
Artisti John Baines kthehet në Tiranë pas 23 vitesh.
Udhëtimi në vitin ‘89 për ndeshjen Angli-Shqipëri dhe njohja e hershme mes Radio Tiranës.
Plot 23 vjet më parë, me një autobus të vjetër, që u prish dy herë rrugës, artisti John Baines, i shoqëruar nga 55 tifozë britanikë, zbarkuan në Tiranë për të parë ndeshjen Shqipëri-Angli.
Në të vërtetë, Baines, më shumë se të ndiqte ndeshjen dëshironte të shihte Shqipërinë, vendin që e kishte gjetur në hartë për herë të parë kur ishte 14 vjeç dhe që e njihte përmes valëve të Radio Tiranës. Ishte një udhëtim i paharrueshëm. Pas më shumë se dy dekadash, artisti kthehet sërish në Tiranë, ku dikur mbajti një koncert klandestin në Hotel Dajti. Dy ditë më parë, Tirana Art Lab (Qendër për Artin Bashkëkohor), dhe Tirana Ekspres (The Alternative Art Space), organizuan aktivitetin “TIRANA THRASH”. Një ekspozitë dhe koncert i artistit dhe poetit kritik punk nga Britania, me emrin e artit Attila the Stockbroker (John Baines) në homazh të atij prilli të vitit 1989. Attila the Stockbroker, një personalitet i rëndësishëm në skenën e Pankut Britanik, ka qenë një nga qytetarët e pakët britanikë që ka udhëtuar drejt Shqipërisë përpara rënies së regjimit komunist. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, John Baines tregon udhëtimin e tij në Shqipëri para 23 vitesh dhe kthimin e tij të dytë. Ndryshimet mes kohëve…
Keni ardhur në Shqipëri 23 vjet më parë, keni kënduar e keni shkruar këngë që lidhen me Shqipërinë, na tregoni ç’ju lidh me vendin tonë.
Po e nis nga fillimi. Kur isha 14 vjeç, në Angli u zhvillua greva e minatorëve, e cila paralizoi gjithë jetën. Njerku im thoshte se ata po mbanin peng vendin, por unë nuk isha dakord me të, pasi minatorët paguheshin shumë pak dhe kishin një punë shumë të vështirë. I gjithë vendi ishte i ndarë më dysh. Isha vetëm 14 vjeç dhe vendosa të isha një marksist, por në të vërtetë nuk e dija fare se ç’ishte. Një ditë shkoj në një librari për të mësuar më shumë rreth marksizmit. Lexova për të, për Stalinin, për Bashkimin Sovjetik. Gjeta libra të Stalinit, Leninit dhe të Enver Hoksës. Enver Hoksa? Ç’është ky? Në libra thuhej se drejtonte një vend që quhej Shqipëri, për të cilin nuk kisha dëgjuar kurrë më parë dhe që ishte “i vetmi vend socialist në Europë”. Kjo më çuditi pa masë. Nuk e dija që Shqipëria ishte në Europë, mendova ndoshta ishte në Bashkimin Sovjetik, kështu që mora një hartë dhe fillova të kërkoja këtë vend dhe përgjigjen e pyetjes se përse ai ishte vendi i vetëm socialist në Europë. Po Rusia, Bullgaria dhe vendet e tjera të Lindjes, çfarë ishin? Kur hyra në atë librari, nuk e kisha dëgjuar më parë fjalën “revizionist”. Por më pas e kam dëgjuar shumë shpesh këtë fjalë dhe kuptova se nuk ishte gjë e mirë që të ishe i tillë. Kështu fillova të mësoja mbi Shqipërinë dhe Enver Hoxhën (e mësova si lexohej korrekt), ndërkohë që rashë në kontakt dhe me Radio Tiranën.
Ç’ju çoi tek valët e Radio Tiranës, ç’ju tërhiqte te ky stacion i huaj?

