Rambo Amadeus, këngëtari malazez mbërrin në Tiranë.
Nofka e tij e artit është Rambo Amadeus, ndërsa emri i vërtetë është Antonije Pusic. Malazezi me përvojë të gjatë artistike dhe autori i 19 albumeve muzikore, ishte dje në kryeqytet. Arsyeja ishe sakaq e qenësishme, në kuadër të turit promovues të këngës me të cilën ai do të përfaqësohet në skenën e “Eurovision 2012”. “Euro Neuro” quhet hiti i tij, i cili që në krye të herës paralajmëron një mesazh ndryshe, shumë larg subjekteve ‘soft’, teksteve të zakonshme të dashurisë, e vuajtjes pas ndarjes së paparashikuar. Në këngën e tij, kombinohen bukur teksti satirik therës, me natyrën sociale të individit dhe situatën politike të vendlindjes së artistit, Malit të Zi, në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian, pasi ky shtet fitoi vitin e kaluar statusin e vendit kandidat për në BE. Rambo Amadeus rrëfen edhe më…
“Euro Neuro”…ngjan një titull hermetik. Cili është mesazhi i këngës suaj?
Këtë këngë e kam shumë për zemër. Më është dashur shumë mund dhe punë krijuese për ta realizuar si produkt final artistik. Mesazhi i hitit është i qartë, flet hapur për qenien njerëzore që lëkundet mes nevojës për t’u bërë pjesë e komunitetit europian dhe jetës sociale e personale. Dhe unë konstatoj që nocioni Europë gati u është futur në gjak njerëzve, dhe jeton bashkë me ta në çdo qelizë e neuron të tyrin. Por, çfarë do të ndodhë me shtetet që do të anëtarësohen në BE? Ato duhet të ndryshojnë kulturën, përpos unifikimit të monedhës në euro. Për shembull, në Mal të Zi, burri mund t’i thotë gruas që të mbyllë gojën dhe të mos flasë, dhe ajo i bindet. Në Europë kjo nuk është e mundur, që të urdhërosh bashkëshorten të mos flasë, ajo mund të mos të dëgjojë ty. Kënga ime flet për standardet ekonomike, ekologjike, sociale etj.
Pse kjo prirje kaq kontraverse juaja për në skenën e “Eurosong 2012”?
Është një subjekt mirëfilli psikologjik. Nga të gjitha prurjet që kam dëgjuar deri më tani ndër vite në Eurovizion, shumica e tyre i dedikohen dashurisë, ndarjes, vuajtjes. Besoj se audienca dhe njerëzit janë të uritur për të dëgjuar diçka ndryshe, ndaj vendosa të sjell një frymë të re. Mos mendoni se “Eurovizioni” do të humbë një hit dashurie më tepër?! Unë besoj që jo.
Po cila ishte shtysa jote kah kësaj përzgjedhjeje artistike?
Më besoni, më është dashur një punë e madhe për ta realizuar si këngë. Sepse teksti është disi i çuditshëm, aty ku flas për Europën, flas për politikën, ekonominë, ekologjinë etj. Deri më sot, skena e “Eurosong” më ka ngjarë me një terren të mërzitshëm, i konteksteve thuajse të ngjashme të dashurisë. Mua nuk më ngjisin kësi stilesh. Doja një këngë që të mbetet në mendje, me një mesazh domethënës, dhe jo një këngë të lehtë dashurie që sapo përfundon festivali, të nesërmen e ke harruar.
Beson se mesazhi yt do të korrë fansa dhe interes edhe në radhët e audiencës shqiptare?
Kam bindjen që po! Shqipëria dhe Mali i Zi janë shtete fqinje, me tradita të përbashkëta. Në sezonin e verës, Mali i Zi është një nga destinacionet e preferuara të pushimit për shqiptarët, dhe më vjen mirë për këtë. Besoj se përmes këtij turi promovues do të ketë efekt dhe pëlqime të këngës sime edhe mes shqiptarëve. Veten në “Eurovizion” e shoh si një shqiponjë mes pulave. Të gjithë janë kaq të ëmbël, të brishtë, të rinj në moshë, ndërsa unë besoj se do të stopoj për t’u kënduar mendjeve të trazuara dhe realitetit.
ERMIRA ISUFAJ











