
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani de Biazi, ndoshta kishte programuar një konferencë normale shtypi, në të cilën do flitej për mënyrën se si do të luajë skuadra ndaj Moldavisë, por sherri CEZ-“Qemal Stafa” ka përfshirë edhe italianin.
Duke qenë se rrezikohet seriozisht që kjo ndeshje të mos luhet në orarin e përcaktuar, De Biazi nuk e ka pritur aspak mirë, aq sa nuk ka ngurruar të qartësojë se në rastin konkret po luhet jo vetëm me imazhin e Kombëtares, por të gjithë Shqipërisë. Sipas tij, është e patolerueshme që problematika të tilla të sjellin shpërqendrim, apo edhe më shumë shqetësim të ekipit kombëtar para një ndeshjeje, nga ku ai pret të marrë përgjigjet e fundit nga lojtarët e tij para kualifikimeve zyrtare që nisin në shtator për “Botërorin 2014”.
Pasnesër (nesër) luajmë kundër Moldavisë, çfarë pret De Biazi nga kjo ndeshje?
Për ne është një ndeshje e rëndësishme, pasi është testi i fundit para kualifikimeve për “Botërorin 2014” dhe unë pres të marr ato përgjigje që dua nga lojtarët e mi. Uroj që takimi të zhvillohet sikundër është programuar, pra të mërkurën në darkë, duke shpresuar në zgjidhjen e problemit të energjisë, i cili për të qenë i sinqertë më duket paksa anormal. Nuk është as në të mirën e Kombëtares, por as në imazhin e Shqipërisë, që ndeshja të mos luhet për teknikalitete të tilla. Realisht në jetën time nuk e kam hasur asnjëherë një gjë të tillë, ndaj uroj që ata që janë përgjegjës për vendimmarrjen në këtë rast, të mendojnë se po bëhet fjalë për Kombëtaren, e cila nuk është e imja apo e federatës, por e të gjithë shqiptarëve.
Keni një ide të skuadrës që do të jetë titullare në kualifikime?
Unë e kam një ide të skuadrës me të cilën do t’i përballoj kualifikimet, por hë për hë kam zgjedhur rreth 34 lojtarë, kjo për arsyen se edicioni është i gjatë dhe mund të ndodhin probleme nga më të ndryshmet. Kështu që duhet të kem në dispozicion sa më shumë lojtarë, me qëllim që të bëj edhe një edicion të mirë. Mendoj se, pas këtij takimi, do të kem edhe një ide më të qartë të skuadrës për kualifikimet e Botërorit.
Ç’mund të na thoni për lojtarë si Basha, Kukeli, Meha, të cilët po shkëlqejnë në Europë, por nuk kanë ende pasaporta shqiptare?
Ne po mundohemi që të afrojmë sa më shumë lojtarë të mirë që luajnë në Europë, si në rastin e Bashës. Ndonjëherë ekziston dëshira, por ka probleme nga më të ndryshmet për t’i teseruar që ata të luajnë për Shqipërinë. Ne po bëjmë më të mirën e mundshme në të gjitha aspektet.
Po Sukaj, i cili është lënë jashtë në të gjitha miqësoret që keni zhvilluar?
Edhe ai, sikundër edhe disa lojtarë të tjerë që i kam në mendje por që nuk i kam grumbulluar, janë pjesë e Kombëtares dhe do të kenë rastin që ta tregojnë veten në këtë skuadër.
Në dy ndeshje të mëparshme, Shqipëria ka fituar ndaj Moldavisë, e shikoni këtë si një ogur të mirë?
Të shpresojmë, madje po prek diçka (qesh). Më vjen mirë që Shqipëria ka bilanc pozitiv ndaj Moldavisë, por kjo nuk do të thotë asgjë. Këto dy ndeshje do të mbeten në arkivin e Kombëtares, ndërsa të mërkurën do të luhet një 90-minutësh i ri, krejt tjetër, gjatë të cilit ne do kërkojmë të bëjmë më të mirën për të parë edhe se ku është gjendja e disa lojtarëve. Disa luajnë tashmë në kampionatet e tyre, disa kanë kryer vetëm faza përgatitore. Ndaj kjo është ndeshja më e mirë për t’i parë se ku janë me përgatitjet.
Në tri ndeshjet e para nuk keni luajtur asnjëherë me të njëjtën skemë dhe me të njëjtët lojtarë, a mund të na thoni se si do të jetë Shqipëria me De Biazin?
Unë personalisht e kam të qartë në kokën time. Sigurisht, në tri miqësoret e para kam eksperimentuar shumë, pasi doja jo vetëm që ta njihja skuadrën, por edhe të shikoja se ku duhet përmirësuar dhe ku mund të marr më të mirën nga lojtarët e mi. Të njëjtën gjë do të bëj edhe me Moldavinë, ku do marr edhe të dhënat e fundit që më nevojiten para kualifikimeve.
Ndaj Moldavisë keni grumbulluar edhe tre lojtarë të rinj nga kampionati shqiptar…
Po, pasi dua që t’i shikoj këta djem se si reagojnë në Kombëtare. Unë i kam ndjekur me ekipet ku ata aktivizohen, por ka një ndryshim, sipas meje, Kombëtarja nga klubet. Ka shumë futbollistë që stërviten mirë gjatë javës dhe, më pas, kur vjen dita e ndeshjes, stonojnë totalisht, ashtu sikundër ka lojtarë që japin rezultat me Kombëtaren, por jo edhe aq me klubin, ose anasjelltas. Pikërisht për këto dilema i kam grumbulluar, pasi dua që të kem ide të qartë për të gjithë lojtarët.
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











