“Motrën e vrava për Facebook”

Apr 29, 2012 | 12:10

Komisariati i Policisë së Burrelit

BURREL/ Pendohet në polici 38-vjeçari. Policia: Pas ngjarjes kishte tentuar të vetëmbytej.

Mirash Miza: Dyshoja se kishte krijuar lidhje nga interneti.

Zbardhen detajet e krimit që shtynë 38-vjeçarin Mirash Miza të ekzekutonte të motrën me çifte në një fshat të komunës Ulëz.
Sipas dëshmisë së dhënë nga emigranti, fakti që motra beqare ishte pjesë e rrjetit “Facebook” e kishte shtyrë për t’i marrë asaj jetën. Autori i vrasjes së motrës së tij 27-vjeçare, Shqipe Miza, është penduar, madje oficerët e Policisë Gjyqësore e kanë parë teksa qante pa pushim për krimin e kryer një ditë më parë. Burime të sigurta policore thanë për “Panorama” se 38-vjeçari ka shfaqur shenja pendese, madje ka rrëfyer gjithë ngjarjen e ndodhur në fshatin Madhesh. Pjesëtarë të grupit hetimor thanë se pas arrestimit të autorit kanë mësuar detaje të tjera të ngjarjes. “Tri orë pas krimit e kemi gjetur Mirashin me rroba të lagura. E pyetëm pse i kishte rrobat në këtë gjendje dhe na tha se pak minuta pasi ka vrarë motrën ka tentuar të vetëmbytet në liqenin e Shkopetit, por ka ndërruar mendje dhe është fshehur në pyll”, thanë burime pranë grupit hetimor. Gjatë transportimit nga fshatit i izoluar deri në Burrel, Mirash Miza ka deklaruar se krimin e kishte kryer pasi banorë të fshatit i kishin thënë se motra nuk sillej mirë dhe se atë e kishte parë në rrjetin social “Facebook”. “Nuk mund të pranoja që motra të krijonte lidhje në “Facebook” me persona të tjerë. Kam dyshime se ajo është lidhur me persona që familja jonë nuk mund t’i pranojë. I kërkova motrës të hiqte dorë nga “Facebook”-u dhe ajo nuk e pranoi një gjë të tillë. Atëherë ndërmora aktin ekstrem, për të cilin jam bërë shumë pishman. Motra ime nuk e meritonte një ndëshkim të tillë”, është shprehur Mirash Miza për grupin hetimor. Mësohet se në momentin e prangosjes, Mizës i është bërë testi i alkoolit, pasi pjesëtarë të familjes janë shprehur se prej disa ditësh ai konsumonte raki në shtëpi dhe në fshat. Ndërkohë, familja dhe të afërmit i kanë dhënë dje lamtumirën 27-vjeçares Shqipe Miza. Autoritetet policore të Matit thanë se është bërë e udhës që autorët e krimeve të tilla kaq të rënda, disa orë pas kryerjes së tyre, pendohen. Edhe Mirash Miza ka treguar se pak minuta pas ngjarjes është hedhur në liqenin e Shkopetit dhe ka dashur të vetëmbytet, por ai është penduar dhe është fshehur në pyll, aty ku u gjet nga Policia e Burrelit. Arrestimi i tij u bë disa orë më vonë nga ngjarja, ndërsa armën e krimit ai e hodhi në oborr menjëherë pasi qëlloi për vdekje të motrën.

Emigranti
Një javë para se të qëllonte për vdekje të motrën, 38-vjeçari Mirash Miza ishte kthyer nga Greqia. Prej vitesh ai jetonte e punonte në shtetin fqinj. Ashtu si dhe e motra 27-vjeçare, ai ishte i pamartuar. Kushtet e familjes Miza ishin të vështira, madje një prej djemve të familjes kishte mbetur invalid pas një aksidenti në Greqi vite më parë.

BURREL/ HASAN PASHA

© Panorama.al

Te lidhura