
Përfshirje në kurrikula dhe programe shkollore të informacioneve për komunitetin “LGBT”. Trajnim të stafit akademik për të mos lejuar çdo formë diskriminimi, duke siguruar mbrojtje dhe disiplinë në institucionet arsimore. Këtë rekomandim ka bërë Avokati i Popullit në një letër dërguar ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj. “Duke ditur se lesbiket, homoseksualët, biseksualët dhe transeksualët vazhdojnë të jenë objekt homofobie, transfobie dhe formave të tjera të intolerancës e diskriminimit, nevojiten masa specifike për të siguruar gëzimin e plotë të të drejtave të njeriut për këtë kategori personash”, thuhet në shkresën dërguar nga Avokati i Popullit. Sipas tij, në përputhje edhe me rekomandimin e 11-të të BE-së “Për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, kërkohet angazhim. Kjo duhet të realizohet duke prodhuar dhe shpërndarë tekste për stafin arsimor, duke inkurajuar organizimin e fushatave shkollore, aktivitete kulturore kundër homofobisë me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve të këtij komuniteti”, rekomandon Avokati i Popullit. E gjithë kjo sipas tij, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit rreth çështjeve të diskriminimit për shkak të orientimit seksual ose identitetit gjinor ndërmjet stafit akademik, nxënësve, studentëve dhe prindërve. “Shtetet duhet të marrin masat e nevojshme për t’u siguruar që mësuesit kujdestarë dhe stafi akademik të jenë në gjendje të zbulojnë, të analizojnë, të përgjigjen në mënyrë efektive dhe të luftojnë çdo mënyrë diskriminimi për shkak të orientimit seksual apo identitetit gjinor”, thuhet në letrën e rekomandimit. Sipas saj, shkollat duhet ta trajtojnë çështjen e orientimit seksual dhe të identitetit gjinor në mënyrë të respektueshme dhe objektive në kurrikulat ose në orët e edukimit seksual dhe gjinor, dhe duhet të hartojnë programe fillestare dhe vazhduese trajnimi. Po kështu duhet të mbështetin dhe udhëzojnë mësuesit dhe të gjithë stafin arsimor për të trajtuar këto çështje në perspektivën e antidiskriminimit.
Kurrikulat
Sipas Avokatit të Popullit, metodat, kurrikulat dhe burimet arsimore duhet të shërbejnë për zgjerimin e të kuptuarit dhe respektimin e individëve të ndryshëm, pavarësisht nga orientimi i tyre seksual ose identiteti gjinor, duke përfshirë edhe nevojat e veçanta të nxënësve, studentëve prindërve dhe anëtarëve të tjerë të familjeve të tyre.
E drejta e arsimit
E drejta e arsimit shprehet në nenin 2 të protokollit të konventës europiane “Për të drejtat e fëmijës”. Komiteti i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve shprehet se të drejtat e njeriut të adoleshentëve duhet të promovohen në mënyrë që ata të gëzojnë standardet më të larta të mundshme shëndetësore. Si pasojë, shtetet duhet të garantojnë të drejtën e fëmijëve dhe të rinjve për arsimim në një mjedis të sigurt pa dhunë, fyerje, përjashtim social ose forma të tjera të diskriminimit.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











