“Monumentet, projekti i dhënies me qira, një skandal”

Feb 28, 2012 | 12:58

Kalaja e Porto Palermos në Himarë, e cila mendohet të jepet me qira

Forumi për Trashëgiminë, para Komisionit të Medias

Specialistët: S’mund të trajtohen njësoj si repartet ushtarake që shteti i jep me qira

Rezistenca ndaj një projekti të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, për dhënien me koncesion të monumenteve të kulturës, e ka kaluar tashmë cakun e reagimeve mediatike. Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore zhvilloi dje një seancë dëgjimore në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik. Specialistë të fushës, por edhe aktivistë të shoqërisë civile si Gjerak Karaiskaj, Mustafa Muçi, Artan Lame, Iris Pojani e Lorenc Bejko, kanë ofruar dje pranë anëtarëve të këtij komisioni argumentet e tyre, se përse ata janë kundër idesë së hedhur nga MTKRS dhe Instituti i Monumenteve disa muaj më parë. Ata gjithashtu u përgjigjën edhe pyetjeve të drejtuara nga Gerti Bogdani, Valentina Leskaj apo Fatmir Toçi, mbi zgjidhjet alternative për t’i bërë të vizitueshme dhe të shfrytëzueshme monumentet e kulturës. Ndonëse bëhet fjalë vetëm për një projekt, i cili nuk ka marrë forma ligjore, përfaqësuesit e këtij forumi kanë dashur t’i dalin së keqes para. Sipas Iris Pojanit, specialistët duhet të reagojnë kur bëhet fjalë për hartime ligjesh, por të kujdesen edhe për zbatimin e tyre. Në rastin konkret, ky vendim e shkel ligjin aktual. “Në vitin 2005, Asambleja e Këshillit të Europës është mbledhur dhe ka emetuar rekomandime të qarta për këtë çështje, të shqetësuar nga ajo që kishte ndodhur në Itali e gjetkë. Janë rekomandime të qarta, për t’u larguar nga këta shembuj të kontrollit të objekteve të kulturës tërësisht nga subjekte private. Dhe qeveria shqiptare është bërë palë e këtyre rekomandimeve të Asamblesë së KE-së në vitin 2005. Nuk e kuptoj se si në vitin 2012 vijnë këto propozime absurde për një çështje, e cila është cilësuar e mbyllur nga  qeveria shqiptare”. Për përfaqësuesin e Forumit, Artan Lame, “jemi përballë një skandali. Ministria e Kulturës nuk ka ndër mend të ndërmarrë një nismë ligjore për këtë çështje dhe as të ndërhyjë në ligjin “Për trashëgiminë kulturore”, pasi sipas saj ka një ligj që rregullon dhënien me qira të objekteve. Por pikërisht këtu është çmenduria, që monumentet nuk mund të trajtohen njësoj si repartet ushtarake dhe magazinat që shteti i jep me qira”.
Afatet
Sipas idesë së hedhur nga MTKRS dhe IMK mbi “rijetësimin” e monumenteve, ato do t’u jepen me koncesion apo me “qira” subjekteve private për një afat kohor prej 20-30 vjetësh, çka sipas specialistëve të monumenteve është kundërshtuar njëzëri. Sipas tyre, kjo është një periudhë shumë e gjatë. Duke sjellë edhe eksperienca të vendeve të tjera, që edhe ato në shumë raste kanë dështuar, ata u shprehën se: “Edhe kur jepen me qira, fillimisht jepen për afate të shkurtra 2-5 vjet, pas kësaj për 5-10 vjet, e kështu me radhë. Kjo bëhet për të parë sjelljen dhe seriozitetin e investitorit”. Sipas Lorenc Bejkos, edhe nëse kjo ndodh, as që bëhet fjalë për të dhënë me qira monumente me rendësi kombëtare, por objekte të rëndësisë relative apo rajonale. Ai vuri theksin në mungesën e mekanizmave që do të monitoronin veprimtarinë e subjekteve private në monumentet përkatëse. “Institucionet shtetërore nuk kontrollojnë dot ndërhyrjet e subjekteve private, çka do të thotë se monumentet janë drejt shkatërrimit të sigurt”, tha Bejko para komisionit. Momentalisht, MTKRS është duke hartuar një listë prej 30 apo 35 monumentesh, të cilat sipas specialistëve janë të një rëndësie të veçantë. “Nëse shohim që një tender për një rrugë apo për një urë nuk zbatohet siç duhet, zgjedhim të prishim kontratën e të bëjmë një tender tjetër për ta bërë atë siç duhet, humbasim vetëm para. Në rastin e monumenteve mund ta prishim kontratën, mund t’i çojmë këta njerëz edhe në burg, por nuk do fitojmë asgjë, sepse trashëgiminë e degraduar nuk mund ta kthejmë pas. Çfarë zhbëhet, nuk kthehet më pas”, tha Lame.
Rijetësimi
Ndërsa MTKRS e mbështet nismën e vet me qëllimin e “rijetësimit” të monumenteve, për t’i bërë ato të vizitueshme nga turistët, përfaqësuesit e Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore shprehen se “në parim nuk jemi kundër rijetësimit të monumenteve, por eksperienca e derisotme nuk është aspak premtuese. Në kushtet kur shteti e ka humbur betejën për kontrollin e territorit dhe ngado ndërtohet pa kontroll, është absurde që ky proces të shtrihet edhe në monumentet e kulturës. Fillimisht shteti duhet të pranojë që ka dështuar me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, që në fakt është edhe një nga funksionet bazë të shtetit të përmendura edhe në Kushtetutë”. Sipas tyre, përpara se të japin monumente të tjera me qira, duhen korrigjuar gabimet e bëra deri më tani në ato monumente, ku tashmë është “eksperimentuar” një nismë e tillë. Specialistët i druhen përsëritjes së të njëjtës situatë që u ndesh në disa monumente, si Kalaja e Petrelës apo ajo e Lëkurësit në Sarandë, për të cilat janë zhvilluar debate të gjata vite më parë, por edhe në raste të tjera, të shpërndara në gjithë Shqipërinë, si Shkodër, Durrës, Elbasan, Krujë, Lezhë, ku të gjitha ndërtimet e ndërmarra kanë pasur si destinacion vetëm restorantet dhe baret.

Lista
Në listën e monumenteve që do të përfshihen në procesin e “rijetësimit”, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sporteve mendon të përfshijë rreth 30 apo 35 objekte. Në një intervistë të dhënë për “Panoramën” pak kohë më parë, këshilltari i Ministrit Aldo  Bumçi të MTKRS-së, Enton Derraj, u shpreh se po punohet me shumë kujdes në hartimin e kritereve për secilin objekt e, po kështu edhe në përzgjedhjen e subjekteve private. Ndërsa ende nuk është bërë e njohur kjo listë zyrtare, flitet se ndër objektet që do të jepen me qira, janë Kështjella e Porto Palermos, një kullë tjetër në Kalanë e Elbasanit, Kalaja e Bashtovës, Hamamet e Durrësit etj.

Monumente të dhëna me qira
.    Kalaja e Shkodrës – restorant
.    Kalaja e Lezhës – restorant, motel etj.(projekt)
.    Kalaja e Krujës – restorante
.    Kalaja e Prezës – restorant
.    Kalaja e Ndroqit – restorant (projekt)
.    Kështjella e Petrelës – restorant
.    Kalaja e Durrësit – Torra – klub
.    Kalaja e Elbasanit – restorant
.    Kalaja e Tepelenës – klub
.    Kalaja e Lëkurësit – restorant

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura