
“Kur ishte në kampin e Vloçishtit, Dhimitrin e varrosën të gjallë”. Dëshmia tronditëse e Efterpi Paskos përmbyll rrëfimin e të shoqes së poetit të persekutuar. Nga kujtimet e 88-vjeçares që ka ndarë për 20 vjet gëzimet dhe hallet me Kutelin, në numrin e kaluar publikuam fakte e dëshmi të panjohura nga jeta dhe veprimtaria e tij. Pjesët më dramatike për Paskon mbeten dorëshkrimet e pabotuara, librat e sakatuar nga censura dhe testamenti që shkroi ditët e fundit, destinuar për t’u lexuar pas vdekjes.
…vijon nga numri i kaluar

Një javë pasi doli nga burgu e deri në gusht shkuam në Pogradec. Në Tiranë nuk kishim shtëpi, pasi “na kishte dalë urbanizimi”. Gjatë kësaj periudhe, Dhimitri, kohën më të madhe e kalonte me përkthime, të cilat ia dërgonin nga “Zëri i Popullit”, por edhe me krijime të tijat. Në gusht të vitit ’49 e emëruan te “Zëri i Popullit”, në sektorin e përkthimeve. Tanimë që u rregullua me punë, problem mbetej strehimi. Për disa kohë qëndruam te një i afërmi ynë. Më pas, kur na lindi vajza, shkuam në hotel…
Gazeta “Zëri i Popullit” në atë kohë ishte organ i Komitetit Qendror të Partisë. Çfarë nënkuptonte besueshmëri të lartë politike të njerëzve që punonin aty. Mitrushi sa kishte dalë nga burgu, si i dënuar politik…
Në atë kohë e morën sepse kishin nevojë të ngutshme. Kur gjetën një tjetër siç iu përshtatej, e hoqën menjëherë. Sa punoi te “Zëri i Popullit”, në përgjithësi kaloi mirë. Megjithatë, fakti që kishte qenë dënuar për agjitacion e propagandë, nuk e la pa telashe. Çdo komunikim, çdo sjellje e tij shikohej me kujdes të madh. Patjetër në emër të parimeve. I vënë në këtë vëzhgim, nuk do t’u shpëtonte kritikave e bile edhe goditjeve…
Mbani mënd raste të tilla?
Raste ka pasur disa, por tani pas kaq vitesh, nuk më kujtohen të gjitha. Mbaj mënd rastin kur e nxorën në gazetën e murit në formë karikature me diçiturën “Amerikaniada e shokut Pasko”. Me anë të saj mundoheshin ta godisnin si intelektual borgjez…
Pra, te “Zëri i Popullit” Kutelit i kanë bërë një fletë-rrufe…
Në atë periudhë nuk kishin dalë fletë-rrufetë. Në vende publike e në qendra pune kishte gazeta muri, ku goditeshin sjelljet e shfaqjet e papërshtatshme me kohën, me frymën e saj. Kjo fushatë me karikatura e bejte të ndryshme, drejtohej nga lartë e shitej si zëri i masës…
Çfarë nënkuptonte në këtë rast diçitura “Amerikaniada e shokut Pasko”?
Gjatë punës në redaksi, një moment Dhimitri kishte vënë këmbët mbi një karrige aty pranë. Që nga koha e burgut ai kishte probleme me gjymtyrët dhe vuante nga dhimbjet e reumatizmës. Dikush e kishte parë dhe i ishte kundërvënë menjëherë. Një qëndrim i tillë, sipas tij, nuk mund t’i falej askujt, dhe jo më Dhimitrit që ishte dënuar për agjitacion e propagandë.
Kjo ishte e mjaftueshme që “redaksia” e gazetës së murit, brenda redaksisë së “Zërit të Popullit”, ta vinte në ballë të kritikave dhe goditjes. Këtë here me diçiturën e padëgjuar më parë, “Amerikaniada e shokut Pasko”…
Sa kohë punoi te “Zëri i Popullit”?
