
Tiranë, kapet autori, konflikti mes policëve që ishin komshinj në një pallat.
Kombinat, Gerti Domi qëllon tri herë Bashkim Meminë
Një oficer i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Tiranës u qëllua për vdekje me dy plumba nga kolegu dhe fqinji i tij, efektiv i Policisë së objekteve. Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme në sy të dhjetëra kalimtarëve, në qendër të lagjes Kombinat në Kryeqytet. Krimi ndodhi në zonën ku banonin dy punonjësit e Policisë që u përfshinë në konflikt të ashpër mes tyre. Sipas Policisë, ngjarja nuk ka lidhje me detyrën e policëve, por gjithçka ka ndodhur pas një konflikti personal që ata kanë pasur me njëri-tjetrin, për motive xhelozie. Viktima e vrasjes është 41-vjeçari Bashkim Memia, i cili është goditur me një plumb në kokë dhe një në gjoks, nga polici i Objekteve në Komisariatin Nr.3, Gerti Domi, 40 vjeç. Sipas dëshmive të disa punonjësve të Policisë, autori ka tentuar të vrasë edhe veten, menjëherë pasi ka qëlluar kolegun, por një polic i ka hequr armën nga dora. Burime nga Policia e kryeqytetit thanë se efektivi i FNSH-së, Bashkim Memia, ka shkuar i plagosur rëndë në Spitalin Ushtarak, por nuk ka arritur të mbijetojë për shkak të plagëve të marra. Menjëherë pas ngjarjes është bërë i mundur arrestimi i autorit të dyshuar të ngjarjes, punonjësit të Policisë Gerti Domi, i cili mësohet se e ka pranuar autorësinë e ngjarjes. I arrestuari ka shpjeguar për grupin hetimor edhe arsyet që e “detyruan” të kryente vrasjen, pasi sipas tij, ishte xheloz për bashkëshorten dhe kolegun. Policia e Tiranës tha dje zyrtarisht se Gerti Domi u arrestua në flagrancë me akuzën e “vrasjes me dashje”.
NGJARJA
Rreth orës 12:50 të ditës së djeshme, dy punonjësit e Policisë, Bashkim Memia dhe Gerti Domi, janë përballur në qendër të Kombinatit, në Tiranë, në kohën kur po ktheheshin në shtëpi, pasi kishin lënë shërbimin. Pavarësisht se jetonin në të njëjtin pallat, pranë Komisariatit Nr.6, dy kolegët prej disa kohësh nuk ishin takuar dhe nuk flisnin me njëri-tjetrin. Përballja në rrugë ka rezultuar fatale për oficerin e FNSH-së së Tiranës, Bashkim Memia. Një konflikt personal që ai kishte me kolegun Gerti Domi ka detyruar këtë të fundit që të nxjerrë armën e punës nga brezi dhe ka qëlluar 3 herë në drejtim të Memisë. Në momentin kur ndodhi ngjarja, pranë tyre ishin edhe dhjetëra persona të tjerë, kalimtarë të rastit, por edhe punonjës policie. Sipas dëshmitarëve të pyetur nga grupi hetimor, Domi ka qëlluar me pistoletë 41-vjeçarin Memia dhe në një moment ka kthyer armën drejt vetes, por një punonjës policie ia ka hequr nga dora. Ai është arrestuar në flagrancë dhe është transportuar nga grupi i gatshëm i Komisariatit Nr.6, për në qelitë e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Ndërsa Memia, i plagosur me një plumb në kokë e një në gjoks, është nisur me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak, por aty ka ndërruar jetë.
HETIMI
Gjatë deklarimeve paraprake në polici, i dyshuari si autor i ngjarjes, Gerti Domi, ka pranuar autorësinë e ngjarjes, gjatë marrjes në pyetje nga oficerët e grupit hetimor. Sipas burimeve nga Policia mësohet se Domi ka shfaqur pendesë për krimin e kryer, por ka deklaruar se gjithçka e ka kryer me dashje, pasi me kolegun, që e kishte edhe fqinj në pallat, kishte një konflikt gati 5-vjeçar për motive xhelozie. Të njëjtat burime thanë se Domi ka deklaruar se prej kohësh dyshonte për një lidhje jashtëmartesore, por situata ishte acaruar ditët e fundit, kur dyshimet e tij përfliteshin edhe nga persona të tjerë.
