“Miri i Xhikes”, ADN e Tufës “ndan” ekspertët në tre me një

Jul 21, 2011 | 9:52
LAVDERIM TUFA NE GJYQ

TIRANE – Në seancën e djeshme në ngarkim të Lavdërim Tufës, të akuzuar për vrasjen e Fatmir Ramës (Mirit të Xhikes) në vitin 2003, Gjykata e Tiranës ballafaqoi katër ekspertë. Bëhet fjalë për ekspertët që dhanë vlerësimin e tyre mbi përputhjen apo jo të njollave të gjakut të gjetura në vendngjarje me profilin gjenetik të Lavdërim Tufës. Nevoja për ballafaqim lindi për shkak se ekspertët dolën në dy konkluzione të ndryshme. Kështu, sipas prof.dr. Vahe Mokini, prof.as.dr. Grigor Zoraqi dhe Msc.Ervin Marku, mbetjet e ADN-së, të gjetura në një kapuç pranë vendit të ngjarjes, nuk përputhën me ADN-në e të akuzuarit Tufa. Në kundërshti me ta ishte ekspertja Msc.Ela Zaimi, sipas së cilës profili gjenetik i Tufës nuk mund të përjashtohej nga profili miks gjak-pështymë i gjetur në vendngjarje. Para gjykatës, tre ekspertët Zoraqi, Mokini dhe Marku pohuan se i qëndrojnë versionit të dhënë prej tyre. I pyetur se ku qëndronte ndryshimi mes dy konkluzioneve, prof.as.dr.Zoraqi tha se ekspertja Ela Zaimi nuk i ka dhënë përgjigje pyetjes, nëse profili i Lavdërim Tufës përputhet apo jo me individin dy në përzierjen mikse gjak-pështymë. “Në ekspertimin e saj, ekspertja thotë: Nuk mund të përjashtojmë praninë e aleleve të profilit të Lavdërim Tufës në përzierjen gjak-pështymë, që është i njëjtë me përfundimin që ka thënë eksperti italian Renato Bjondo. Së dyti, nga ana e ekspertes Zaimi, nuk është interpretuar përputhshmëria mbi 90 për qind që ka bërë Renato Bjondo”. Nga ana e saj, ekspertja Zaimi mbështeti konkluzionin e thënë më parë prej saj. Në lidhje me interpretimin e probabilitetit të përputhshmërisë, ajo pohoi se nuk mund të përgjigjej, pasi nuk kishte kryer trajnime specifike në lidhje me këtë fushë. Në përfundim, gjykata shtyu seancën për t’u dhënë kohë palëve të njihen me akt-ekspertimin e ekspertes. ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura