“Mesi nuk na dha shans as ta pengonim”

Jun 24, 2011 | 11:26
Argjentinë - Shqipëri 4-0

Argjentina ka mbetur pas, si një kujtim i mbushur me aromën e tangos dhe të futbollit të madh të këtij vendi.Por, natyrisht dhe të një ndeshjeje që shqiptarët e Kombëtares do kishin dëshiruar ta luanin edhe më bukur. Endri Vrapi, Renato Arapi, Gjergj Muzaka, Igli Allmuça, por dhe Ditmar Bici (nuk u aktivizua) ishin pjesë e grumbullimit të radhës të Josip Kuzhes. Atmosfera mes yjeve argjentinas duket se i mban ende mbërthyer lojtarët e Skënderbeut, madje kanë në memorien e tyre disa çaste që do donin të mos i harronin asnjëherë. Gjithkush që luan futboll sot, e dëshiron një përballje përkrah Lionel Messit. Teksa Vrapi ka pasur mundësinë të luajë me shumë yje të botës, si rrjedhojë e aktivizimit në Kombëtare, ndryshe mund të flitet për Arapin, i cili nuk e kishte menduar se do të thirrej në Kombëtare e, për më tepër të luante si kundërshtar me Mesin. Në një bisedë për “Panorama Sport”, mbrojtësit Vrapi dhe Arapi rrëfejnë emocionet e përballjes kundër çelestëve, ndërkohë që Muzaka preferon t’i mbajë për vete. Mesfushori kërkon të mos flasë për këtë udhëtim, pa e treguar arsyen e heshtjes. Nga ana tjetër, Allmuça dje nuk ka arritur të kthehej në Korçë.
Vrapi
Ronaldo, Ronaldinjo, Kaka dhe së fundmi Mesi. Mbrojtësi Endri Vrapi ka realizuar ëndrrën e tij, teksa është përballur me tri yjet e futbollit botëror. “Për mua nuk ishte hera e parë që luaja me lojtarë të këtij niveli. Në ndeshjen me Kombëtaren në Portugali apo miqësoret me Realin dhe Milanin, kam përjetuar emocione të mëdha. I vetmi nga më të mirët në botë që më kishte mbetur ishte Mesi. Natyrisht që ishte një ndeshje ku kishim shumë emocione. Ajo që vihej re ishte toleranca në fushë nga të dyja ekipet, edhe për faktin se ishte një miqësore”,- nis rrëfimin e tij Vrapi. Por, lojtari ka sjellë në shtëpinë e tij në Tiranë edhe fanellën e sulmuesit Laveci, autorit të golit të parë. Megjithatë, gjithçka lidhet me Mesin dhe ndonjë shkëmbim fjale gjatë lojës. Kur pyetet për këtë, Vrapi tregon: “Nuk kam pasur rast të shkëmbeja ndonjë fjalë apo batutë në fushë me Leon, për më tepër që nuk e njihte askush gjuhën e tyre. Gjithsesi, ky është një kujtim i veçantë për mua, por jo vetëm, pasi nuk mund t’i ndodhë shpesh në karrierë një futbollisti.”
Arapi
Është i rrethuar me shumë ndjesi dhe përjetime që të jep një dyluftim me më të mirin e botës. Madje, një nga ato dyluftime, ku lojtari i Skënderbeut ka guxuar t’i marrë lojtarit më të mirë në botë. Lionel Mesi nuk është tërhequr, paçka se Renato Arapi ka ëndërruar të ndalë yllin argjentinas. Lojtari durrsak i Skënderbeut u aktivizua në 10 minutat e fundit, teksa mbeti i magjepsur nga udhëtimi me Kombëtaren, aq sa tani kërkon dhe të tjera sfida me të. “Pata pak kohë në dispozicion të kontribuoj në këtë miqësore, por u përpoqa të bëja më të mirën. Sapo hyra në lojë, m’u dha mundësia të isha në një duel me Mesin. Isha duke u përpjekur t’i rrëmbeja topin. U shtriva me sparkatë, por nuk e ndala dot. Është më i miri në botë dhe unë jam krenar që luajta pak minuta kundër tij dhe për më tepër përfaqësova Shqipërinë”, ka treguar Arapi për gazetën. Sigurisht, një fanellë argjentinase e ka marrë si kujtim edhe lojtari i Skënderbeut. Arapi ka sjellë në Shqipëri atë me numrin 4 të Burdisos, ish-mbrojtësit të Interit, që aktualisht është pjesë e Romës në Serinë A. “Nuk është se patëm shumë kohë për të shkëmbyer ndonjë bisedë të rastit me lojtarët. Personalisht mora fanellën e Burdisos, meqë ai është mbrojtës dhe ngaqë unë luaj gjithashtu në këtë rol. Ndërkohë, pas ndeshjes kemi shijuar gatimin tradicional të Argjentinës dhe shumë momente të bukura, në një eksperiencë gati-gati të pazakontë,”- përfundon mbrojtësi i kampionëve në fuqi.

80 minuta
u aktivizua mbrojtësi i Skënderbeut, Endri Vrapi, në miqësoren midis Argjentinës dhe Shqipërisë. Si për koincidencë, lojtarin e zëvendësoi në minutën e 80-të shoku i tij i skuadrës, Renato Arapi.

© Panorama.al

Te lidhura