“Made in Albania”, në kërkim të një… vendi

May 30, 2012 | 13:21

Një djalosh italian niset drejt Shqipërisë për të gjetur motorin e tij të vjedhur, i bindur se ia ka grabitur ndonjë shqiptar. Por në vend të motorit ai gjen një vend, një kulturë, të cilin e njihte vetëm si vendi nga ku vijnë shqiptarët. “Made in Albania”, dokumentar i Stefania Casini-t, është një “road movie”, që tregon rrëmujën, kontrastet dhe vitalitetin e Shqipërisë së sotme, nëpërmjet syve të tre të rinjve. Bashkëprodhim i “Bizef Produksion” dhe “Era Film”, në bashkëpunim me Rai Cinema, dokumentari shfaqet sot në orën 19:00, pranë Kinema Imperial, nga Instituti Italian i Kulturës në Tiranë. Nxitja drejt këtij dokumentari ka qenë Vito, një 20-vjeçar nga Puglia, të cilit i vjedhin motorin. Ai mendon krejt natyrshëm që t’ia ketë vjedhur ndonjë shqiptar, dhe kështu merr udhëtimin për Durrës, i vendosur për të gjetur Ducati-n e tij shumë të shtrenjtë. Aty do të takohet me Rubinin, me origjinë nga Shqipëria e Jugut dhe Borën, me origjinë nga Veriu. Një takim që për Viton do të jetë zbulim i menjëhershëm: të brumosur me programet e televizorit italian, Rubini dhe Bora flasin një italishte sikur të ishin italianë. Dhe gjuha është surpriza e parë, shenja e parë që tregon një afrimitet si pjesë e historisë. Nga aty, hap pas hapi do të marrin trajtë edhe zbulime të tjera, duke filluar nga vendet që ai do të shohë gjatë udhëtimit. Vito do të kërkojë motorin e tij, së pari në Tiranë dhe më pas do të përshkojë vendin, deri në minierat e Bulqizës. Por edhe Bora e Rubini do të kenë për të bërë “kërkimet” e tyre: ajo, vajzë intelektualësh nga Tirana, do të bjerë në gjurmët e “virgjëreshave të betuara”; ai, muzikant i apasionuar, do të përshkojë Jugun në zbulim të riteve të malit Tomor. Tri vështrime, nëpërmjet të cilëve spektatori do të mund të krijojë një botë, ose pjesë të saj, duke hequr dorë nga stereotipat me të cilat është përballur shpesh. “Të flasësh për Shqipërinë, pas njëzet vitesh nga rënia e komunizmit, është me të vërtetë një sfidë e madhe, që kemi dashur ta përmbledhim dhe ta mbështesim e që sot arrijmë t’i prezantojmë publikut shqiptar këtë dokumentar të shkëlqyer. “Made in Albania” është një panoramë e gjerë, që hyn thellë deri në venat e Shqipërisë, duke u munduar të tregojë në mënyrë të thjeshtë aspektet kontradiktore, dhimbjet, sakrificat dhe vlerat e mëdha njerëzore dhe civile. Ftoj të gjithë, pra, që të shëtisim së bashku, për nëntëdhjetë minuta, përgjatë rrugëve të vendit tim (tonë)”, thotë bashkëproducentja Sabina Kodra. “Për atë që nuk njeh Shqipërinë, është një rast i vlefshëm për të zgjeruar pikëpamjen e tij mbi një vend sa të përmendur dhe të pranishëm në Itali, aq edhe pak të njohur. Për atë që njeh tashmë Shqipërinë, ose për atë që jeton këtu, është një moment gjithashtu i vlefshëm, për të zbuluar rrugëtime shpirtërore për të ndarë së bashku”, thotë drejtoresha e Institutit Italian të Kulturës, Fulvia Veneziani.

© Panorama.al

Te lidhura