Të premten e kaluar, me një akt të mirëfilltë “kurbani politik”, u hoqën nga puna me dhjetëra punonjës të administratës së Bashkisë së Tiranës – pushim nga puna në grup. Me një urdhër të thjeshtë administrativo-politik, u hodh në lumë eksperienca e paguar dhe e ngritur nga taksat tona si qytetarë të kryeqytetit. Pa mbushur një muaj në detyrë, kryebashkiaku po fillon të duket si ekzekutor politik; ndonëse, në fakt, është më shumë peng i një vullneti politik të mbrapshtë që e kontrollon atë vetë. Kjo është sfida e tij e parë e pavarësisë, nëse nuk do të mbajë imazhin e të komanduarit nga lart në atë post.
Në vigjilje të fundjavës së një date që në vetvete shprehet për paqe dhe harmoni, ky atavizëm, sa i njohur dhe i pështirë hakmarrje elektorale, përmban një mesazh të shëmtuar dhe aspak qytetar. Ku shkuan premtimet elektorale për një administrim në krye të punëve; për një administrim jopolitik të kryeqytetit?
Është e qartë që ky është një akt i paramenduar politik për të paktën dy arsye që janë evidente për të gjithë qytetarët e Tiranës. Si fillim, vendimi u mor pa u mbushur as një muaj në detyrën e re të kryebashkiakut, ashtu siç u mor pa një analizë të mirëfilltë profesionale, duke gjykuar nga koha e paktë në dispozicion. Pa u ambientuar akoma me zyrat e institucionit më të madh të administrimit lokal në vend, byroja e kuadrit politik të maxhorancës nxori listën e parapërgatitur të grupeve armiqësore në Bashki për të pushuar nga puna.
Së dyti, pushimi ishte një ekzekutim në grup: pasi askush nuk u vlerësua në bazë të vlerave dhe kontributeve individuale në pozicionet përkatëse nga më të ndryshmet. Mbi gjashtëdhjetë qytetarë dhe familjarë të Tiranës u pushuan nga puna pa u marrë më parë në një vlerësim profesional dhe individual. Dënimet në masë janë një formë joefikase dhe aspak produktive për të rritur shërbimin, punën dhe cilësinë në Bashkinë e qytetit tonë. Në fakt, ato nuk kanë asnjë lidhje me administrimin e mirë të punëve, por të mbarojnë punë me administrimin respektiv të favoreve ndaj militantëve.
Gjithmonë e më shpesh kërkojmë brenda vetes përgjigjen e shpejtë, të nxituar…, por dhe të gabuar: “E dinim që kështu do të shkonte ky zëvendësim/spastrim politik. Kështu ka kohë që ndodh”. Ndërkohë nuk është pikërisht ky vendimi i lig ai që ne duam, presim dhe dëshirojmë që të vijë nga “i pari i qytetarëve”. Askush nuk do të donte që të zëvendësohen specialistët me militantë, as sot e as mot, kur të vijë rotacioni i politik i radhës.
Por, fatkeqësisht, kemi filluar dhe jemi bërë inert si shoqëri; të pandjeshëm ndaj vrasjeve e dhunës në familje, aksidenteve që marrin jetë njerëzish, grevës së urisë dhe thirrjeve për ndihmë njerëzore, tragjedive familjare që vijnë prej heqjes nga puna, papunësia masive, zjarreve në pyje e kullota etj. Ndërgjegjja jonë qytetare ka kohë që është e përgjumur; kryesisht kjo për faj të historisë sonë politike. Është kjo një ndërgjegje sociale që ashtu, në përgjumje, shumë shpejt po përqafohet dhe po e pranon të keqen.
Shpeshherë përgjigjen justifikuese dhe përligjëse të kurbaneve njerëzore të njëpasnjëshme në këto kohë, me shumë pak ndjenjë njerëzore, e kërkojmë dhe te presioni që mban personi i cili i merr vendimet. Me sy të parë mund të duket logjike, por në fakt nuk është as logjike dhe as e drejtë. Nuk ka asgjë qytetare dhe as të drejtë në pushime dhe ndëshkime në masë të familjarëve të këtij qyteti ku ne të gjithë jetojmë. Ndëshkime në grup që lënë familje pa rroga.
Nuk është fare logjike dhe as e drejtë që njeriu që është sot zot i punëve në kryeqytetin e Shqipërisë, ka rënë pre e vullnetit elektoral dhe politik më të ulët të një maxhorance që po zapton çdo ditë e më shumë çdo hapësirë jetike në ekonomi, në shoqëri, në biznes dhe në jetën tonë si njerëz. Në maj, para 3 muajsh, kandidati i maxhorancës premtoi se të parët janë qytetarët, dhe jo politika; premtoi se do të sillej si administrator, dhe jo si politikan; premtoi se do të punonte dhe nuk do të politizonte; premtoi se do t’i përgjigjej nevojës qytetare, dhe jo “thirrjes politike të të parëve”.
Kanë mbetur dhe 24 orë nga ankimimi i dorëzuar zyrtarisht nga punonjësit civilë të pushuar në administratën e Bashkisë së Tiranës. Kanë mbetur dhe 24 orë që ndoshta të mësojmë se në karrigen e Bashkisë nuk është ulur as një peng e as një kurban politik. Ka akoma shpresë që të ndalojë kjo sjellje mesjetare dhe ne të kemi prova se në krye të qytetit kemi një qytetar, vërtet të parin e qytetarëve të Tiranës. A do të gjejë kurajë në këto 24 orë që të rikthejë një urdhër politik dhe të padrejtë administratori i kryeqytetit? Dyshoj se do të ketë vullnetin, vendosmërinë dhe pavarësinë që të mos kthehet ai vetë në “kurbanin politik” në administrimin e Bashkisë.
*Këshilltar bashkiak i PS
© Panorama.al












