“Ndalohet shitja”, pullë e re për ilaçet e spitalit

Jul 14, 2011 | 12:20

“Përdorim spitalor – Ndalohet shitja”. Këtë përmbajtje do të ketë pulla e re që do t’u shtohet të gjitha ilaçeve që përdoren vetëm në spitale. Ky element shtohet, veç pullës të sigurisë, që është e detyrueshme për të gjitha llojet e barnave. Me urdhrin e ri të lëshuar dje nga ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, pritet të evitohen abuzimet me medikamentet e spitalit, të cilat nga vetë mjekët janë transferuar shpesh në farmaci private. Ky urdhër i ministrit të Shëndetësisë do të ulë abuzimet, pasi në shumë raste ilaçet e spitaleve shiten jo vetëm brenda tyre, por edhe në tregun farmaceutik. Vasili tha se nëse farmacistët do t’u ofrojnë pacientëve barna me këtë pullë lehtësisht të dallueshme, atyre do t’u hiqet menjëherë licenca. “Në rast se ndonjë i papërgjegjshëm do të guxonte të bënte lëvizje të barnave nga spitali në farmacitë e rrjetit të hapur, atëherë qëndrimi do të jetë vetëm një. Konstatimi i kësaj shkeljeje do të thoshte ndërprerje e menjëhershme e aktivitetit dhe heqja automatike e licencës. Në këtë mënyrë fusim një standard të ri, të munguar më parë, e cila unifikon në këtë element të rëndësishëm dhe thelbësor, siç janë barnat spitalore, duke aplikuar një standard europian, një standard sigurie, menaxherial tepër të lartë”, tha Vasili. Sipas tij, kjo masë është e ndërmarrë në të gjitha vendet perëndimore. “Me këtë masë ne synojmë të përmirësojmë administrimin në përgjithësi, por dhe atë të barnave në veçanti. Njëkohësisht mundësojmë që menaxherët e shërbimit në njërën anë, drejtuesit, mjekët infermierët, por dhe publiku nga ana tjetër, të kenë mundësi të identifikojnë jo vetëm ato që janë të drejta, por dhe mënyrën se si disa produkte me rëndësi të veçantë, siç janë barnat, lëvizin brenda sistemit”, tha Vasili. Ai shtoi se krahas elementeve të tjera, siç është pulla e sigurisë, kontrolli shumë i rreptë dhe eliminimi i kontrabandës së barnave, njëkohësisht aplikimi i procedurave të hapura dhe transparente dhe nëpërmjet internetit të mënyrës se si prokurohen barnat, shtuar dhe kontrollin informatik teknik brenda tyre, arrihet të ecet me një menaxhim efikas të barnave. Lidhur me mungesën e ilaçeve në spitale, ministri i Shëndetësisë ka sqaruar se në QSUT nuk ka ilaçe stok dhe pritet që brenda dy muajve të ardhshëm të mbyllet pjesa e fundit e tenderëve. Aktualisht një pjesë e tenderëve kanë përfunduar, por ndërkaq, pjesa më e madhe e pavijoneve nuk kanë as ilaçet më elementare.

Vula e kuqe

Do të jetë shumë e thjeshtë dhe për një qytetar të identifikojë një konfeksion barnash që është për përdorim spitalor dhe nuk mund të shitet në rrjetin e hapur. “Vula e re do të jetë një vulë e kuqe, teksti jo fakultativ, por i detyrueshëm, dhe është pjesë përbërëse e këtij urdhri, ku shkruhet: “Përdorim spitalor, ndalohet shitja”, tha Vasili.

Inspektorët

Kontrollet për të identifikuar shkelësit do të bëhen nga Drejtoria Farmaceutike në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Qendra e Kontrollit të Barnave. Në rast se ata gjejnë në farmaci barna që janë marrë nga spitali, atëherë do t’u hiqet licenca drejtuesve dhe farmacitë do të mbyllen. Kryesisht këto lloj ilaçesh deri tani janë shitur fshehtas në disa prej farmacive të kryeqytetit.

© Panorama.al

Te lidhura