“Më mirë lypim, sesa të punojmë në Sharrë”

May 14, 2012 | 12:52

Banesat e familjeve rome pranë landfildit të Sharrës

Reportazh: Me 13 familjet rome që jetojnë pranë landfildit të plehrave.

Romët i rikthehen rrugës: Na jepnin vetëm 800 lekë.

“Më mirë të lypim, sesa të na shfrytëzojnë çdo ditë te plehrat. Nuk na lënë as të hamë bukë. Punojmë 8 orë dhe marrim 800 lekë”.
Jemi në impiantin e pastrimit të plehrave të Tiranës, në Sharrë. Rreth 13 familje të komunitetit rom, prej disa javësh kanë vendosur të braktisin përfundimisht punën për t’iu rikthyer rrugës. Barakat ku jetojnë janë të vendosura përballë landfildit. Ajo që është vendosur e fundit dhe më lart se të tjerat, është veshur me slogane domethënës. Faqen ballore e ka të mbështjellë me plastmasë, nga ata që përdoren nëpër fushta. Në pjesën e sipërme lexohet “Ku është vota ime?”, më poshtë me të mëdha shkruhet “Shqipëria Europiane”. Ca me andej është një mal i madh me plehra që kontraston me atë çka lexon, por jo me atë çka sheh në Sharrë. Monda, një prej anëtarëve të komunitetit, u tregua e gatshme të na shoqëronte në shtëpinë e saj. “Shihe vetë si jetojmë. Më përpara punonim dhe fitonim 2000 mijë lekë në ditë. Tani na paguajnë 100 lekë ora. Kemi vendosur të mos shkojmë më te impianti, tani atje punojnë vetëm të bardhët”, thotë ajo. Kur e pyesim nëse fitojnë më shumë duke lypur, Monda na thotë se për ta është më mirë kështu. Nga pas kemi një tufë fëmijësh, një pjesë të parë semaforëve kryesorë në Tiranë. Bashkë me ta, teksa ngjisim kodrën përballë impiantit, na bashkohen edhe gra e burra që jetojnë të barakat. “Ne duam të punojmë, nuk është se nuk duam. Por edhe të tallen me djersën tonë nuk lëmë njeri”, na thotë një tjetër grua. Burrat qëndrojnë të heshtur. Përpiqemi të kuptojmë nëse për këtë komunitet është zgjedhje e trashëguar ndër breza të jetuarit në këto kushte, apo vërtet janë të harruar nga shteti.
Puna në landfild
Të gjitha familjet rome të vendosura pranë landfildit të plehrave në Sharrë, për vite me radhë kanë punuar aty. “Mblidhnim alumin dhe e shisnim. Punonim për vete. Fitonim, ushqeheshim. Tani me 800 lekë në ditë s’na del as të mbajmë fëmijët me bukë. Unë kam shtatë”, thotë Monda. Nga brenda kasollet kanë vetëm disa shtretër të sajuar, bidonë uji dhe ndonjë enë gatimi. Disa syresh, ndryshe nga sa shfaqen jashtë, janë të pastra dhe të sistemuara. Anëtarët e komunitetit tregojnë se punonjësit në landfild i kanë keqtrajtuar vazhdimisht. “Asnjë minutë pushim gjatë gjithë ditës. U kërkuam të na linin kohë sa të ushqeheshim të paktën, por na thanë po deshët rrini, po deshët ikni. Jetë është kjo? Pse vini ju këtu? Gjynah të na trajtojnë kështu, kur punojmë për një copë bukë për fëmijët”, gruaja që na flet është e acaruar. Madje na kërkon të largohemi. Duhet ndërhyrja e banorëve të tjerë për të zbutur disi situatën. Ata na sqarojnë se tani në impiantin e Sharrës punojnë rreth 15 persona. Kërkojnë nga shteti t’i ndihmojë. “Asnjë s’na ka ardhur të na japë ndonjë dorë. Vetëm ca shoqata ndonjëherë”, thonë ata. Më poshtë, banorë të tjerë të zonës na tregojnë se vërtet romët janë trajtuar jo mirë gjatë punës brenda impiantit. “As frymë nuk i linin të merrnin. Punonin pa pushim. Nuk kanë faj që ikën”, na thotë një prej banorëve.
Shqipëria Europiane
Roja tek dera e impiantit nuk di të japë ndonjë përgjigje më shumë. Tek ndërtesa e firmës që merret me përpunimin e mbetjeve gjithashtu në ditë pushimi, ishte e pamundur të gjeje ndokënd. Përballë landfildi duket se nuk është i keqorganizuar. Teksa zbresim kodrën, sytë na mbesin tek kasollja e vendosur në krye. Tek “Shqipëria Europiane”, përballë qëndron njëri nga dhjetëra fëmijët romë që është i detyruar të lypë çdo ditë rrugëve të Tiranës. Realiteti që preket aty, dëshmon qartë paradoksin e zgjedhjes (ndoshta nga padija, ndoshta nga pamundësia, ndoshta nga mungesa e një tjetër zgjidhje të ofruar) mes një pune të rëndë e të papaguar dhe përuljes për të kërkuar ca qindarka.

Romët në Kombinat
Një javë më parë  më parë 8 familje të tjera rome u strehuan në ish repartin ushtarak në zonën Kombinatit në Tiranë. Pas konfliktit me banorët të cilët nuk donin ti lejonin të vendoseshin në vendstrehimin e caktuar për ta nga ministria e punës, ata janë sistemuar aty dhe vijojnë të ruhen nga forcat e policisë. Tre muaj më parë, familjet rome ngritën për disa ditë çadra pranë institucionit të Avokatit të Popullit. Ata mbërritën aty pas djegies së strehimeve të tyre dhe në pamundësi për të gjetur vend tjetërkund.

Papunësia dhe diskriminimi
Papunësia dhe diskriminimi social e ka bërë komunitetin rom të jetë më i varfëri në Shqipëri. Në Tiranë komuniteti rom arrin në 25 mijë vetë. Rreth 45% e tij është e papunë. Ministria e punës sidomos pas tërheqjes së vëmendjes nga ndërkombëtarët vazhdimisht ka deklaruar se janë hartuar një sërë politikash për integrimin e këtij komuniteti. Por në praktikë duket se fare pak gjë ka ndryshuar,ndonëse fondet kapërcejnë shifrat e disa milionë eurove.

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura