“Media dhe politika”, ekspertët analizë realitetit shqiptar

Feb 25, 2012 | 13:44

Raporti mes medias dhe politikës, një nga çështjet më të diskutuara nga publiku shqiptar pas viteve ’90, ishte kryetema e konferencës studentore “Media dhe politika”, e organizuar nga Departamenti i Shkencave të Komunikimit pranë universitetit “Hëna e Plotë” (BEDËR). Në sesionin e hapjes së konferencës ishin të pranishëm personalitete të rëndësishme nga fusha akademike, politike dhe përfaqësues të medias, të cilët vlerësuan punimet e kësaj konference si një hap pozitiv në formimin akademik të studentëve dhe diskutimin e temave të tilla në një tjetër nivel. Punimet e konferencës i përshëndetën rektori i Universitetit Politeknik, Jorgaq Kaçani, rektori i Universitetit Europian të Tiranës, Tonin Gjuraj, sekretari i parë dhe shef i Sektorit Politik në Delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë, Clive Rumbold, dhe gazetari Blendi Fevziu. Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave të Komunikimit, Ramadan Çipuri, kryetari i kësaj konference, vuri theksin në rëndësinë që kanë studimet në fushën e medias dhe të politikës. Ndërkohë, rektori i universitetit “Hëna e Plotë” (BEDËR), Ferdinand Gjana, tha se konferenca me temë “Media dhe politika” merr vlera të veçanta në kushtet e shoqërisë shqiptare, ku media është një përcjellës i fuqishëm i informacionit. Kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Valentina Leskaj, tha se diskutimi i raporteve mes medias dhe politikës në një konferencë studentore ka një rëndësi të veçantë. Në sesionin e hapjes së konferencës, gazetarit dhe analistit të njohur, Blendi Fevziu, iu dorëzua çmimi “Gazetari i vitit”, me motivacionin si gazetari më i suksesshëm i vitit 2011. Çmimi iu dha pas një anketimi të organizuar nga studentët e Departamentit të Shkencave të Komunikimit me studentët në rang universiteti, ku Fevziu rezultoi gazetari më i votuar. Ndërsa falënderoi studentët për çmimin e akorduar, Fevziu tha se ndryshe nga vlerësimet e tjera që i janë bërë karrierës së tij si gazetar, ky çmim ka një tjetër vlerë, për faktin se jepet nga studentët. “Më lejoni t’ju falënderoj për këtë vlerësim, pasi çmimi merr më shumë vlerë kur vjen nga studentët. Dua ta ndaj me ju një konstatim që kam nxjerrë nga vizitat e mia në këto tre muajt e fundit, qoftë për promovimin e librit, por edhe raste të tjera. Kam ngelur i impresionuar nga niveli i lartë i studentëve”, u shpreh ai. Duke përfituar nga rasti, ai u ndal dhe te çështja e konferencës.

© Panorama.al

Te lidhura