
Një nga delegatët është përzënë nga Konventa Nacionale Republikane, pasi i ka hedhur kikirikë një kameramaneje me ngjyrë, femër, duke i thënë: “Kështu i ushqejmë ne kafshët”. Republikanët i tremben faktit se incidenti do të thellojë më shumë hendekun e tyre me komunitetin afrikano-amerikan përpara zgjedhjeve presidenciale të 6 nëntorit, duke e humbur plotësisht mbështetjen e tyre. Të paktën një sondazh i publikuar deri tani ka treguar se kandidati republikan, Mit Romnej, ka më pak se një për qind mbështetje nga komuniteti me ngjyrë në SHBA. Sulmi racist ndodhi ndaj kameramanes së CNN gjatë Konventës në Tampa të Floridas, pikërisht në ditën kur Romnej mori mbështetjen zyrtare të delegatëve si kandidati i tyre për Presidencën. Nuk mund të ndodhte në një moment më të keq, gjatë nominimit të njeriut që është akuzuar nga Presidenti Barak Obama si plutokrat pa lidhje me realitetin. Deri para Konventës, mbështetja për Romnejn sipas sondazheve kishte rënë në 35 për qind. CNN njoftoi se po punon me zyrtarët e Konventës për sqarimin e kësaj çështjeje dhe nuk ka dashur të komentojë më gjatë.