Reagimi, policia: Efektivat ishin jashtë detyrës
Policia e Tiranës deklaroi dje se në kohën kur ka ndodhur ngjarja në Kombinat, dy efektivat e saj kanë qenë jashtë orarit të detyrës. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.6, Tiranë morën njoftim se në Kombinat është plagosur me armë zjarri punonjësi i Policisë Bashkim Memia, 40 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë punonjës policie pranë Ndërhyrjes së Shpejtë”, thuhet në deklaratën e Policisë së kryeqytetit. Sipas saj, në vendngjarje grupi hetimor po kryen veprimet e para hetimore dhe procedurale. Policia tha se u organizuan shërbimet dhe në sajë të informacioneve të marra, u arrit të kapet autori i dyshuar, i cili është shtetasi Gerti Domi, 40 vjeç, me detyrë punonjës policie pranë Komisariatit të Objekteve Tiranë. Drejtoria e Policisë deklaroi se nga hetimet paraprake rezulton se konflikti midis dy punonjësve të Policisë të jetë për motive të dobëta, ndërsa ngjarja ka ndodhur jashtë orarit të shërbimit. “I plagosuri Bashkim Memia u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak Tiranë, ku si pasojë e plagëve të marra nuk mundi të jetonte”, thuhet në deklaratë. Sipas saj, në bashkëpunim me Prokurorinë, po merret masa e arrestit në flagrancë për autorin e dyshuar për konsumim të veprës penale të vrasjes me dashje. Prokuroria e Tiranës ka marrë drejtimin e hetimeve prej ditës së djeshme dhe po vazhdon me kryerjen e veprimeve procedurale. Sipas grupi hetimor, polici i objekteve ka pranuar akuzën dhe tashmë mbetet vetëm zbardhja e shkaqeve të ngjarjes.
Banorët e pallatit, të shokuar nga krimi
Ceremonia mortore për policin e vrarë, në Kamzë te të afërmit
TIRANE – Banorët e pallatit ku banonte polici i FNSH-së, Bashkim Memia, që u vra mesditën e djeshme në Kombinat, janë të shokuar nga ngjarja e papritur. Të gjithë flasin e komentojnë nën zë atë që ndodhi, por nuk preferojnë të japin asnjë koment për viktimën Bashkim Memia dhe as për autorin, Gerti Domi. Të dy ishin fqinjët e tyre, banorë prej vitesh në ndërtesën që njihet si “pallati i beqarëve”, pranë Komisariatit Nr.6 dhe me të dy familjet kishin marrëdhënie mjaft të mira. “Nuk ka njeri në shtëpinë e Bashkimit. Gruaja dhe dy fëmijët kanë shkuar në Kamzë, te të afërmit e tij. Me sa morëm vesh se edhe ceremonia mortore do të bëhet atje, se këtu nuk kanë bërë shpallje për varrimin”, thotë një prej fqinjëve të dy punonjësve të Policisë. Ndërsa ai tregon se në shtëpinë e policit të Objekteve, Gerti Domit, ndodhet e shoqja e dy fëmijët dhe herë pas here ka pasur vizita. “Aty është shumë qetësi. Nuk dëgjojmë asgjë dhe ende nuk kemi shkuar që t’i vizitojmë. Ajo që ndodhi ishte shumë e rëndë”, tregon shitësi i një prej dyqaneve ushqimore në katin e parë të pallatit. Në vendin ku ndodhi ngjarja e djeshme, policia ka shoqëruar dje që në orët e drekës një numër të konsiderueshëm personash. Ata janë marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen dhe kanë pohuar se para të shtënave me armë, mes dy efektivave të policisë ka pasur një debat të fortë verbal. Sipas të dhënave nga hetimi i ngjarjes, shtetasi Bashkim Memia, efektiv i FNSH, nuk ka pasur armë me vete në kohën kur është përballur me policin e Objekteve Gerti Domi.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











