“Nga Shtëpia e Flamurit u zhdukën objektet”

Aug 24, 2012 | 12:39
Shtëpia-muze e Themistokli Gërmenjit, e shembur në Korçë

KORÇE – Në Shtëpinë e Flamurit në Korçë janë zhdukur dokumente dhe objekte me vlerë. Historianët shprehen se shembja e godinës i dha fund vlerave autentike që mbartte ajo, ndërsa humbja e materialeve ka nisur kohë më parë. Sipas tyre, rindërtimi i Shtëpisë së Flamurit edhe nëse konkretizohet do të shërbente për të rimëkëmbur një pjesë të historisë, por nuk do të kthente kurrsesi gjendjen reale të këtij muzeu vite më parë. Tashmë vlerat autentike të tij të përmbledhura në sendet, reliket, fotografitë apo dokumentet, sipas historianëve, nuk dihet se ku kanë përfunduar, sepse ndër vite ato shpesh janë bërë pjesë e tregut të zi. Sipas të dhënave, duket se pasi ka nisur degradimi i muzeut, familjarët e patriotëve kanë marrë dalëngadalë sendet vetjake apo edhe dokumente të patriotëve, të cilët shpallën Korçën “Krahinë Autonome” dhe më tej pjesa e mbetur është vendosur në bodrumin e kësaj shtëpie. Por, me kalimin e viteve, nuk dihet destinacioni final i tyre. Shembja e ndërtesës zhduku edhe çdo mundësi për të gjetur objektet e vyera që janë dëshmia reale e periudhës së fillimshekullit XX. “Me rrëzimin e godinës historike është zhdukur dhe historia e tij, po ashtu edhe objektet e ndryshme, armë, monedha etj. Kemi dyshime të forta që këto objekte janë bërë pjesë e tregut të zi jashtë Shqipërisë”, shprehet koleksionisti Niko Kotherja. Sipas tij, një pjesë e relikeve janë ruajtur në Pallatin e Kulturës. Të njëjtin fakt e pohon dhe ish-drejtori i Muzeut të Luftës, Bashkim Jahollari. Por, të pyetur për këtë, punonjës të Pallatit të Kulturës thonë se nuk kanë dijeni për praninë e objekteve me vlerë të transferuara nga shtëpia e Themistokli Gërmenjit.         dh.d

© Panorama.al

Te lidhura