Te “Zëri i Popullit” punoi gati dy vjet. Në vitin 1953 e transferuan në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, gjithnjë si përkthyes, por jo si nëpunës në bordero. Aty paguhej me normë sipas sasisë së faqeve të përkthyera. Ishte kjo një rraskapitje e tmerrshme. Punonte gjithë ditën e gjithë natën për t’i dorëzuar materialet sipas afateve. Nuk më kujtohet me saktësi sa lekë e vlerësonin për faqe, por di të them që këtë mënyrë vlerësimi, Dhimitri e quante qesharake. Kjo mbetej e vetmja mënyrë jetese. Pikërisht në këtë periudhë ka përkthyer nga disa gjuhë mjaft nga kryeveprat e kohës. Të gjitha pa emrin e tij, sepse vazhdonte të ishte “i padëshirueshëm”…
Ndërkohë nuk kishte ende të drejtën e botimit dhe nuk bënte pjesë në Lidhjen e Shkrimtarëve?
Sa ishte në burg, por edhe disa vite më pas, as që bëhej fjalë për t’i dhënë të drejtë botimi. Pasi doli nga burgu, i dërguan një letër nga Lidhja e Shkrimtarëve, ku e njoftonin se nuk ishte anëtar i saj. Pra, duhej të vazhdonte me normën e përkthimit. Të drejtën për t’u bërë anëtar i Lidhjes ia dhanë shumë kohë më vonë, falë ndihmës së Drago Siliqit që bëri ç’ishte e mundur për t’i kthyer të drejtën e botimit. Në verën e vitit ‘66 më në fund i dhanë një leje krijimi njëvjeçare. U gëzua jashtë mase e shpresoi mjaft për t’u dhënë jetë subjekteve të ndryshme, por nuk zgjati shumë. Në fillimin e ‘67-s, kur kishte nisur fushata e letrës së hapur për “thellimin e frymës revolucionare”, Lidhja e Shkrimtarëve e pa të udhës t’ia ndërpresë lejen e krijimtarisë. Në dëshpërim e sipër, Dhimitri la në mes veprat e nisura dhe rifilloi punën me përkthimet e normuara…
Si e përjetonte Mitrushi këtë klimë mbytëse?
E tërë periudha pas burgut ishte e vështirë dhe plot ankth. Ca më tepër kur lindën fëmijët, Polikseni, Atalanta, Pandeliu dhe Doruntina. Megjithatë, Dhimtri, falë kurajës, gjente forca për ta përballuar. Ndodhi një periudhë që e renditën krahas Konicës, Fishtës e Koliqit, si poetë të padëshiruar. Bile-bile, kjo përmendej si vjershë kudo, sidomos midis krijuesve. Ç’bëhet kështu, i thashë një ditë e frikësuar. Nuk e shikon, ma ktheu ai me buzën në gaz, po më nderojnë shumë dhe duhet t’i falënderoj…
Në kujtimet e bashkëkohësve dhe miqve të tij flitet se Kuteli e ka parandier vdekjen, madje ka lënë edhe testament para saj…
Pak a shumë kështu ka ndodhur. Të paktën mua ma ka shfaqur në disa raste. Ka qenë një situatë e vështirë. Unë e dija që ishte i sëmurë se e shikoja, por nuk ia ushqeja kurrë atë mendim dhe i thosha vetëm që të kujdesej për veten. Parandjenjën e vdekjes muajt e fundit të jetës e bëri si një lloj refreni…
Pra, në një farë mënyre kishte filluar të bashkëjetonte me vdekjen…
Në ditët e fundit të Dhimitrit u botua e famshmja “Letër e hapur” që bëri zhurmë të madhe. Flitej për luftën e klasave, për thellimin e saj. Flitej për armiq të rinj në fusha të ndryshme. Flitej për goditje të reja, për internime e urbanizime të tjera. Rrethi i të ndëshkuarve shtohej orë e çast. Në këtë fushatë spastrimi, Dhimitri me të drejtë ndjehej i rrezikuar. Vetë fryma që mbizotëronte dukej sikur drejtohej ndaj atyre që e kishin falur e mbase edhe ndaj atyre që e kishin mëshiruar për të shpëtuar gjallë nga kampi i Vloçishtit. Kjo nënkuptonte përgatitjen e një ridënimi të mundshëm, në mos degdisjen nga Tirana. Pra, situata bëhej e rëndë nga dita në ditë. Një mbrëmje Dhimitri ma tha haptas. Rrallë kishte ndodhur të më fliste kështu. “Dëgjo Efterpi, – më tha – si po rrjedhin gjërat, keq e mos më keq ka për të shkuar…”.
