“Kulturat flasin”, dialog në ditën e diversitetit

Jun 1, 2011 | 9:56

Kur ka dialog, ka paqe. Në një situatë të trazuar politike, ata që japin këtë mesazh janë pikërisht komunitete fetare. Në Ditën Botërore të Diversitetit Kulturor, Forumi Shqiptar për Aleancën e Qytetërimeve (AFALC) në bashkërendim me Fondacionin Euro-Mesdhetar “Anna Lindh” organizoi në ambientet e Hotel Tirana International, një tryezë të rrumbullakët me temë “Kulturat flasin”. Kjo tryezë ishte pjesë e një zinxhiri veprimtarish mbi këtë temë, zhvilluar njëherësh në të gjitha vendet e pellgut të Mesdheut. Vendosur në kontekstin e shoqërisë sonë, organizatorët kishin zgjedhur moton: “Të gjithë shqiptarë: myslimanë, ortodoksë, katolikë, bektashinj, ungjillorë”. Veprimtarisë iu bashkëngjitën edhe përfaqësues të komunitetit rom. Bashkëbiseduesit në tryezë, në prani të një publiku po aq të larmishëm, shkëmbyen mendime dhe sollën përvoja nga mikromjediset kulturore prej nga vijnë, duke theksuar se ky diversitet përbën një pasuri shumë të çmuar për shoqërinë tonë. U përmend me këtë rast se në shumë vende mesdhetare, ku ka larmi zakonesh e traditash, ku ka stile të ndryshme të jetesës, miksim besimesh e kulturash, shfaqen shpeshherë vështirësi në bashkekzistencën e komuniteteve, për shkak të keqkuptimeve apo edhe të mosnjohjes së ndërsjellë. Ndërkohë, përvoja të tjera tregojnë se bashkëjetesa brenda diversitetit prodhon gjithashtu një energji shumë të madhe në shërbim të ndërtimit të prosperitetit të përbashkët. Shqipëria përben një shembull të mrekullueshëm të bashkëjetesës harmonike të të gjitha komuniteteve fetare. Sipas të pranishmëve, kjo bashkëjetesë u konsiderua si një trashëgimi e çmuar, e cila duhet mbështetur fort nga të gjitha forcat aktive të shoqërisë shqiptare.
Forumi Shqiptar për Aleancë të Qytetërimeve është themeluar për t’i shërbyer këtij qëllimi, si dhe për ta bërë sa më të njohur eksperiencën shqiptare, duke e bashkuar me ato botërore, në emër të dialogut mes komuniteteve me përkatësi të ndryshme fetare, etnike apo kulturore, si rruga më e mirë për të bashkuar përpjekjet që sjellin paqe dhe mirëqenie për të gjithë. Në përfundim të aktivitetit, të pranishmit vizituan dhe një ekspozitë me objekte tradicionale, gatime karakteristike, punime dore artistike te realizuara nga gratë e komuniteteve të ndryshme fetare, të organizuar në kuadër të projektit “Kulturat flasin”.

© Panorama.al

Te lidhura