Erjon Cjapi, autori i dyshuar i vrasjes së dyfishtë
Ende në kërkim 32-vjeçari që shkaktoi vrasjen e dyfishtë në lokalin e burrit të Rajmonda Sotës.
Autori Erjon Cjapi dyshonte se 27-vjeçarja e tradhtonte.
Vrasja e dyfishtë që ndodhi mbrëmjen e së shtunës në fshatin Toshkëz të Lushnjës ka shokuar banorët e kësaj zone. E diela ishte ditë zie jo vetëm për familjarët e dy viktimave, 27 dhe 24 vjeç, por edhe për bashkëfshatarët e të ndjerëve. Dy viktimat u përcollën për në banesën e fundit, ndërsa të afërm të familjes dhe banorë të zonës kanë dhënë dëshmitë e tyre për grupin e hetimit për të hedhur dritë mbi shkaqet e këtij krimi të rëndë.
Mësohet se 27-vjeçarja Rajmonda Sota punonte në lokalin e saj, të cilin e kishin ndërtuar rreth 5 vjet më parë. I shoqi, Rozafat Sota, e kishte ndërtuar lokalin në fshat me të ardhurat që kishte siguruar nga puna në emigracion prej 10 vitesh. Gjatë kësaj periudhe ai kishte jetuar në Itali, ndërsa e shoqja menaxhonte lokalin e familjes. Sipas dëshmisë së familjarëve, dhënë në Polici, prej kohësh, 27-vjeçarja ka pasur bezdisje dhe ngacmime nga autori i vrasjes, Erjon Cjapi. Ky i fundit shkonte në lokalin e saj si klient dhe aty hidhte ngacmime, duke përdorur edhe fjalë fyese herë pas here. Por, bazuar edhe nga të dhëna të tjera të grumbulluara në fshat, burime të Policisë bënë të ditur se ka dyshime për një lidhje të mundshme mes viktimës e autorit. Së fundmi, marrëdhënia e tyre kishte marrë fund, por Cjapi vijonte ta frekuentonte lokalin e Sotajve. Dyshohet se ai është ndjerë xheloz për marrëdhënien e Rajmonda Sotës me 24-vjeçarin nga fshati Çinar i Lushnjës, Marsel Cani. Mësohet se viktima ishte nënë e dy fëmijëve, një vajze 10 vjeçe dhe një djali 5 vjeç.
Krimi i rëndë ndodhi rreth orës 21:15 në fshatin Toshkëz. 32-vjeçari, Erion Cjapi, sipas dëshmive nga vendi i ngjarjes, është futur brenda lokalit i armatosur dhe ka zbrazur breshëri arme në drejtim të Rajmonda Sotës, pronare e lokalit, e cila ndodhej në banak. Breshëria e armës i ka marrë menjëherë jetën nënës së dy fëmijëve, ndërkohë ai ka qëlluar dhe në drejtim të Marsel Canit, i cili në atë moment ishte ulur në një nga tavolinat dhe po pinte një birrë. I riu ka mbetur i plagosur rëndë, por ndërroi jetë më vonë në spital. Pas krimit të rëndë, 32-vjeçari është larguar me shpejtësi me një motor. Policia ka nisur hetimet, dhe paraprakisht është përqendruar në një pistë si më e mundshmja, bazuar edhe në dëshmitë e mbledhura të të afërmve e banorëve. Dyshohet se, kohë më parë, mes Rajmonda Sotës dhe Erjon Cjapit të ketë pasur një lidhje intime, ndërkohë që kjo lidhje nuk vazhdonte më. Kohët e fundit, sipas dyshimeve, 24-vjeçari nga fshati Çinar i komunës Fier-Shegan, Marsel Cani, ka pasur një lidhje me Rajmonda Sotën. Kjo sipas burimeve nga grupi i hetimit mund të ishte një arsye e fortë që e ka nxitur Cjapin të shkrehë armën mbi ta, përveç kërkesës së tij që të rivendoste marrëdhënien me viktimën. Policia bëri të ditur dje se është duke punuar për të arrestuar autorin, i cili dyshohet se qëndron i fshehur në malin e Shpiragut.
