PRISHTINE- Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka bërë të qartë se marrëveshjet me Serbinë të dala nga dialogu që ende po vazhdon, nuk do të ratifikohen në Kuvendin e Kosovës, dhe ka thënë se për to përgjegjësinë e ka Qeveria.
Thaci e ka bere deklaraten gjate nja bashkebisedime me gazetaret pas mbledhjes se djeshme te qeverise. Ai nuk e ka përmendur termin marrëveshje për pajtimet me Serbinë, por ka thënë se ato janë “konkluzione ndërshtetërore”, për të cilat, sipas kryeministrit, nuk ka nevojë miratimi i Kuvendit të Kosovës.
“Dihen përgjegjësitë e pushteteve në Kosovë. Marrëveshjet ndërkombëtare ratifikohen në Parlamentin e Kosovës, por këto janë konkluzione ndërkombëtare nga takime të përbashkëta”, ka thënë kryeministri Thaçi.
Kryeministri, megjithatë, nuk është ndier rehat që të fliste për natyrën e pajtimeve dhe mënyrën se si do ta zbatohen ato. Marrëveshja për lirinë e lëvizjes, u mundëson qytetarëve serbë të Kosovës që të bartin tabela KS të kohës së UNMIK-ut, ndërsa Shefi i ekzekutivit i ka ikur përgjigjes kur është pyetur se kush do t`i lëshojë tabelat e asaj kohe, dhe nuk është përgjigjur nëse qytetarët kosovarë do të mund që me tabela RKS të udhëtojnë nëpër Serbi. Ai ka përmendur reciprocitetin, por nuk ka qenë në gjendje që të garantojë se shteti kosovar do t`ua heqë qytetarëve të Serbisë që udhëtojnë në Kosovë tabelat e shtetit serb, nëse qytetarëve kosovarë që udhëtojnë në Serbi u hiqen tabelat RKS.
“Qytetarët e Kosovës do të lëvizin nëpër Serbi me dokumente të shtetësisë së Kosovës… E theksoj edhe një herë se qytetarët e Kosovës do të lëvizin me dokumente”, ka qenë përgjigja e vetme që e ka dhënë kryeministri.
“Janë konkluzione që dalim nga takimet e zhvilluara në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë. E para është nostrifikimi i diplomave universitare. Sa i përket lëvizjes së lirë, do të ketë lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave edhe në territorin e Kosovës e edhe në atë të Serbisë. Kanë mbetur edhe disa çështje teknike që të shqyrtohen në të ardhmen”, ka thënë kryeministri.
Shefi i Qeverisë kosovare e ka vlerësuar dialogun transparent, ndonëse Kuvendi i Kosovës vazhdimisht është ankuar se nuk janë të njoftuar për përmbajtjen e tij e as marrëveshjet e arritura.
“Edhe sa u përket regjistrave civilë do të jetë ekipi kosovar atje por edhe ai ndërkombëtar, kështu që gjithçka do të jetë ashtu siç ka qenë edhe më tutje transparente. Janë konkluzione me përgjegjësi shtetërore, edhe për Kosovën, e edhe Serbinë”, ka thënë Thaçi.
Shefi i Qeverisë nuk ka harruar që t`ia përmendë partisë më të madhe opozitare LDK-së përgjegjësinë që ka për këtë dialog.
“Ky dialog është një obligim që ne e kemi marrë nga Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme ku kemi qenë edhe unë edhe ish-presidenti Sejdiu, edhe ish-ministri i Jashtëm, Hyseni. Pra, është një obligim që ka filluar gjatë koalicionit PDK-LDK tani vazhdon me përgjegjësi të reja shtetërore edhe në këtë koalicion”, ka thënë Thaçi.
Sipas kryeministrit, dialogu ka bërë që për herë të parë Kosova të ulet në vend të barabartë si shtet që të bisedojë me Serbinë për çështje të ndërsjella.
Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur bindjen se pas miratimit të Rezolutës nga Organizata e Konferencës Islamike, do të pasojnë shumë njohje të reja për Kosovën jo vetëm nga vendet islamike, por edhe nga vendet e tjera.
“Mendoj se ky është mesazhi më i mirë, më i drejtë dhe më i vlerësuari. Konferenca Islamike ka 57 shtete në katër kontinentet e ndryshme të botës. Disa prej tyre veç e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por ka ndodhur pastaj një stagnim”, ka thënë Thaçi.
Kryeministri ka thënë se Kosova ka siguruar votat e mjaftueshme për t’u anëtarësuar në Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim.
Gjatë mbledhjes së rregullt Qeveria ka miratuar katër projektligje: Projektligjin për mbrojtjen e informatorëve, Projektligjin për zjarrëfikje dhe shpëtim, Projektligjin për tregti me jashtë dhe Projektligjin për masat e mbrojtjes në importe. (Koha Ditore)
© Panorama.al











