“Ne zyrtarët e parë që hetuam gjenocidin në Çamëri në vitin 1947”

Feb 13, 2012 | 12:23

Myftar Tare duke folur për “Panorama” (Foto Vlasov Sula)

Flet Myftar Tare, ish-zëvendësministër i Punëve të Brendshme.

Në Komisionin e OKB-së që operoi në Greqi kishte dhe zyrtarë të SHBA-ve, Britanisë, Australisë e Italisë.

Kujtimet e zëvendësit të Koçi Xoxes
Çdo ditë del nga shtëpia te “Braka”, dhe me hapin e rënduar nga pesha e viteve çapitet për te “Piaca” për të pirë kafen e mëngjesit. Gjatë rrugës për te lokali i preferuar, “Elektriku”, ndalon paksa te kioska e gazetave në krah të Ministrisë së Drejtësisë për t’u hedhur një sy të përditshmeve dhe blen dy-tri prej tyre. Pastaj, rituali me përshëndetjet e zakonshme me miqtë e shokët që i rezervojnë karrigen dhe bisedat rutinë me lajmet kryesore të ditës. Rrallë, shumë rrallë, kujtohet t’i rikthehet kohës kur ka shërbyer në kupolën e shërbimit të fshehtë, ndërkohë që është skajshëmrisht i mbyllur me gazetarët. Myftar Tarja, 90-vjeçari që ka qenë zëvendësi i Koçi Xoxes, është i vetmi  nga funksionarët e lartë të Sigurimit që vazhdon të jetojë. Ka një kujtesë interesante, sa mban mend me detaje edhe ngjarjen më periferike të viteve ‘40. Nuk bëhet fjalë për emrat e bashkëpunëtorëve, të ish-eprorëve e vartësve me të cilët ka operuar, jo vetëm kur ishte zëvendësministër i Brendshëm. Detyra ia ka dashur të njihet nga afër me Enver Hoxhën, qysh në vitet e luftës dhe sidomos gjatë ditëve të Konferencës së Paqes. Ka ndarë përvoja të ndryshme me pjesën më të madhe të ish-liderëve komunistë dhe ka qenë dëshmitar i eventeve të shkëlqimit dhe rrëzimit të tyre. Kujtimet e Myftar Tares, ish-zyrtarit ndër më të besuar të regjimit, por dhe njeriut të prangosur fill pas kryqëzimit të Xoxes, janë një enciklopedi e gjallë me ngjarje e fakte të panjohura.

Ajo çka panë zyrtarët e parë që mbërritën në Çamëri nga Tirana ka qenë diçka e tmerrshme.
Tre funksionarët shqiptarë, që kapërcyen kufirin me Greqinë në mesin e marsit të 1947-s dhe iu bashkuan grupit të komisionerëve të OKB-së për mosmarrëveshjet e vendeve ballkanike pas Luftës së Dytë Botërore, denoncuan qysh në takimin e parë gjenocidin e pashembullt ndaj komunitetit shqiptar të Çamërisë dhe i ftuan ata për të inspektuar krahinën e martirizuar.
Deri në atë kohë, veç të dëbuarve me dhunë, askush tjetër nuk kishte mundur të depërtonte në teatrin e masakrës. Për tre të mandatuarit nga Tirana, pjesë e këtij Komisioni ndërkombëtar, ishte një rast i mirë për të thyer terrin informativ dhe për të verifikuar në vend barbarinë e bandave të Zervës mbi shqiptarët e pambrojtur. Myftar Tarja, njëri ndër ta, asokohe zëvendësministër i Brendshëm, duke iu kthyer kësaj historie pohon se ideja për t’i zhvendosur bisedimet në krahinën e Çamërisë parashikonte vendosjen e kontakteve të drejtpërdrejta të pjesëtarëve të Komisionit me realitetet në terren. “Më herët, kujton ish-zëvendësi i Koçi Xoxes, kishim vënë në vëmendjen e inspektorëve perëndimorë mjaft dëshmi e dokumente autentike për masakrat dhe represionin e hordhive qeveritare greke në Çamëri”. Inspektimet aty kanë qenë befasuese, jo vetëm për përfaqësuesit shqiptarë, por edhe për pjesën tjetër të komisionerëve të huaj, sidomos për ata amerikanë e britanikë. “Gjithçka i ngjante një rajoni të bombarduar, me fshatra e shtëpi të rrënuara, me pyje e vreshta të djegura, pa shenja jete”, shton Tarja, duke kujtuar çastet kur vizitonin fshatrat e martirizuara të Çamërisë. Në vijim të rrëfimit për “Panorama”, ish-numri dy i Sigurimit të Shtetit shpjegon të veçantat e misionit të atyre ditëve në Greqi dhe platformën e delegacionit shqiptar me të cilën u operua në Komisionin e OKB-së për të denoncuar masakrat dhe gjenocidin e ushtruar mbi popullsinë çame aty…
Zoti Myftar, në kohën kur kryenit detyrën e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme keni kryesuar delegacion shqiptar në Komisionin ndërkombëtar për çështjen e gjenocidit në Çamëri. Cilët ishin organizatorët e këtij Komisioni dhe si procedoi ai në Greqi?