Me një fjalë, ndjehej i rrezikuar.
Kjo u bë e qartë me ndërprerjen e menjëhershme të lejes krijuese në fillim të ‘67-s. Ishte kulmi i fushatës që kishte ndezur letra e hapur. Kërcënimi tanimë ishte real, që më së shumti, sipas Dhimitrit, do të kishte pasoja te fëmijët.
Jua shprehu atë natë kërcënimin që parashikonte?
“Ti Efterpi – më tha, – duhet të bëhesh e fortë. Është koha që duhet të iki. Më vjen keq për fëmijët, ata duhet të shkollohen, duhet të marrin bursa. Po të jem unë, inatet ndaj meje nuk do t’i lënë rehat. Me ikjen time diçka do të zbutet”. Më tronditi mënyra si më fliste, u mundova ta kundërshtoj, e bindur në një moment dobësie, por ai vazhdonte në të tijën. “Po, po, duhet të iki, të largohem”. Parandjenja për fundin e vet, mbi të gjitha lidhej me sëmundjen e rëndë nga e cila vuante prej vitesh, por edhe më mënyrën si u rrokullis jeta e tij. Burgu, përndjekjet, gjurmimet, mënjanimi, i shkurtuan ditët. Dhjetë muaj para se të vdiste, shkroi testamentin në disa faqe, të shtypur me makinë shkrimi….
Po në momentet e fundit, u la ndonjë amanet?
Ka qenë e mërkurë ajo natë. I filluan dhimbjet e gjoksit dhe më kërkoi t’i jepja mjekimet që përdorte në të tilla raste. Ia dhashë, por nuk po qetësohej. Në moment i thashë të lajmëronim ambulancën, por nuk pranoi. Do të kalojë, më tha. Pas një farë kohe, dhimbjet iu shtuan. I fola sërish duke i kujtuar urgjencën. Aty për aty nuk reagoi, por më pa në sy. Lajmërova Shpëtim Gjerbrenë, mjekun që e kishim mik të familjes. Ai erdhi menjëherë. Sa e pa, u kthye nga unë dhe më ngushëlloi. Ka mbaruar, tha, të rroni vetë me fëmijët. Kaq ishte ikja e tij. Të nesërmen e përcollëm për në banesën e fundit, pa ceremoni të madhe, siç e kishte lënë në testament.
Janë bërë 43 vite që jeni ndarë me Mitrushin. Cila është brenga që ju lëndon më shumë?
Dhimitrit ia shkurtoi jetën burgu. Vonë, shumë vonë, kam marrë vesh tmerret që kishte përjetuar, sidomos në kampin e Vloçishtit. Aty ka ndodhur që e kanë varrosur për së gjalli. Ma ka treguar së fundi një bashkëvuajtës i tij nga Elbasani. Sa ishte paraqitur Dhimitri në kamp, kapteri i shërbimit, që mori vesh se kishte qenë shkrimtar, e kishte thirrur në oborr dhe kishte urdhëruar për të hapur një gropë të madhe te këmbët e tij. Pastaj e hodhën në të lakuriq dhe e mbuluan me baltë deri në fyt. E nxorën pas disa orësh gjysmë të vdekur. Pranë tij thirrën të burgosurit e tjerë. “Si shkrimtari do ta pësoni po t’u shkojë mendja për prapësira si ai”, ishte hakërryer mbi trupin e tij njëri nga gardianët. Bashkëvujatës të tjerë, më kanë thënë të tjera ngjarje rrëqethëse. Dhimitri nuk më tregoi kurrë histori të tilla…
vijon nesër…
AFRIM IMAJ
© Panorama.al











