“Lejet dhe licencat e Bashkisë, brenda shkurtit në një sportel”

Feb 3, 2012 | 12:15
Basha me kongresmenët në SHBA

Brenda këtij muaji nis funksionimi i sportelit unik, për lejet dhe licencat. Aktualisht, grupi i punës ka përfunduar përpilimin e listës së atyre lejeve dhe licencave që do të kalojnë me vetëdeklarim. Afati i marrjes së këtyre lejeve ose licencave nuk do të jetë më shumë se 45 ditë. “Nëse ky afat kalon, atëherë, s’do të zbatohet parimi ‘heshtja është miratim’. Ka një bashkëpunim shumë të mirë me komunitetin e biznesit, me të cilët ka një komunikim intensiv, të cilin do ta vazhdoj duke e konsoliduar më tej”, këtë deklaratë bëri kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha, gjatë takimit me drejtues të Fondacionit “Heritage” në SHBA. Ky institut është krijuar në vitin 1973 dhe ka për mision formulimin dhe promovimin e politikave konservatore publike, bazuar në parimet e sipërmarrjes së lirë. Drejtuesit e këtij misioni u interesuan kryesisht për politikat fiskale që do të ndjekë Bashkia e Tiranës, reduktimin e burokracive dhe lehtësirat që do u krijohen sipërmarrësve. Basha u bëri të ditur se një nga vendimet e para, të propozuara prej tij për t’u marrë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ishte pikërisht reduktimi i 60 taksave dhe tarifave vendore, nga 83 që ishin gjithsej. “Heqja e këtyre barrierave ka krijuar mjaft lehtësira për zhvillimin e biznesit në Tiranë, i cili gjeneron pjesën më të madhe të kapitaleve të vendit”, tha Basha. Ai shtoi se qëllimi i tij dhe i administratës së Bashkisë është ta bëjë Tiranën një qytet atraktiv për investitorët, dhe për këtë Basha u shpreh i hapur për të adaptuar praktikat më të mira që ekzistojnë.

“Për çdo projekt, konsulta me qytetarët”
Gjatë vizitës në SHBA, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, u prit në takime të veçanta nga Robert Benjamin (Instituti Demokratik Amerikan) dhe Thomas E. Garrett, zv.president i Institutit Ndërkombëtar Republikan. Në këto takime, zoti Basha ka vënë theksin te përpjekjet e tij për t’u kthyer Bashkinë qytetarëve të Tiranës dhe për ta nxjerrë nga konflikti politik.  “Që në javën e parë të marrjes së detyrës si kryebashkiak, Bashkia u hap dhe u vu në shërbim të qytetarëve. Çdo të premte, kryetari i Bashkisë pret qytetarët, sikundër dhe gjithë drejtorët e Bashkisë. Po kështu, letrat dhe e-mail-et  janë një mundësi komunikimi. Vetëm në 6 muaj, kanë mbërritur në Bashkinë e Tiranës 7 mijë letra nga qytetarët” – bëri ditur Basha.  Po kështu, kryetari i Bashkisë tha se asnjë projekt i rëndësishëm për qytetin nuk do të kalojë pa dëgjuar zërin e qytetarëve, madje ata do të përfshihen edhe në vendimmarrje.

© Panorama.al

Te lidhura