Greva e nëpunësve të kompanisë së fluturimit, “Lufthansa”, ka shkaktuar anulimin e 294 fluturimeve në të gjithë botën vetëm gjatë ditës së martë. Prej tyre, 208 do të niseshin vetëm nga Frankfurti. Përveç këtij aeroporti, anulimi i fluturimeve ka shkaktuar probleme edhe në aeroportet e tjera gjermane, si ai i Berlinit. Fluturimet ishin kryesisht brenda Bashkimit Europian. Kompania gjermane e fluturimit kryen gati 1800 fluturime në ditë në nivel global dhe anulimet e djeshme kanë “prekur” edhe pasagjerë drejtuar për në Los Anxhelos, Tokio dhe Meksiko. Kompania ka mundësuar njoftime online, ku pasagjerët mund të kontrollojnë para se të nisen nëse avioni i tyre është në grevë apo jo, pa marrë rrugën për në aeroporte. Mes kompanisë dhe nëpunësve janë ndërprerë negociatat pas mosplotësimit të kërkesave të grevistëve, të cilët kërkojnë një rritje 5 për qind të pagës së tyre, duke refuzuar ofertën prej 3.5 për qind.