Në Angli ne kishim (vazhdojmë ta kemi) një kanal shumë të mirë radiofonik “Radio One”. Atje ishte një DJ fantastik, i cili kishte një program gjatë orëve të mbrëmjes. Ai ka qenë frymëzimi im që u bëra muzikant e poet. Asokohe, në mes të muzikës që ai vendoste, ndërhynte edhe një tjetër muzikë dhe shpeshherë dëgjoheshin fjalë në gjuhë të huaj. Ishte Radio Tirana, e cila kishte një sinjal shumë të fuqishëm dhe ishte menjëherë pas “Radio One”, ndaj dhe shpesh ajo interferonte në valët e radios angleze. Shpesh DJ-i bënte shaka me këtë fakt. Kështu nisa të dëgjoja Radio Tiranën, ku pas siglës së famshme jepej edhe një edicion në gjuhën angleze: Ju flet Tirana, po japim edicionin e lajmeve në gjuhën angleze dhe jepte lajme të tipit: “Punonjësit e qytetit të Korçës kanë arritur suksese të mëdha në fushën e agrikulturës..”. Aty kuptova për shqiptarët që ishin të gjithë revizionistë, imperialistë, kolonialistë… dhe nuk e kuptoja: po edhe Tito ishte komunist gjithashtu… Por një frymëzim i jashtëzakonshëm për mua, përpara se të nisja edhe vetë të performoja ishte programi me muzikë shqiptare. Më kujtohet (dhe kjo është e vërtetë) që kam dëgjuar një program me këngë shqiptare nga artistët amatorë të ansamblit të kombinatit të autotraktorëve “Enver Hoxha” në Tiranë. Kjo ishte shumë argëtuese për mua. Atëherë zbulova se edhe shumë të tjerë në Angli dëgjonin Radio Tiranën dhe bënim shaka me njëri-tjetrin për traktorët, Enver Hoxhën… madje dhe në një show të famshëm në Angli flitej për të. Të gjitha këto më frymëzuan që të realizoja një album muzikor mbështetur mbi Shqipërinë. Unë isha i mahnitur nga Shqipëria, nga ky vend i vogël, por që kishte një stacion radiofonik shumë të fuqishëm.
Por ju erdhët në Tiranë për të parë ndeshjen Angli-Shqipëri, apo jo?

Unë kam qenë gjithnjë një adhurues i futbollit. Kam qenë tifoz i skuadrës së qytetit tim dhe asnjëherë i ndonjë skuadre të madhe. Asnjëherë s’më kanë interesuar skuadrat e famshme. Në vitin 1984, Shqipëria luajti me Belgjikën në Bruksel për Kampionatin Botëror dhe unë bashkë me katër miq të mitë vendosëm të shkonim atje dhe të mbështesnim Shqipërinë. Kishim me vete flamurin e Shqipërisë dhe të Enver Hoxhës në një pankartë dhe bërtisnim “Albania, Albania”. Atje takuam edhe disa shqiptarë, të cilët na falënderuan që ne po mbështesnim ekipin e tyre. Pastaj në 1989-n ndodhi diçka e mrekullueshme. Anglia do të luante me Shqipërinë për kualifikimin në Botëror. Kështu që vendosa të vij në Shqipëri. Të njëjtën mendje me mua kishin edhe shumë të tjerë, të cilët donin të shikonin Shqipërinë. Aplikuam për viza dhe ishim një grup prej 56 anglezësh, që do të mbështesnin skuadrën e tyre. Morëm vizat. Përgatitëm edhe ca bluza pikërisht për këtë rast. Pjesa e përparme ngjante si fanellat e “Flamurtarit” të Vlorës dhe pas shkruanin: “Tifozët e futbollit britanik, paqësorë, u dërgojmë shokëve tanë shqiptarë përshëndetje vëllazërore me rastin e takimit të parë midis dy komeve tona”.
Si erdhët në Tiranë?