Shqiptare te debuar nga Çameria nga bandat e zerves

Së pari, desha të saktësoj se nuk ishte një komision ekskluzivisht për çështjen e gjenocidit në Çamëri, por për një mori problemesh të shfaqura pas Luftës së Dytë Botërore midis vendeve të Ballkanit. Ai u organizua me nismën zyrtare të OKB-së për t’u dhënë zgjidhje konflikteve të shumta në rajon. Në të merrnin pjesë përfaqësues të Greqisë, Shqipërisë, Jugosllavisë, Bullgarisë, por edhe zyrtarë të tjerë nga SHBA-të, Anglia, Australia, Italia etj. Komisioni, me sa më kujtohet, filloi diku nga mesi i marsit 1947 dhe operoi me debate të hapura, në fillim në disa qytete të Greqisë dhe më vonë edhe në Shqipëri…
Veç jush, cilët ishin pjesëtarët e tjerë të delegacionit shqiptar? Kush ju njohu me platformën që do trajtonit në Komisionin Ndërkombëtar?
Delegacioni ynë kryesohej nga Nesti Kerenxhi, në atë kohë zëvendësministri i parë i Punëve të Brendshme. Ai kishte kontakte të drejtpërdrejta me Enver Hoxhën, i cili e orientonte nga afër për gjithçka që do të trajtonim në takimet shumëpalëshe.
Prania ime në delegacion lidhej me funksionin që kryeja si zëvendësministër i Brendshëm që përgjigjesha për drejtimin e strukturave të zbulimit që operonin jashtë shtetit. Ndërkaq, pjesëtarë të tjerë të delegacionit ishin Kadri Hazbiu, asokohe shefi i Sigurimit të Ushtrisë, Vango Mitrojorgji, funksionar i Sigurimit dhe Aleks Çaci, në atë kohë gazetar. Para se të shkonim në Greqi, jemi orientuar e njohur me çështjet që do të ngrinim aty, madje edhe me mënyrën si do t’i parashtronim…
Pra, jeni orientuar në Tiranë për problemet e gjenocidit në Çamëri…
Çështja e Çamërisë, e krimeve të shovinistëve grekë ndaj shqiptarëve atje, ishte çështja kryesore e delegacionit tonë. Ajo ishte paramenduar si e tillë, nga udhëheqja e lartë e Tiranës, por nuk ishte e vetmja. Dy takimet e para, të mbajtura në Selanik e Athinë, delegacioni ynë i shfrytëzoi për të denoncuar provokacionet e monarko-fashistëve grekë në Jug të Shqipërisë. Për orë të tëra, Nesti Kerenxhi parashtroi për të pranishmit një raport të detajuar me dëshmi e dokumente për terrorin e ushtruar nga forcat qeveritare të Athinës në territorin shqiptar. Për herë të parë ndërkombëtarët njiheshin kështu zyrtarisht me veprimet represive të ushtrisë greke dhe cenimin prej tyre të integritetit të vendit tonë. Pas debateve mbi këtë çështje, përfaqësuesi ynë adresoi akuzën tjetër ndaj autoriteteve helene. Ato, në kundërshtim me konventat ndërkombëtare dhe marrëveshjet e Pasluftës së Dytë Botërore, refuzonin të ekstradonin në Shqipëri grupin e kriminelëve të luftës që strehohej në Greqi. Me sa më kujtohet, rendi i gjërave të atyre ditëve, gjenocidi në Çamëri, u diskutua fill pas debateve për këtë çështje. Duke qenë denoncimi i parë zyrtar në një tryezë ndërkombëtare, kishim përgatitur qysh në Tiranë një platformë të zgjeruar mbi të cilën do të kumtonim krimet dhe barbarinë e armatave të Zervës ndaj popullsisë shqiptare të Çamërisë…
Cilat ishin momentet kryesore të kësaj platforme?
