“Mandati i Ina Ramës përfundon në nëntor”

Sep 14, 2012 | 12:10
Halimi dhe Cefa, dje gjatë nënshkrimit

TIRANE – Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, tha dje se “askush nuk mund të dalë mbi Kushtetutën”, teksa u pyet mbi kohën e përfundimit të mandatit të prokurorit të Përgjithshëm. Deklarata e ministrit ishte në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve në ceremoninë e nënshkrimit të një memorandumi bashkëpunimit midis Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Përmes deklaratës së tij, ministri Halimi konfirmoi në mënyrë indirekte qëndrimin e maxhorancës për përfundimin e mandatit të kryeprokurores Ina Rama në nëntor të këtij viti. Me herët, ministri Halimi dhe zv.kryetari i KLD, Elivs Çefa, nënshkruan memorandumin e bashkëpunimit institucional për shmangien e mbivendosjes së kompetencave në inspektimin gjyqësor. Qëllimi i këtij memorandumi është përmirësimi i procesit të monitorimit të sistemit gjyqësor. Në fjalën e tij, ministri Halimi pohoi rëndësinë e memorandumit. “Sistemi i Drejtësisë ka nevojë për paanësi dhe pavarësi, po aq sa dhe për rritjen e përgjegjshmërisë së gjyqtarëve përballë ligjit dhe Kushtetutës, po aq për rritjen e aksesit të publikut në Drejtësi, po aq dhe për rritjen e transparencës së gjithë procesit gjyqësor, në mënyrë që qytetarët të kthejnë besimin tyre te Drejtësia. Është shumë i rëndësishëm monitorimi i pushtetit gjyqësor, evidentimi i gjyqtarëve të aftë nga ata të paaftë”, u shpreh ministri. Sipas numrit një të Ministrisë së Drejtësisë, pas nënshkrimit të memorandumit, inspektoratet e dy institucioneve do të jenë më eficiente, asnjëri prej tyre nuk do fillojë inspektimin pa komunikuar me tjetrin, asnjë prej tyre nuk do t’i japë një rrugë një ankimi pa u konsultuar me tjetrin. “Ajo që është e rëndësishme, u shpreh ministri Halimi, është edhe mënyra e komunikimit mes tyre, pasi është tërësisht pa burokraci dhe letra, por nëpërmjet dy portaleve që ne kemi inauguruar në këtë sallë, komunikimi është në kohë reale. Vlerësime në lidhje me memorandumin e bashkëpunimit shprehu dhe nënkryetari i KLD-së, Elvis Çefa. Ai u shpreh se “ky memorandum e ngre në një shkallë të re bashkëpunimin ndërmjet dy inspektorateve”. Sipas tij, KLD synon të ndërtojë strategji të qarta që çojnë në përmirësimin e veprimtarisë së sistemit të Drejtësisë.

© Panorama.al

Te lidhura