Dyshimi Paraprakisht, bazuar në dëshmitë e deritanishme, policia ka dyshime për një lidhje të mundshme mes autorit dhe viktimës 27- vjeçare. Gjithashtu, dyshohet se lidhja e tyre kishte përfunduar dhe se Erjon Cjapi është xhelozuar me afrimitetin e Rajmonda Sotës me 24-vjeçarin Marsel Cani. Ky i fundit mbeti i plagosur rëndë nga breshëria e armës teksa po konsumonte një birrë në lokalin e 27-vjeçares, por ndërroi jetë në spital
Familjarët Të afërmit e viktimës kanë deklaruar në Policinë e Lushnjës se Erjon Cjapi ishte bezdisës në lokalin e tyre, por ata kanë mohuar një lidhje të mundshme sentimentale mes Rajmondës dhe autorit të krimit. Dyshohet se 24-vjeçari Cani është futur për të ndarë konfliktin verbal që ka nisur në lokal, por duket se ky gjest i tij e ka xhelozuar më keq autorin, duke qëlluar fillimisht Rajmonda Sotën e më pas edhe Marsel Canin.
Vjehrra: Ai e ngacmonte dhe e kërcënonte në telefon Rajmondën
Vera Sota: Nusja hapej me mua, më tregonte gjithçka
Vjehrra e Rajmonda Sotës
Vjehrra e viktimës, 49-vjeçarja Vera Sota, mohoi dje një lidhje të mundshme mes nuses së djalit të saj dhe 32-vjeçarit Erjon Cjapi. Ky i fundit, sipas saj, e bezdiste vazhdimisht Rajmondën, madje ajo ia kishte rrëfyer vetë vjehrrës së saj këtë fakt. Znj. Sota, çfarë dinit ju për lidhjen e nuses së djalit tuaj me autorin e krimit?
Ai vinte në lokal dhe nuk e linte të qetë nusen. I hidhte fjalë dhe e ngacmonte. Unë kisha dijeni për ngacmimet, sepse më kishte thënë vetë nusja. Madje, ai e kërcënonte edhe përmes telefonit. Nuk e linte rehat. Nusja më kishte thënë për këtë gjë disa herë. A vinte shpesh në lokal Erjon Cjapi? Si sillej ai?
Po, vinte në lokal dhe pinte shumë. Edhe paraditen e vrasjes së nuses ishte në fshatin tonë. Ishte ditë pazari dhe nusja e djalit tim, Rajmonda, doli bashkë me vajzën për të bërë pazarin e zakonshëm. Ai erdhi, e takoi dhe e kërcënoi. Qëlloi më pas me grushte edhe kunatin e nuses. Ne i thamë që do të lajmëronim policinë, por ai shkoi edhe më tej, duke na kërcënuar hapur se do të vinte në darkë dhe do të na digjte të gjallë. Shkuat në polici? I denoncuat kërcënimet e tij?
Jo, nuk bëmë denoncim, sepse menduam se ishte thjesht një gjaknxehtësi e rastit dhe gjithçka do të mbyllej mes nesh. Nuk e menduam kurrsesi se do të ndodhte ajo që ndodhi… Cfarë marrëdhënie ka pasur Rajmonda me Erjon Cjapin? Ju keni pasur ndonjëherë dyshime për një marrëdhënie intime mes tyre?
Nusja e djalit tim më tregonte gjithçka, ndaj nuk kisha pse të dyshoja, përderisa ajo nuk më fshihte gjë. Ajo më ka treguar për të gjitha ngacmimet që i ka bërë autori më parë dhe nuk besoj asnjë fjalë që mund të thuhet apo ndonjë dyshim të këtij lloji. Ajo nuk mund të më gënjente, ishte shumë e hapur me mua për gjithçka. Po me djalin tjetër që u vra, ç’lidhje kishte Rajmonda?
Ai ishte një klient që vinte thuajse çdo mbrëmje dhe pinte kafe në lokal. Nuk mund të them asgjë tjetër, sepse nuk di gjë më shumë. Ai ishte ulur në lokal si klient edhe kur erdhi Erjon Cjapi e qëlloi me automatik. Ku ishit ju kur ndodhi ngjarja?
Në shtëpi. Para së të dëgjoheshin krisma, unë dëgjova edhe potere dhe sharje. Isha brenda në shtëpi, kur dëgjova të shtënat. Dola dhe erdha në lokal, por ç’të shihja? Pashë nusen të rënë mes gjakut në banak, ndërsa duke u tërhequr zvarrë mes gjakut edhe djalin tjetër. Jam tmerruar. Kjo që ai bëri është krim dhe ne kërkojmë të vihet drejtësia në vend. Kaq di të them unë… m.r