Pjesa e parë e raportit parashtronte fakte e dëshmi të regjistruara nga të mbijetuarit e masakrave greke që kishin mbërritur në Shqipëri. Ata kishin përjetuar nga afër tragjedinë e jashtëzakonshme dhe pohonin tmerret që kishin parë me sytë e tyre. Pjesa e dytë e raportit për gjenocidin në Çamëri përmbante dëshmi e dokumente të siguruara nga njerëzit tanë, që vepronin ilegalisht në Greqi që pas mbarimit të luftës dhe nga  qytetarë grekë që kishin ofruar ndihmën e tyre me dëshirë.
Ligjërata që mbajti deri këtu Nesti Kerenxhi herë pas here haste në kundërshtimet e palës greke, e cila këto i vlerësonte  si prova të manipuluara…
Po prova të tjera paraqitët?
Në kulmin e debateve me palën greke për dëshmitë e të mbijetuarve, paraqitëm një dokument autentik të një zyrtari të huaj, i cili kishte ndjekur nga afër gjithë mizoritë e forcave qeveritare greke ndaj popullsisë së pambrojtur të shqiptarëve të Çamërisë. Këtë radhë përpjekja e vendësve për të rrëzuar denoncimin e delegacionit tonë nisi të vihej në dyshim nga të pranishmit e tjerë. Megjithatë, këmbëngulja e zyrtarëve të Zervës vazhdonte në avazin e saj…
Kush ishte zyrtari i huaj që kishte dokumentuar krimet e bandave të Zervës ndaj çamëve të Greqisë?
Dokumenti që paraqitëm në Komisionin e OKB-së, në takimin e Janinës, ishte një raport sekret i atasheut ushtarak të Britanisë së Madhe në Greqi. Kolonel Palmer, pasi kishte ndjekur nga afër masakrat çnjerëzore ndaj shqiptarëve të Çamërisë, i kishte dokumentuar ato me përpikmëri në një raport special, të cilin ua kishte adresuar autoriteteve qeveritare të Londrës…
Si mbërriti në duart tuaja ky dokument sekret i rezervuar vetëm për kancelaritë e Londrës?
Kjo falë një operacioni të fshehtë të zbuluesve tanë…
Që mundën ta marrin nga kasafortat e Londrës…
Dokumentin e Palmerit e morëm në Tiranë. Ka një histori më vete mënyra si arritëm ta shtiem në dorë. Autoritetet britanike, pasi ishin njohur me të, kishin çuar një kopje të tij në zyrat e misionit diplomatik në vendin tonë. Me përmbajtjen e raportit të kolonel Palmerit na vuri në dijeni një njeriu ynë, që shërbente si përkthyes i gjeneral Hodgsonit në Tiranë. Mjaftoi kaq për të krijuar rrethanat e nevojshme si mund ta rrëmbenim që aty. Që këtej pastaj ndërtuam platformën për të denoncuar masakrat, vrasjet dhe dëbimin masiv të komunitetit çam nga trojet e tyre etnike…
Kush ishte përkthyesi që mori nga kasaforta e gjeneral Hodgsonit në Tiranë raportin e kolonelit britanik?
Nuk besoj se është etike identifikimi i tij. Autorët e misioneve të tilla me karakter sekret gjithë bota i koleksionon me terma anonimë. Unë e kam njohur herët dhe kam pasur miqësi me të. Ishte një nga studentët e “Harri Fullsit”, me origjinë nga Bregu. Në vitet e pasluftës spikati në radhët e akademikëve si profesor i shquar.
Ai asnjëherë nuk kërkoi dekoratë për atë që bëri në shërbim të çështjes çame. Madje, edhe kur ia përmendja ndonjëherë e kapërcente bisedën me takt…
Si e priti pala greke raportin e kolonel Palmerit? Po të pranishmit e tjerë si reaguan? Pati ndonjë qëndrim nga përfaqësuesi britanik pas kësaj?
