“Mali i Zi, test për Francën e… veteranët”

Aug 10, 2011 | 14:21

Josip Kuzhe shpreson që të vazhdojë të qëndrojë në Shqipëri edhe për edicionin e ardhshëm, por thotë se ky është një vendim që duhet ta marrë Federata.Madje, fakti që nuk ka grumbulluar asnjë të ri, nuk ka të bëjë me kalkulime për kontratën e ardhshme, pra që t’i evitojë humbjet me të rinjtë dhe të bindë FSHF-në që t’i ofrojë një marrëveshje të re. “Jo, nëse unë nuk kam thirrur të rinj, këtë nuk e kam bërë për shkak se përpara kemi dy ndeshje të vështira me Francën dhe Luksemburgun dhe koha që të rinjtë të adoptohen brenda një periudhe kaq të shkurtër është e pamjaftueshme. Kjo është e vërtetë. Unë nuk po bëj asnjë kalkulim për kontratën time, më besoni”, ka thënë trajneri i Kombëtares shqiptare, dje në konferencën për shtyp. Më tej, ai ka thënë se do t’i kërkojë skuadrës që të jetë agresive dhe të luftojë për fitore ndaj Malit të Zi. “Ne duam të bëjmë paraqitje të mirë dhe të marrim maksimumin e mundshëm, por të rinjtë e kanë të vështirë që të përshtaten brenda një kohe shumë të shkurtër dhe ne nuk e kemi luksin që të rrezikojmë në këto sfida kaq delikate. Unë dua që ta përgatis sa më mirë skuadrën, me qëllim që t’ia dalim mbanë. Mendoj se rinovimi i Kombëtares mund të nisë pas këtyre dy ndeshjeve, ose pas këtij edicioni. Kjo varet nga rezultatet që do të marrim në shtator. Nëse arrijmë synimet tona, atëherë mund të luftojmë fort edhe në dy ndeshjet e tjera me të njëjtët lojtarë që ta mbyllim edicionin me sa më shumë pikë, në të kundërt në dy ndeshjet e fundit mund të ketë disa ndryshime”, ka vazhduar Kuzhe. Ndërkaq i pyetur për rinovimin e kontratës së tij ai ka pohuar se këtë gjë do ta diskutojë në muajt në vazhdim. “Po ju them se gjatë kësaj kohe nuk kam menduar fare për kontratën time dhe për bisedimet me FSHF-në. Kemi qenë shumë të ngarkuar me punë dhe sinqerisht po ju them se në zgjedhjet që kam bërë, nuk ka asnjë lidhje kontrata ime e ardhshme apo bisedimet me federatën. Vendimi për të vazhduar bashkëpunimin me mua i takon federatës. Ata do të analizojnë punën time dhe përkushtimin tim, dhe më pas do të vendosin. Kjo është e vërteta. Unë deri tani nuk kam diskutuar asnjëherë me ata për këtë gjë. Më duket pak e ashpër që disa njerëz e mendojnë edhe këtë: pra që zgjedhjet e mia ndikohen nga e ardhmja ime”, ka thënë Kuzhe. Shqipëria nuk do të ketë Skelën në këtë ndeshje dhe sipas teknikut kjo është një humbje e madhe për Kombëtaren shqiptare. “Nuk jam aspak i lumtur që mungon Skela. Ndonjëherë, ai duket sikur nuk bën ndonjë gjë të madhe në fushë, por më besoni se është krejt e kundërta. Unë i shoh dhe i analizoj ndeshjet më pas duke i parë në DVD dhe ai është patjetër lideri i mesfushës. Le të themi se është si një dirigjent orkestre dhe ka një peshë të madhe në ekip. Unë shpresoj që ta kem atë sa më shpejt në ekip, por shpresoj gjithashtu se lojtarët që do të luajnë në vend të tij, ta bëjnë siç duhet punën e tyre dhe të mos zhgënjejnë”, ka përfunduar Kuzhe.

Shqipëri-Mal i Zi

Sonte, ora 20:00
Stadiumi: Loro Boriçi
Formacionet e mundshme

Shqipëria: Ujkani, Dallku, Cana, Curri, Vangjeli, Bulku, Lala, Agolli, Bakaj, Bogdani, Salihi.
Trajner: Josip Kuzhe.

Mali i Zi: Bozoviç, Basha, Saviç, Jovanoviç, Fatiç, Novakoviç, Çetkoviç, Vukçeviç, Vuçiniç, Delibasiç, Jovetiç.
Trajner: Zllatko Krajnçar.

Malazezët duan fitore, luajnë me 3 sulmues
Përfaqësuesja e Malit të Zi kundër Shqipërisë do të aplikojë futboll ofensiv. Trajneri i Malit të Zi, Zlatko Kranjçar, ka bërë të ditur se në Shkodër do të startojë me tre sulmues, përkatësisht me sistemin 4-3-3. “Ndeshja në Shkodër është e rëndësishme. Me fitore do të krijonim atmosferë të mirë para tri ndeshjeve kualifikuese që na presin. Do të kërkoj nga lojtarët maksimumin, pasi rezultat negativ nga kjo ndeshje nuk na duhet”, ka thënë Kranjçar. Ai ka bërë të ditur se nuk mund të llogaritë në pesë lojtarë. “Përveç lojës së mirë që e presim, do të provojmë edhe sistemin e ri. Do të paraqitemi me sistemin 4-3-3, pasi këtë sistem tani me kthimin e Jovetiçit mund ta realizojmë”, ka thënë Kranjçar. Mali i Zi deri më tani kryesisht ka luajtur me sistemin 4-4-2. Përveç Stevan Jovetiçit, në sulm do të startojnë edhe Simon Vukçeviç e Mirko Vuçiniç. Sulmuesi kosovar Fatos Beqiraj pret t’i jepet rasti në pjesën e dytë.

© Panorama.al

Te lidhura