‘Kthimi i bijve në krye të PS,vepër e Edvin Ramës’

Feb 20, 2012 | 13:36

TIRANË- Kreu i qeverisë Sali Berisha ka vazhduar sulmin ndaj kreut të opozitës, Edi Rama duke e quajtur atë përgjegjës “për mbledhjen e bijve në krye të PS”. Fjalën në mbledhjen e grupit kuvendor të PD-së, Berisha ia ka kushtuar ditës historike, 21 vjetorit që përmbysi në rrugët e Tiranës diktaturën më barbare të Evropës.

“Në 20 shkurt 1991, qytetarët e zemëruar të Tiranës u vërsulën drejt bllokut për shembjen e diktaturës, PD ia doli të përmbajë zemërimin e tyre në përputhje me platformën e saj të ndërrimeve paqësore. Por sot pas 21 vjetësh lagja është shndërruar në një nga lagjet e haresë së qytetit, kurse janë mbledhur përsëri bijtë e bllokut. Po historia duhet parë drejt e në sy, kjo nuk ndodhi pas vitit 92, e vërteta kjo është, ndonëse bijtë përgjegjës për etërit nuk i mbajmë, kjo nuk ndodhi as dhe ne vitin 2000. Ky rikthim i bijve në krye të PS përbën vepër të Edvin Ramës, kjo është e vërteta. I mblodhi ku ishin dhe ku s’ishin, madje i solli dhe nga emigracioni duke u premtuar majën që humbën etërit”- tha Berisha.

Ai akuzoi sërish opozitën dhe kreun e saj si përgjegjës për bllokimin me dy vite të procesit të integrimit të vendit në BE, duke i bërë apel të çlirohet nga mentaliteti dhe e shkuara.

© Panorama.al

Te lidhura