
U shfaq në Teatrin Kombëtar drama e Igmar Villcist.
Përmes një ngjarjeje nga Lufta II Botërore, regjisori Altin Basha aludon për të sotshmen.
Në disa qytetërime antike, zvastika ishte simbol i diellit, gjatë Luftës së Dytë Botërore do të bëhej i djallit. Kryqi i thyer do të përvetësohej nga nazizmi. Kudo ku ai shihej, mbillte vdekje. Ata predikonin racën e pastër, ariane. Kush nuk përmbushte “kushtet”, eliminohej. Një njeri me probleme fizike apo mendore, nuk meritonte të jetonte. Ky ishte edhe fati i Helverit, i cili çuditërisht e adhuronte ideologjinë naziste. I pëlqenin paradat, marshet, të valëviste flamuj, të vishej si nazist, të jepte urdhra… Tek ideologjia naziste ai ndoshta shihte rregullin mes kaosit të mendjes së tij të turbullt. Gjithnjë i tërhequr pas veprave me forcë të madhe simbolike dhe nënteksti, regjisori Altin Basha nuk mund të mos tundohej të vinte në skenë dramën “Nata e Helverit” të dramaturgut polak Igmar Villcist. Përgjatë dy netëve, kjo dramë e fuqishme, e cila ka njohur sukses në shumë skena të Europës, u ngjit edhe në skenën e Teatrit Kombëtar. Pasi provoi suksesin në skenën e Prishtinës, madje edhe në skena festivalesh, “Nata e Helverit”, e përkthyer nga Leonard Zissi, iu bashkëngjit kalendarit artistik të Tiranës në kuadrin e programit “Një komb, një kulturë”. Është kjo fryma që përmbledh gjithë këtë vepër, e cila ka për regjisor një artist nga Tirana dhe aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Përmes konceptit regjisorial të Altin Bashës, skenografi dhe kostumografi të Iliriana Loxhës dhe interpretim të aktorëve Safete Rogova dhe Lirak Çelaj, publiku kthehet pas në kohë, atëherë kur “të ndryshmit” eliminoheshin. Aktorja me një karrierë 42-vjeçare, Safete Rogova, sjell në skenë figurën komplekse të një nëne, e cila ndihet fajtore për zgjedhjet e saj, që përpiqet t’i korrigjojë, por që gjen

qetësi vetëm tek vdekja. Me gjithë 65 vjetët e saj, ajo vjen energjike në interpretimin e gjithë “tekave” të partnerit, por edhe të regjisorit. Si një grua kosovare, e cila ka përjetuar vetë luftën 13 vjet më parë, nuk e ka të vështirë të vjelë nga figurat e të gjitha atyre nënave të vuajtura kosovare e t’i bëjë të sajat. Ndërsa Lirak Çelaj, i cili ka pësuar një transformim të plotë, i veshur si rinia naziste e me syze të trasha miopi, është ai “i ndryshmi”, të cilin, jo vetëm gjatë periudhës së Luftës II Botërore por edhe sot e pranojnë me vështirësi në shoqëri. Helveri dhe Klara janë viktima të kontekstit në të cilin jetojnë, secili sipas mënyrës së vet. Klara vendosi të kujdesej për Helverin, pasi kishte braktisur më parë fëmijën e saj po me probleme mendore. Ajo bëhet kujdestare, nënë, por edhe ushtare, mbi të cilën Helveri me flamurin me kryqin e thyer ushtron “pushtetin” dhe dhunën e një nazisti hipotetik. Dhunën e një politike, e cila ka vendosur ta ekzekutojë atë. Në këtë rast është Klara që do t’i japë fund, duke i dhënë një vdekje më të denjë dhe për ta shpëtuar nga zhdukja përmes formave çnjerëzore. Pjesa e polakut Villcist vendoset gjatë Luftës së Dytë Botërore, brenda ambienteve të një shtëpie, e cila përmes skenografisë së Loxhës herë të jep përshtypjen e një burgu, e herë të një rrjete merimange. Është ajo rrjetë që zakonisht njerëzit e ndërtojnë me vetë veprimet e tyre. Ajo luan me ngjyrat, jo vetëm atë të uniformës, por edhe të flamurit nazist, e kuqe e zezë, e bardhë. Por pjesa nuk flet vetëm për atë kohë. Ky ka qenë qëllimi i autorit, por edhe regjisorit, i cili dëshiron më së shumti t’i flasë së tashmes. Dhe publiku arrin të përthithë paralelizmin mes një të sëmuri të ideologjizuar dhe një militanti politik. Ekzaltimi fëminor i Helverit mund të krahasohet me errësimin e mendjes së fanatikëve apo militantëve politikë, deri në kufijtë e kafshërores dhe të shkatërrimit. Është ajo nxehje truri, që jo rrallë ndeshet në raste krizash politike apo në atmosfera të tendosura zgjedhjesh. Mesazhi për ndriçim mendjesh është i qartë.
ALMA MILE
© Panorama.al