Ka qenë një udhëtim i çmendur. Vendosëm të vinim me autobus. Ishte një autobus i vjetër, që u prish qysh në Angli e u prish sërish në Jugosllavi. Udhëtuam dy ditë për të arritur në kufirin shqiptar, në Hanin e Hotit. Më parë kishim dëgjuar se duhet të ishim të rruar e të qethur, kështu që ishim gati. Me këtë rast BBC ka bërë edhe një kronikë, ku unë kam kënduar edhe një këngë “Rroftë Shqipëria”. Kur mbërritëm në kufi, rojet ishin në gjumë. Na u desh t’i zgjonim. Pastaj udhëtuam drejt Tiranës. Kemi mbetur mjaft të surprizuar nga ai vend, por ç’na çuditi më shumë ishte që pamë edhe anglezë të tjerë atje. Ishin ekstremistë të krahut të djathtë, të cilët i njihja më parë. E çuditshme se si i kishin lënë të hynin. Kishin ardhur me autobus nga kufiri me Maqedoninë dhe i kishin lënë të hynin. Kishim frikë se do të ziheshim me ta. Gjithsesi pamë ndeshjen me Vllazninë, në Shkodër ku fituam 2 me 1 dhe ndeshjen në “Qemal Stafa”, ku Shqipëria ka bërë një lojë shumë të mirë dhe arriti një rezultat shumë të mirë. Pas ndeshjes grupi fashist u largua menjëherë, kurse ne ndenjëm edhe tri ditë në Tiranë.
Ç’bëtë gjatë këtyre tri ditëve, ç’kujtoni nga Shqipëria e vitit 1989?
Erdhëm vërdallë nëpër Tiranë. Përkthyesi ynë shqiptar Ari (Aristidh Shqevi) u mundua të na mbante të gjithë të mbledhur, ndërsa ne donim të vizitonim vende ku nuk lejohej të hyje, si në Bllok për shembull. Zona ishte e mbrojtur me ushtarë, ne u treguam bluzat, u thamë se ishim miq dhe se ata duhet të na lejonin të shihnim Bllokun, por nuk na lejuan. E dini ç’më ka bërë përshtypje? Shqiptarët e ulur që luanin shah. Unë vdes të luaj shah. Nuk ka nevojë të kuptosh gjuhën, të flasësh për marksizëm-leninizmin, mjaft të luash. Ato ditë a ndoqën një sërë ndodhish interesante aty. Më kujtohet se si ishte situata, e tensionuar. Ngado kishte njerëz të Sigurimit. Ato ishin figura shumë të çuditshme. Njerëz me pardesy të gjata lëkure në mes të prillit. Me të vërtetë shumë e çuditshme. Një ditë u ulëm në një bar me përkthyesin tonë, Arin. Përreth kishte dhe njerëz të tjerë dhe unë që i them: Ari, më lejo të të bëj një pyetje: “Mos më thuaj, me të vërtetë ti beson se Mehmet Shehu ka vrarë veten?” Ai i zbardh komplet. Po kështu edhe të tjerët përreth. “John, ku ke dëgjuar ti për këtë gjë”, më thotë ai. Ishte periudha kur shqiptarët e kishin të ndaluar të flisnin për këtë çështje. Kur erdhëm, sollëm me vete edhe disa suvenirë për fëmijët shqiptarë. Por nuk ishin nga skuadra të mëdha. Ndoshta ata prisnin nga Liverpuli, Mançester dhe na thoshin se ç’janë këto.
Por udhëtimi juaj në Tiranë nuk u mbyll me kaq. Pa e kuptuar luajtët të parin koncert punk-rock në Tiranë, na tregoni pak, si ia arritët?
Ne u përpoqëm të qëndronim të gjithë bashkë. Në natën e fundit na thanë të merrnim pjesë në një koncert. Thamë: Ok, do dëgjojmë pak muzikë tradicionale shqiptare. Muzika që ne luajmë është punk dhe kisha sjellë me vete ca materiale nga kjo muzikë, të cilat ia dhashë mikut tonë Arit, i cili aq sa i shqetësuar, aq edhe i kënaqur ishte që ia dhashë. Ne shkuam në Hotel Dajti, ku filluam të pinim birrë dhe ndërkohë disa muzikantë nisën të luanin. Teksa prisnim të dëgjonim muzikë shqiptare, instrumentistët nisën të luanin ca instrumentale shumë të mërzitshme të “Beatles”. U çuditëm, sepse në Shqipëri nuk duhej të luhej një gjë e tillë. Pamë njëri-tjetrin dhe thamë përse të mos bëjmë diçka ndryshe. Shkuam tek bateristi dhe i thamë të na huazonte instrumentet dhe ne do të luanim disa pjesë. Ai u çorodit, filloi të shihte përreth nga njerëzit e Sigurimit. Morëm veglat dhe i thamë të luante me ne dhe të na ndiqte. Luajtëm “Blitzkrieg Bop” nga Ramones dhe me shumë gjasë duhet të ketë qenë koncerti i parë punk-rock në Shqipëri. Luajtëm disa këngë, por nuk e zgjatëm, pasi bateristi ishte shumë konfuz. Pastaj unë këndova a capella disa vargje nga kënga ime “Baladë për shokun Enver”. Kush nuk e di mirë anglishten, mendon se ajo i kushtohet Enverit. Nëse ndokush do ta kuptonte fare mirë gjuhën angleze do të trishtohej, pasi teksti ishte ironik, ne i referoheshim shakasë së hershme me ansamblin e kombinatit të autotraktorëve.
Ishit shumë i guximshëm, apo shumë i ri që e bëtë këtë në Shqipërinë komuniste?…
Kam qenë 31 vjeç atëherë. Nuk di ç’të them. Por ironia është që nëse atëherë, në vitin 1989 kisha frikë se mos njerëzit do të zbulonin nëntekstin e këngës, sot kam frikë se kush do të dëgjojë këtë pjesë, mund të mendojë se unë e kam seriozisht dhe se me të vërtetë po i bëj lavde asaj periudhe. Gjithsesi, ne e bëmë koncertin dhe doli me të vërtetë shumë mirë. Njerëzit e Sigurimit ishin përreth, por ata nuk na ndaluan. Ata që kontrollonin gjithçka që bënin shqiptarët nuk bënë asgjë me ne, madje as me grupin fashist. Ne menduam se do t’i arrestonin. Në vendin e Enver Hoxhës kjo mund të ishte më e pakta që mund të bënin. Ata i lanë të iknin… Kemi pirë shumë birrë në Hotel Dajti. Pastaj u kthyem në Angli. Ka qenë një udhëtim shumë i çuditshëm.
Ç’ju solli sërish në Shqipëri?
Gjithçka lindi nga një shkrim i Altin Raxhimit, të titulluar “Baladë për Enverin”. Kur Sonja, kuratorja e këtij aktiviteti e pa, na propozoi të vinim sërish në Shqipëri pas 23 vitesh dhe të bënim një koncert, për të kujtuar ato kohë. Dhe ja ku jemi. Kam performuar në gjithë botën, në shumë vende të Lindjes, por nuk ma merrte mendja se do të kthehesha sërish për të performuar.
Ktheheni pas 23 vitesh në shqipëri, shumë gjëra kanë ndryshuar, apo jo?
Është tërësisht ndryshe. Përveç Skënderbeut dhe mozaikut të Muzeut Kombëtar që ka qenë aty edhe para 23 vjetësh. Miku im, përkthyesi Aristidh Shqevi, më tha “kur të kthehesh, nuk ke për ta njohur Tiranën. Disa gjëra kanë ndryshuar për mirë, ca gjëra për keq”. Mendoj se liria që keni fituar është gjë shumë e mirë, por komercializmi i tepërt është i tmerrshëm. Nuk gjej më atë shpirtin e komunitetit që kam parë aso kohe. Kam parë shumë varfëri tej Tiranës, por edhe në mes të kryeqytetit. Të shihje gra të moshuara tek shisnin lule në zonën e ish-Bllokut, ishte me të vërtetë e trishtueshme. Ndesha një kaos të jashtëzakonshëm në trafikun rrugor. Nuk kam parë në asnjë vend të botës trafik më të çmendur se këtu. Por gjithsesi unë e dua shumë Shqipërinë. Do kisha dashur të shihja një ndeshje të “Partizanit”, por ata janë jashtë ndërkohë. Jemi duke kaluar një kohë shumë të mirë këtu.
ALMA MILE
© Panorama.al











