
“Problemi duhet parë më thellë. Është çështje komunikimi”. Kështu shprehet kryetari i Sindikatës së Artistëve të Teatrit Kombëtar, Mirush Kabashi, në lidhje me atmosferën jo të qetë në ambientet e TK-së për çështjen e dietave të Londrës. Vetëm një ditë para premierës së shfaqjes “Henri VI”, e cila pas Tiranës do të udhëtojë drejt Londrës, për të marrë pjesë në Festivalin Botëror të Shekspirit “Globe to Globe”, në Teatrin Kombëtar ndihet shqetësimi i aktorëve. Nuk bëhet fjalë thjesht për pagesa, por për mungesë komunikimi. Burime brenda TK-së pranojnë se mes disa aktorëve dhe drejtorit Kristaq Skrami ka pasur debat në lidhje me dietat e Londrës. Problemi lindi në momentin kur një pjesë e aktorëve mësuan se organizatorët anglezë të festivalit merrnin përsipër të mbulonin vetëm shpenzimet e 14 prej artistëve që do të përfaqësojnë Shqipërinë. Ndërkohë, shfaqja interpretohet nga 23 aktorë dhe trupës do i shtohet regjisori, instrumentisti Fatos Qerimi, skenografi… Sipas të njëjtave burime, dieta e përcaktuar nga pala angleze në ftesën e bërë është 90 paund për person, para që do të merren atje. Ndërsa pjesa tjetër, jashtë katërmbëdhjetëshes është njoftuar se do të marrë 35 euro. Ky disnivel i ka irrituar aktorët, të cilët mësohet ta kenë akuzuar drejtpërdrejt drejtorin Skrami për “diskriminim”. Këtë e pranoi edhe vetë Skrami gjatë një konference për shtyp, por sipas tij këto akuza nuk janë të vërteta dhe se të gjithë aktorët do të paguhen njëlloj (30 paund dhe 35 euro). Në dijeni të këtij problemi ishte edhe zv.ministri Abaz Hado, i cili u shpreh se shuma e parave të parashikuara nga pala angleze dhe pjesa tjetër që do të mbulojë Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve do të bashkohen dhe do të përpjesëtohen në mënyrë të barabartë mes gjithë aktorëve. “Ky është propozimi që unë do t’i bëj drejtorit Skrami dhe jam i bindur që do ta marrë parasysh, jo vetëm për një trajtim të barabartë të aktorëve, por edhe për faktin që ai është një institucion në varësi të MTKRS-së”, thotë Hado. Sipas përllogaritjeve të shpejta, Hado thotë se shuma mund të shkojë te 65 euro për çdo aktor. Në lidhje me këtë çështje, kryetari i Sindikatës së Artistëve të TK-së, Mirush Kabashi, thotë se nuk është në brendësi të problemit, vetëm ka dëgjuar për të. “Fakti që ne i mësojmë këto problematika nga mediat, do të thotë se ka diçka që nuk shkon. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë është pak të themi se është e rëndë”, thotë Kabashi. Sipas tij, në TK ka probleme komunikimi mes aktorëve dhe drejtuesve të institucionit. “Nuk mbahet mend që kur nuk jemi mbledhur që të diskutojmë mbi problematikat që na shqetësojnë. Nëse ka një ftohje, kjo ka ardhur edhe për shkak të kërkesës për më shumë komunikim administrativ dhe hapje artistike. Kemi kërkuar një jetë më aktive, pasi Teatri Kombëtar me traditën që ka dhe potencialet artistike, ka mundësi për më shumë. Por, ka diçka që nuk shkon. Dhe ky është komunikimi mes aktorëve dhe drejtorisë, i cili është i vdekur, i asfiksuar”, thotë Mirush Kabashi, i cili shton se komuniteti artistik duhet të jetë më aktiv në zgjidhjen e këtij ngërçi.











