“Kushtetuta, jo statut partie”

Aug 11, 2011 | 13:33

Maxhoranca është e vendosur të mos ndryshojë Kushtetutën, për sa i përket zgjedhjes së Presidentit.Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, kryeministri Sali Berisha është shprehur se ligji themeltar i shtetit nuk është si statuti i një partie. Duke folur për heqjen e vizave, Kreu i qeverisë tha se Partia Socialiste duhet të shprehë pendesën e saj për tentativat e bëra për të penguar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe jo për ndryshimin e Kushtetutës. “Është e thjeshtë të shprehësh pendesë se ndryshove nenin për të zgjedhur këtë apo atë kre institucioni, paçka se i ke sjellë në standardet më optimale europiane dhe të mos shprehësh pendesë se u përpoqe të pengosh çdo qytetar, nënë, baba, motër, vëlla, bashkëshorte e bashkëshort të këtij vendi për të takuar njerëzit e tyre më të dashur, se bërë gjithçka për të mbajtur murin e Shengenit ndaj rinisë shqiptare. Pendesa duhet të fillojë nga kjo. Ndjesa duhet të fillojë nga kjo”, u shpreh Kryeministri. Sipas tij “Falja duhet të fillojë nga kjo dhe jo nga karrigia e këtij apo atij. Atëherë bëhesh i besueshëm, sepse tregon se ke dhembshuri e respekt për tjetrin, tregon se një gabim të rëndë që bëre, di ta korrigjosh, por jo të kërkosh paketë karrigesh e të mendosh se Kushtetuta është statut partie”. Kryeministri theksoi se qytetarëve nuk u intereson se me sa vota zgjidhen krerët e institucioneve. “Problemi është se 347 mijë shqiptarëve më shumë që kanë dalë këto gjashtë muaj, do ishte në dinjitetin e atyre që bënë gjithçka për t’i penguar t’u dërgonin një letër ndjese apo të bënin një ndjesë publike. Qytetarët nuk kanë asnjë preokupim se zgjidhet Presidenti me 5/6 apo 7/5. Qytetarët kanë preokupim që rregulli të ecë sipas Kushtetutës, preokupimi i tyre kryesor është rroga, pensioni, rruga, preokupimi më madhor është viza. Garantoj qytetarët se ne do të vazhdojmë t’i mbajmë ata në epiqendër, në piedestal të të gjithë përpjekjeve tona”. Në fillim të fjalës së tij në mbledhjen e kabinetit qeveritar, Berisha u ndal të numri i turistëve që kanë vizituar Shqipërinë në këtë periudhë. Sipas tij, nga 1 janari deri më 8 gusht 2011 kanë hyrë 411 972 shtetas të huaj më shumë, sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. “Kjo përbën një rritje të madhe dhe në shumë aspekte dëshmon se Shqipëria po bëhet gjithnjë e më shumë, magjia e turizmit. Nuk ndodh që ndonjë vend të shënojë një rritje vjetore turizmi kaq të madhe, siç po ndodh në Shqipëri. Vetëm në një ditë, në datën 5 gusht, në Shqipëri hynë 57 mijë turistë dhe vizitorë. Pra, vetëm në një ditë, në Shqipëri hynë më pak se 1/6 e të gjithë turistëve dhe vizitorëve që hynë gjatë vitit 2004, gjithsej 300 mijë”. Berisha tha më tej se në bregdet duhet të ketë një kombinim mes zonave rezidenciale dhe resorteve turistike, teksa shtoi se lejet për ndërtesat mbi tri kate duhet t’i japë vetëm Këshilli Qendror i Rregullimit të Territorit.

“Ekonomia shqiptare, stabël”

Duke iu referuar një renditjeje të bërë nga INSEAD mbi gjendjen e ekonomive në botë, kryeministri Berisha u shpreh se në Europë dy ekonomi janë cilësuar më të qëndrueshme: ekonomia gjermane dhe ajo shqiptare. “E para është gjithnjë, ekonomia dhe politika më e mirë është ajo që vendos ekonominë të parën, sepse ai është edhe interesi më jetik i qytetarëve. Një lajm tjetër shumë pozitiv vjen për ekonominë shqiptare. Sipas INSEAD, shkolla e biznesit të botës, dy janë ekonomitë më stabël në Europë. Nga ekonomitë e mëdha, është ekonomia kryesore e Europës, ajo gjermane. Ndër ekonomitë e vogla, është ekonomia shqiptare. Ky është rank-imi që iu bën shkolla e biznesit të botës ekonomive në Europë”, tha Berisha. Sipas tij, “modeli ynë ekonomik është modeli ynë i suksesit. Vështirësia është te gjyzlykët, sepse ka njerëz që të duket sikur kanë lindur me syze të errëta, nuk i heqin kurrë”.

Bushati: Topalli për Presidente

Pas deklaratës së Nard Ndokës se e majta mund të mbështesë Bamir Topin si kandidat për President, aleatët e PD-së propozojnë emrin e kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli. Aleanca Demokristiane e Shqipërisë, e cila më 8 maj ishte në krah të PD-së në Aleancën për Qytetarin dhe që drejtohet nga ish zv.ministri i Integrimit, Zef Bushati, tha se Topalli ka dëshmuar pjekuri politike dhe është një kandidaturë e denjë për këtë post. “Aleanca Demokristiane dhe të gjithë demokristianët e kudondodhur do të mbështesin fuqimisht nëpërmjet një lobingu intensiv kandidaturën e znj. Jozefina Topalli për Presidente të Republikës së Shqipërisë. Zonja Topalli është një kandidature e plotësuar, e cila ka demonstruar një pjekuri politike e diplomatike si një grua e fortë e me mjaft autoritet kombëtar e ndërkombëtar”. Në të njëjtën kohë, kjo parti kritikon Presidentin Topi, duke thënë se “Partia Aleanca Demokristiane konstaton se Bamir Topi, përkundrazi e në kundërshtim me funksionin, ka shprehur hapur bashkëpunimin me të majtët socialistë opozitarë, e cila kulmoi dhe me votën e hedhur prej tij për kryesocialistin Rama”.

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura