Mbrojtje 24 orë për fëmijët që lypin e punojnë në rrugë. Pas identifikimit të çdo rasti abuziv me këtë kontingjent mjaft të rrezikuar, ministrat Spiro Ksera e Flamur Noka kanë firmosur urdhrin e përbashkët “Për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, të cilët janë të ekspozuar ndaj formave të abuzimit ndaj tyre”.
Me anë të tij, urdhërohen strukturat e Policisë së Shtetit dhe të shërbimit social shtetëror që të marrin në mbrojtje të menjëhershme çdo fëmijë që gjendet në situatë emergjente. “Urdhri parashikon që këto struktura të funksionojnë 24 orë në ditë dhe mbrojtja e fëmijëve të garantohet në çdo moment të ditës dhe të natës, menjëherë pas identifikimit të rastit abuziv”, bëri me dije Ministria e Punës.
Në të sanksionohet se çdo fëmijë në rrezik, pas tërheqjes në mënyrë të menjëhershme nga rruga dhe strehimit të tij në një qendër publike sociale për fëmijë, duhet të referohet pranë njësive për mbrojtjen e fëmijës në Njësinë Vendore të vendbanimit apo Njësinë për të Drejtat e Fëmijëve në qark. Rast pas rasti, sipas vlerësimit të bërë, të referohen para organeve të drejtësisë për një vendimmarrje që garanton interesin më të lartë të fëmijës. Fëmijët e identifikuar në situatë rreziku, të strehuar në qendrat sociale publike, do të marrin trajtimin e nevojshëm dhe të domosdoshëm për ushqim, veshmbathje, fjetje, si dhe trajtim të specializuar psiko-social, deri në një vendim të strukturave të ngritura pranë njësive vendore ose, sipas rastit, të organeve të drejtësisë.
Kjo nismë e dy ministrive vjen në përputhje me programin e qeverisë dhe angazhimin e saj për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve.
Te rrezikuarit
Kategoritë e rrezikuara të fëmijëve janë përgjithësisht ata që shfrytëzohen për lypje, për punë të detyruar, që braktisin shkollën, që janë në rrezik trafikimi, që i nënshtrohen dhunës në marrëdhëniet familjare apo fëmijët e paregjistruar, duke kërkuar që këta fëmijë të referohen, asistohen dhe trajtohen nga njësitë për mbrojtjen e fëmijëve në çdo bashki dhe komunë, struktura këto që në zbatim të detyrimit ligjor duhen ngritur në të gjitha njësitë vendore.











