Katër fëmijë dhe adoleshentë serbë, pjesë e një projekti paqendërtues në Kosovë, kanë ardhur në Shqipëri për t’u trajnuar në përdorimin e medias sociale. “Ndihem mirë këtu në Shqipëri”,- thotë David Diokids, njëri prej tyre. 12-vjeçari serb nga Ferizaj, bashkë me 3 të tjerët, vijnë për herë të parë në vendin tonë. Ata janë pjesë e projektit “Kids for peace” në Kosovë, e organizatës ndërkombëtare “World Vision”, projekt ku bëjnë pjesë më shumë se 400 fëmijë të të gjitha etnive në Kosovë. “Nuk dua që të ketë ndarje mes etnive të ndryshme. Kalojmë shumë mirë në projekt, bashkë me fëmijët e tjerë”, shton Davidi. Artina, një 13-vjeçare nga Kosova, tregon me shume entuziazëm për projektet dhe aktivitetet që fëmijët shqiptarë dhe serbë organizojnë së bashku. “Në fillim ngurronim kur ndodheshim në shoqërinë e bashkëmoshatarëve serbë, por tani ne jemi shokë shumë të mirë dhe argëtohemi me njëri–tjetrin”. “Unë kam më shumë se 10 shokë serbë”.











