
Bllokohet verifikimi i pikturave të sekuestruara në banesën e ish-përgjegjësit të fondit të pikturave në Korçë, Sotiraq Xega. Njohja e piktorëve korçarë me Xegën, si dhe fakti që ashtu si dhe i madhi Vangjush Mio, ai punon shumë në peizazh, ka lënë pezull misterin nëse mes 1 mijë veprave të gjetura ka ndonjë prej 61 punimeve të zhdukura. Burime nga grupi hetimor i ngritur për skandalin e pikturave në Korçë, i bërë publik katër ditë më parë, thanë se verifikimi i pikturave ka dështuar për shkak se edhe Sotiraq Xega është një piktor i peizazhit, ashtu sikundër Mio, gjë e cila e vështirëson përcaktimin e tablove. Një grup ekspertësh, me njohuri teknike, kanë nisur paraditen e së enjtes verifikimin për të përcaktuar autorësinë e plot 1000 veprave të gjetura në ambientet e shtëpisë së piktorit Sotiraq Xega. Gjatë natës ato janë transportuar në ambientet e Prokurorisë në cilësinë e provës, por rreth mesditës puna është ndërprerë pasi ata nuk kanë mundur të bëjnë diferencimin për veprat e artit. Ka qenë një numër i vogël i pikturave të Xegës, të cilat janë diferencuar për shkak se janë punime në miniaturë, ndërsa sipas të dhënave të Policisë, pritet që ato të rikthehen edhe njëherë për t’u verifikuar nga ekspertët e rinj. Burime të Policisë thanë se do të jenë dy ekspertë nga rrethi i Pogradecit ata të cilët do të përcaktojnë se kush është autori i pikturave, të cilat janë gjetur nga Policia një ditë më parë në shtëpinë e ish-administratorit. Shkak ndër të tjera duket se është edhe fakti se ekspertët duhet të jenë të balancuar për të mos pasur lidhje miqësore apo njohje me Xegën apo personat e përfshirë në këtë histori, të cilat do të çekuilibronin hetimin duke i dhënë atij njëanshmëri.
Pas kontrollit në shtëpinë e ish-administratorit ku u gjetën rreth 1000 piktura, policia ka ushtruar edhe disa kontrolle të tjera në banesën e administratorit të ri, i cili ka marrë në dorëzim fondin e galerisë. Por, në banesën e tij nuk është gjetur asnjë pikturë që të dyshohet si e vjedhur. E njëjta situatë ka ndodhur edhe në banesën e Vladimir Topit, drejtorit të qendrës kulturore “Vangjush Mio”, ku policia mëngjesin e djeshëm ka ushtruar një kontroll të imtësishëm, por nuk ka gjetur edhe në këtë banesë gjurmë të pikturave me vlera autentike. Kontrollet kanë vijuar më tej edhe me lokale e biznese të ndryshme të qytetit, pasi mendohet se ato mund të jenë tregtuar për t’u pasqyruar në muret e tyre. Sipas Policisë, vëmendja është përqendruar te disa nga lokalet më luksoze të qytetit, por edhe jashtë tij, sepse piktura të tilla shpesh ekspozohen në këto lloj biznesesh. Zhdukja e veprave të fondit të Galerisë së Arteve Figurative në Korçë u bë publike katër ditë më parë nga drejtori i qendrës kulturore. Vladimir Topi ka denoncuar që në fillim ish-përgjegjësin e këtij fondi, Sotiraq Xegën, duke e cilësuar fajtor për humbjen e 61 punimeve me vlerë, mes të cilave 27 i përkasin Vangjush Mios dhe një tjetër Sali Shijakut.

Interpoli
Ndryshe nga rastet e vjedhjeve të veprave botërore, ku kërkimet përfshijnë edhe Interpolin, këto 61 tablo të zhdukura prej kohësh nuk janë shpallur në kërkim ndërkombëtar. Kjo pengesë ndodh për shkak se ato nuk kanë një numër serie, por edhe për faktin se do të ishte i vështirë identifikimi pasi janë kryesisht peizazhe dhe nuk përbëjnë një subjekt specifik.
Prefekti: Dhuratë e shëmtuar për100-vjetor
Prefekti i Korçës, Andrea Mano, ka reaguar dje në lidhje me skandalin e këtyre pikturave, vjedhja e të cilave sipas tij shënon një akt të pastër korruptiv. “Jemi të shokuar të gjithë. Mungesa e veprave të artit në galeri nuk justifikon asnjë deklaratë të Bashkisë. Kjo vjedhje erdhi si një dhuratë e shëmtuar për Korçën në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë. Stimuloj Prokurorinë të mos zvarrisë hetimet dhe të nxjerrë të vërtetën sa më shpejt,ndërsa kërkoj gjithashtu që edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit të marrë pjesë në këto hetime për të zbardhur të vërtetën dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë”, tha prefekti Mano.
KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI
© Panorama.al