Paraqitja e dokumentit të kolonelit britanik e futi debatin në hulli tjetër. Deri para këtij çasti, pala britanike e amerikane ishin në mbështetje të drejtpërdrejtë të vendësve. Që këtej preferuan të heshtin, por jo të bashkoheshin me denoncimin tonë. Për grekët dokumenti i relatuar nga Nesti Kerexhi ishte një tronditje e jashtëzakonshme. Megjithatë, qëndrimi i tyre mbeti mohues fund e krye. Madje, tanimë reagimet e tyre kishin humbur çdo sens arsyeje…
Si procedoi më tej Komisioni?
Për dy-tri javë debatet rreth çështjes së Çamërisë dominuan takimet në Janinë. Bisedimet vijuan në Selanik. Prej aty në Korçë. Pala greke përpiqej t’u kundërpërgjigjej akuzave tona me kundër-akuza, të tilla si ato për nxitjen e luftës civile në Greqi etj. Këto raporte me akuza e kundër-akuza krijuan një gjendje monotone. Veç nesh e grekëve, të tjerët dëgjonin në heshtje. Kaloi rreth një muaj e ca me takime të kësaj natyre që nuk prodhonin gjë. Më në fund ne ndërhymë për t’i zhvendosur bisedimet në zonën e Çamërisë, në terrenin ku ishte ushtruar gjenocidi. Ideja jonë parashikonte vendosjen e kontakteve të drejtpërdrejta të pjesëtarëve të Komisionit me realitetet në terren…
Ishin dakord për këtë përfaqësuesit e palës greke?
Ata rezistuan fort me lloj-lloj argumentesh për ta shmangur me çdo kusht inspektimin në terren, por ne këmbëngulëm deri sa ia arritëm qëllimit. Vizita në Çamëri, hetimi në teatrin e krimit, ishte kapitulli përmbyllës i platformës që kishim hartuar në Tiranë. Rrugëtimi për aty ishte një ngjarje tronditëse, sidomos për pjesëtarët e delegacionit shqiptar. Pas asaj që kishte ndodhur, ne ishim zyrtarët e parë që vizitonim trevat tona të terrorizuara nga bandat e gjeneralit famëkeq Zerva…
Çfarë kujtoni nga vizita në zonën e Çamërisë?
Në fillim qëndruam në Igumenicë, pastaj në Filat. Gjithçka aty i ngjante një rajoni të bombarduar me fshatra e shtëpi të rrënuara, me pyje e vreshta të djegura. Në të gjithë hapësirën e fshatrave përqark nuk dallohej shenjë jete. Ata që kishin mundur t’i mbijetonin barbarisë ishin dëbuar me dhunë, e në panik e sipër kishin depërtuar në Shqipëri. Gjatë qëndrimit aty patëm rastin të flasim nga afër me pjesëtarët e delegacionit për masakrat dhe gjenocidin e ushtruar mbi komunitetit shqiptar. Situata për ta bëhej gjithnjë e më e qartë. Përveç palës greke, të tjerët mbanin shënime…
Po komisionerët amerikanë e anglezë nuk reaguan?
Ata, pavarësisht përjetimeve në terren, për asnjë çast nuk u prononcuan zyrtarisht. Fillimisht, përfaqësuesit britanikë dhe ata të SHBA-ve mbështesnin palën greke. Vetëm aty nga fundi hoqën dorë nga ky qëndrim, por përsëri hezitonin të mbështesnin argumentin tonë…
Pra, komisionerët anglo-amerikanë mbështesnin palën greke?
Së paku, mund të them se nuk mbështesnin qëndrimin tonë për gjenocidin ndaj shqiptarëve të Çamërisë…
Për çfarë motivesh?
Arsyeja kryesore lidhej me kursin anti-amerikan që kishte nisur qeveria komuniste e Tiranës, menjëherë pas luftës, e cila më së fundi kishte ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me SHBA-të…
Sa zgjati inspektimi në zonën e Çamërisë?
Rreth një javë, pastaj rrugëtuam për në Konispol, ku ndodhej pjesa më e madhe e të dëbuarve nga trojet e tyre në Çamëri. Kontaktet me ta ishin vërtetë rrëqethëse. Çdo njeri tregonte pjesën e dramës së tij, por edhe tmerret që kishte parë gjatë aksioneve shfarosëse të monarko-fashistëve grekë. Komisionerët perëndimorë dëgjonin me vëmendje detajet e masakrave dhe hera-herës ndërhynin për të saktësuar natyrën e gjenocidit shfarosës.
Konispoli ishte stacioni i fundit i inspektimit të komisionerëve ndërkombëtarë…
Inspektimi në Konispol ofroi regjistrimin e dëshmive autentike dhe si i tillë, ishte më i dobishmi nga gjithë stacionet e tjera për misionin e komisionerëve të OKB-së. Pas takimeve e intervistave aty, u rikthehem në Filat dhe vizituam të gjitha fshatrat e Çamërisë. Këtë radhë, inspektimi në territorin e krimit bëhej me ndërhyrjen e zyrtarëve grekë, të cilët na rezervuan takime me një grup shqiptarësh të tjetërsuar. Më djallëzinë tipike, njerëzit e Zervës na çuan te disa familje çame të vëna në shërbim të tyre. Këta lloj shqiptarësh, të sjellë nga Konica, ishin vendosur në shtëpitë e vendësve të dëbuar dhe dëshmonin kundër tyre sipas legjendës së Zervës që i etiketonte   bashkëpunëtorë të nazistëve. Kishte ndër ta edhe shqiptarë të arratisur, të cilët shfaqeshin edhe më agresivë kundër bashkëkombësve të tyre. Këto skena të përpunuara me mjeshtëri nga ASFALI-ja, ishin befasuese. Bëmë ç’është e mundur për të faktuar falsitetin e tyre, por manovrat e komisionerëve grekë nuk na u ndanë deri në fund…
Cili ishte rezultati i këtyre takimeve dhe si u procedua më vonë lidhur me çështjen çame?
Pas inspektimit në terren dhe debateve me palët në takimet e Greqisë, çështja e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë, bashkë me problematikën e mosmarrëveshjeve të tjera të vendeve ballkanike, u adresuan në institucionet zyrtare të OKB-së. Fillimisht u bë prezent në zyrat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, ku për herë të parë gjeti mbështetjen e faktorit ndërkombëtar. Raporti që paraqiti aty kreu i delegacionit shqiptar, jo vetëm u dëgjua me vëmendje, por u vlerësua shumë nga funksionarët e OKB-së, të cilët e deleguan për shqyrtim të mëtejshëm në zyrat përkatëse në Nju Jork. Aty, për arsye nga më të ndryshmet, çështja çame mbeti e ngrirë, dhe për disa dhjetëvjeçarë iu destinua harresës…
A kishte arsye të tjera, veç faktorit politik, që ndikuan në mbylljen e dosjes së Çamërisë?
Arsyeja politike, kuptohet ishte përcaktuese, pasi komunizmi i Shqipërisë e futi vendin në një izolim të jashtëzakonshëm, duke e larguar nga aleatët natyralë anglo-amerikanë. Ishte ky rreshtim i gabuar që në një farë mënyre na çarmatoste politikisht në përpjekjet e natyrshme për të kërkuar të drejtat e komunitetit çam të shpërngulur me dhunë nga trojet e tyre etnike. Ka pasur sakaq edhe shkaqe të tjera, objektive dhe subjektive, që e kanë mbajtur çështjen të konservuar. Duhet pohuar me këtë rast se situata ka mbetur e ngrirë edhe falë përpjekjeve të jashtëzakonshme të Athinës zyrtare, e cila vazhdon të qëndrojë në pseudoargumentet e hershme. Ende sot mënyra si po operojmë në kërkim të kësaj të drejte të ligjshme mendoj se është fragmentare, ku konsumohet shumë patetizëm folklorik dhe pak strategji e mirëmenduar dhe e mbështetur në legjislacionin ndërkombëtar…

vijon nesër

AFRIM IMAJ

© Panorama.al

Te lidhura