhe vajzën time. Më rreh vajzën, e shan, e fyen, e nxjerr jashtë shtëpisë në mes të natës. Bën edhe veprime të turpshme, urinon në sy të vajzës, zhvishet në sy të saj. Edhe mua më ka rrahur e ofenduar, por kjo nuk ka rëndësi, unë dua të më shpëtojë vajza. Përveçse e keqtrajton, ai kërcënon se mund të abuzojë me të dhe unë kësaj i trembem. Unë kam sakrifikuar shumë për t’i rritur fëmijët e mi, kërkoj lëmoshë çdo ditë për t’u siguruar pak bukë”, tregoi 36-vjeçarja, me shpresën se pas denoncimit publik të rastit do të gjente një zgjidhje. Nëna e shqetësuar ka pohuar për gazetën se bashkëshorti i dytë i saj është një person me precedentë të rëndë penalë. Sipas rrëfimit, ai ka vuajtur një dënim 7-vjeçar për prostitucion, pasi kishte shfrytëzuar bashkëshorten e tij të parë me qëllime përfitimi. Por përballë rrëfimit tronditës të nënës dhe vajzës së saj dhe publikimit të rastit, ka ardhur edhe reagimi i Policisë së Korçës. Pas disa orë verifikimesh dhe marrjesh në pyetje, Policia e Korçës përmes një komunikate zyrtare ka njoftuar arrestimin e shtetasit Nevruz H., 46 vjeç. Sipas Policisë, arrestimi i 46-vjeçarit është bërë pasi për një periudhë 2-3 vjeçare shfrytëzonte për qëllime përfitimi, duke i detyruar të lypnin bashkëshorten e tij 35-vjeçare dhe fëmijët e mitur. “Zonat ku bashkëshortja e tij qëndronte për të ushtruar këtë aktivitet, kanë qenë tek varrezat e qytetit të Korçës, në Lagjen Nr.14, ndërsa në ditë feste këta të fundit qëndronin në fshatra të ndryshme të rrethit të Korçës, si: Boboshticë, Drenovë, Mborje.
Në informacionin zyrtar të Policisë, asnjë prej akuzave të bashkëshortes për dhunimin fizik dhe psikologjik të vajzës nuk është përmendur, sakaq ndaj tij rëndon akuza për veprat penale “trafikim i femrave dhe keqtrajtim i të miturve”. Valbona ishte martuar me 46-vjeçarin kur vajza e madhe, nga martesa e parë ishte pak më shumë se 1 vjeçe. Pas martesës së dytë, ata kishin dhe dy fëmijë, një vajzë 5 vjeçe dhe një djalë 3-vjeçar. Sipas gruas, ajo detyrohej të lypte për të nxjerrë paratë për bukë e fëmijëve, ndërsa i shoqi rrinte gjithë ditën duke pirë.

Vajza: Kam frikë prej tij
Terrorin e përjetuar e rrëfen edhe vajza 13-vjeçare me inicialet F.H, e cila pohon se çdo ditë jeton me frikën e dhunimit. Bashkë me të ëmën, ajo ka denoncuar njerkun dhe veprimet e tij brenda shtëpisë ku jeton bashkë me dy fëmijët e tjerë.
Çfarë të bën Nevruzi ty?
Me shkul flokët, më kap për rrobash dhe më nxjerr jashtë shtëpisë. Kur vjen ai në shtëpi, unë iki me vrap të fshihem.
Pse fshihesh?
Sepse kam frikë, ai më rreh mua.
Po veprime të turpshme ka kryer ai në sytë e tu?
Po, bën urinën në sytë e mi dhe nuk druhet fare, unë mundohem të mos e shoh dhe mbyll sytë.
A ka bërë ai veprime të tjera ndaj teje?
Deri tani jo, por më thotë vazhdimisht që do të shtie në dorë, unë kam shumë frikë.

Ndihma
Një prej organizatave në mbrojtje të grave dhe fëmijëve të dhunuar, pas apelit të nënës 36-vjeçare ka ndërhyrë. Ajo e ka strehuar deri në gjetjen e një zgjidhjeje të problemit dhe të një ambienti të përshtatshëm larg kërcënimit të njerkut të vajzës së saj. “Ndaj shtetases Valbona H. është lëshuar menjëherë edhe urdhri i mbrojtjes”, bëri të ditur Policia e Korçës. Por deri në përfundim të procedurave nga gjykata për urdhrin e mbrojtjes, 36-vjeçarja dhe 3 fëmijët e saj do të jenë të mbrojtur në një prej qendrave sociale të qytetit.

KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI

© Panorama.al

Te lidhura