
Për Altin Lalën “sekreti” i Francës është Frenk Riberi. “Nëse ndalim atë, atëherë u marrim pikë”, shprehet fillimisht kapiteni i Kombëtares shqiptare në një bisedë për “Panorama Sport”. Në prag të ndeshjes së 2 shtatorit me “gjelat”, Lala kujton sfidën Bajern-Hanover, e cila prodhoi shumë polemika në vitin 2008. Lala dhe Riberi u bënë protagonistë të asaj ndeshjeje, teksa shqiptari kreu disa ndërhyrje të ashpra ndaj francezit. Drejtuesit e Bajernit e cilësuan Lalën si një lojtar anti-futboll. “U bë kohë nga ai takim që luajtëm kundër Bajernit. Nuk kam qejf ta kujtoj, pasi hodhën vrer me pa të drejtë ndaj meje. Gjithsesi, për mua Riberi është një nga lojtarët më të mirë të Bundesligës. Në fakt, pak kohë më parë nuk ka qenë në formë, por me fillimin e këtij sezoni ka bërë ndeshje të mira me Bajernin. Ai është gjithmonë një lojtar i rrezikshëm dhe personalisht më pëlqen ta kem si kundërshtar. Ka klas shumë të lartë dhe është vetëvrasje nëse i lëmë hapësira. Kur luan në krahun e majtë, ai shpesh futet në qendër dhe këtu e ka gjithë sekretin. Nëse e bllokon një herë, atëherë nervozohet dhe gjithçka mund të jetë në favor për mua. Megjithatë, nëse ka hapësira, ai bëhet i papërmbajtshëm, sepse ka edhe shumë sprint. Shpresoj që në ndeshjen kundër nesh të mos jetë në formë”, thotë mesfushori për yllin e Francës. Një ditë më parë, ish-futbollisti i Kombëtares, Edvin Murati, i cili prej vitesh jeton në Francë, deklaroi për gazetën se “gjelat” e kanë marrë me frikë ndeshjen ndaj Shqipërisë. “Natyrisht që e kanë marrë me frikë, sepse kujtojnë atë humbje me Bjellorusinë në shtëpi dhe i druhen një surprize të dytë. Madje, unë mendoj se e kanë vlerësuar shumë edhe për faktin se ne kemi mposhtur Bjellorusinë. Sigurisht që Franca është favorite për të fituar, por në Shqipëri çdo skuadër ka probleme. Ne nuk kemi çfarë të humbim, duam të bëjmë një lojë të mirë. Kjo është një ndeshje e shumëpritur, jo vetëm për ne si lojtarë, por besoj edhe për tifozët kuqezi. Franca ka lojtarë jashtëzakonisht të mirë, por mendoj se për të do të jetë një ndeshje shumë e vështirë në Tiranë”, shton Lala. I pyetur se cili repart mund të bëjë diferencën në këtë takim, kapiteni kuqezi theksoi se sulmi i francezëve është i frikshëm. “Në sulm Franca është shumë e fortë dhe ky repart mund të bëjë diferencën në ndeshjen kundër nesh. Këtu duhet të jetë kujdesi ynë kryesor, pasi ata kanë kualitete në sulm”, deklaroi 36-vjeçari. Ndërsa për pikën e dobët të “gjelave”, Lala jep këtë përgjigje: “Franca mendoj se është dobët në mbrojtje, të paktën me aq ndeshje sa e kam parë unë. Të shpresojmë se mund ta godasim”. Por çfarë taktike duhet të ndjekim ndaj Francës? Kapiteni kuqezi e ka gati “recetën” dhe sugjerimin për trajnerin Josip Kuzhe. Për Lalën, Shqipëria duhet të mbrojë në bllok kundër “gjelave”, pasi vetëm në këtë mënyrë mund t’ia dalë për të marrë një rezultat pozitiv. “Ndaj këtyre skuadrave loja në grup është kryesorja, pasi vetëm kështu mund t’i ndalësh. Duhet të mbrojmë të gjithë si skuadër, duke filluar nga lojtarët e sulmit e deri te portieri. Na duhet të jemi të organizuar shumë mirë, duke mos qenë larg njëri-tjetrit në fushë. Nëse lëmë hapësira, mund ta pësojmë. Madje, shpeshherë duhet të dublojmë edhe lojtarë si Maluda dhe Riberi, të cilët luajnë në krahët e mesfushës dhe janë shumë të rrezikshëm. Këtë trajneri Kuzhe duhet ta ketë më shumë parasysh. Me aq sa kam arritur të kuptoj për futbollin, ndaj skuadrave të mëdha suksesi qëndron nëse mbron si skuadër”, përfundoi ai.
Bogdani
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka mbërritur dje në Shqipëri për të qenë pjesë e skuadrës për ndeshjet e radhës, por mediat italiane kanë përvijuar me lajme që lidhen me lëvizjen e tij nga Çezena. Sipas këtyre të fundit, para të mërkurës, Bogdani do të kalojë ose te Kaljari, skuadër kjo që ka kërkuar shërbimet e këtij futbollisti dhe ku tashmë drejton si trajner Fikadenti (ish-tekniku i Çezenës), por ka edhe një opsion të dytë. Ky lidhet me dy skuadra të Serisë B, emrat e të cilave nuk jepen dhe që i kanë ofruar lojtarit dy vjet kontratë.
Januzi shënon, por Vorskla humbet 4-1
Sulmuesi kosovar i Kombëtares shqiptare, i grumbulluar rishtazi edhe nga trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe, për dy ndeshjet e radhës ndaj Francës dhe Luksemburgut, Ahmet Januzi, po vazhdon me formë të shkëlqyer tek ekipi ukrainas, Vorskla Poltava. Ai ka shënuar edhe golin e radhës, kësaj here në humbjen e skuadrës së tij si mysafir i Illishovets, takim i përfunduar me rezultatin 4-1. Kosovari e shënoi golin e vetëm për skuadrën e tij në minutën e 63-të. Pas paraqitjeve brilante në Europa League, Januzi po vazhdon të shënojë edhe në kampionatin vendës, madje është shndërruar në lojtarin kyç të skuadrës, ku aktivizohet edhe mbrojtësi tjetër kosovar, Armend Dallku.
JORGIS MEMO
© Panorama.al











