“Kronikat e Travnikut”, profecia fataliste e Andriçit

Aug 5, 2012 | 12:43

EDI LESI

Një qytet i vogël provincial e ka të pamundur të jetë interesant. Sidomos kur aty nuk ndodh asgjë e jashtëzakonshme. Ditët bëhen kapicë mbi njëra-tjetrën dhe çdo gjë përsëritet. E reja është e ndaluar rreptësisht. Por, nëse këtë grumbull lagjesh e merr në dorë Ivo Andriç, atëherë ky vend ku jetojnë njerëz, i zymtë dhe strehë e mërzitisë, shndërrohet dhe bëhet frymëzues.
I tillë është Travniku i Bosnjës. Kronikat e këtij qyteti e bëjnë këtë humbëtirë të duket kërthiza e botës. Periudha historike e ndih disi. Është ora e përplasjes së madhe në Europë. Napoleoni në ekspansion, Perandoria Osmane në përpjekje për të ruajtur kufijtë e shtrirë deri në Austri, dhe Rusia cariste në këmbë përballë këtyre sfidave.
Ato ishin sinorë që lëviznin me muaj, por Travniku gjendej diku aty ku këto vija ndarëse puqeshin. Në këtë qytet, ku shtynin ditët katolikë, myslimanë, ortodoksë dhe hebrenj, lëshonin hije politikat e mëdha.
Takohej Lindja me Perëndimin, dhe shpesh jo shumë miqësisht. Qytetaria me barbarinë, fisnikja me levantinen.
Ishte dhe koha e hapjes së tregjeve. Pambuku ngarkohej me karvanë në Lindje për të bërë uniformat ushtarake të Perëndimit. Lënda e parë për veshjet kalonte në Turqi, Greqi, Shqipëri, Bosnjë e më tej në Francë. Rrugës ka pengesa, prita, vjedhje. Me pambukun Andriç rreket të tregojë telat e tendosur të komunikimit mes Orientit dhe Oksidentit. Tregtia është kanali i vështirë ku kalon marrja dhe dhënia mes dy botëve.
Europa e përparuar ka këtu përfaqësuesit e saj që janë konsulli francez dhe ai austriak. Ndërsa Lindja është ulur te divani i vezirit, të dërguarit të Stambollit, i cili zëvendësohet shpesh e shpesh, sa herë në qendrën e Perandorisë ndodh një grusht shteti.
Travniku dhe Bosnja janë tokë nën kontrollin osman, dhe Europa e konsujve është e ftuar, mike që qëndron brenda mandatit.
“Në rrjedhën e shekujve populli është njëjtësuar aq shumë me shtypësit e tij, sa nuk ia ka vlejtur barra qiranë sikur një ditë prej ditësh turqit të ngrihen e të ikin, sepse përveç huqeve të rajasë, kanë për të lënë këtu dhe veset e veta; dembelizmin, intolerancën, frymën e dhunës dhe kultin e forcës së vrazhdë. Kjo në të vërtetë nuk është çlirim, ngaqë nuk do të jeni të denjë për lirinë”. Kjo është profecia e Andriçit për kombet që qëndruan me shekuj nën sundimin osman. Fatalist i pandreqshëm, apo parashikues i saktë?
Afërmendsh se një pjesë të mirë të kësaj që parasheh nobelisti boshnjak ne mund ta vërtetojmë çdo ditë në jetën tonë, sapo del nga shtëpia dhe përballesh me stresin urban, ku ti rravgon andej nga të çon trupi, dhe jo ku je nisur me mend të shkosh. Po t’i shtosh këtij korpusi zakonesh edhe ato që la komunizmi, atëherë merret me mend se sa e lodhshme bëhet përballja me lirinë.
Travniku i fillimit të viteve 1800 është shpesh i ngrirë ku asgjë nuk pipëtin, në pritje të korrierëve që çalltisin herë pas here me lajmet më të fundit. Ky qytet është, në fakt, punishtja e magjistarit Andriç ku ai thadron personazhet deri në pejzat më të holla dhe ku themelon prognozat e tij për këtë qytetërim në udhëkryq.
“Kronikat e Travnikut” ka forcën të qëndrojë në krye të rrjedhës së kohës dhe nuk fundoset me kalimin e viteve dhe dekadave. Aktual e bën librin dhe përkthimi i arrirë i Virgjil Muçit.
Edhe sot popujt e rajonit tonë, si Bosnja e atëhershme, e shohin veten jo rrallë mes Lindjes dhe Perëndimit. Mes konsujve dhe vezirëve.
Europa është më afër se në fillimin e shekullit të 19-të, një përgënjeshtrim i gëzueshëm për tezat e Andriçit, por veset dhe huqet e shoqërive tona e mbajnë ende gjallë hendekun. Edhe për sa?

© Panorama.al

Te lidhura