“NBG Group”, fitimi neto arrin në 157 milionë euro

Jun 8, 2011 | 10:23

Gjatë tremujorit të parë të vitit, grupi rriti përfitueshmërinë, duke përforcuar bilancin dhe duke ruajtur likuiditetin e lartë dhe bazën e qëndrueshme të kapitalit. Sipas njoftimit të bankës, fitimi neto i grupit gjatë tremujorit të parë 2011 arriti në 157 milionë euro, përkundrejt  21 milionë euro në tremujorin e parë 2010.  Provigjionet e grupit janë llogaritur në nivelin e 381 milionë euro (me rritje + 21 % nga një vit më parë) dhe raporti i mbulimit të provigjioneve (+90 ditë në vonesë) në 56 %, më i larti i sektorit. Grupi ruajti likuiditetin e lartë. Raporti kredi/depozita qëndroi në nivelin e shëndetshëm të 102 %, ndërsa në Greqi u përmirësua më tej në 92 %, në sajë të mbajtjes së qëndrueshme të depozitave në Greqi. Është e rëndësishme të përmendim se financimi nga Banka Qendrore Europiane u reduktua me  3.2 miliardë euro që nga fillimi i vitit. Baza e kapitalit të grupit mbeti e fortë. Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit (Tier I) ishte 12.9 % dhe raporti Core Tier I ishte 11.8 %, duke qenë një nga më të lartët në sektorin bankar në Europë. Rezultatet e tremujorit të parë të “NBG” ishin shumë më të larta sesa pritej nga analistët e tregut dhe këto rezultate janë mirëpritur nga ata.

© Panorama.al

Te lidhura