“Kemi 6000 prona të pashfrytëzuara në Tiranë”

Jun 8, 2012 | 13:05

“Bashkia e Tiranës është pronare e 6000 aseteve të pashfrytëzuara, të cilat do të ishin një mundësi e mirë për investitorët”. Këtë deklaratë bëri dje nënkryetarja Jorida Tabaku para përfaqësuesve të biznesit të 30 vendeve anëtare të Bankës Islamike për Zhvillim, duke prezantuar potencialin që mbart Tirana për investime. Në këtë forum,  Tabaku lançoi idenë e krijimit të një zone të lirë ekonomike. “Nëse bizneset tuaja janë në fushën e industrisë dhe teknologjisë, ne mendojmë se ky do të jetë shansi real për të investuar në Tiranë, në këtë zonë të lirë ekonomike e në këtë park industrial, që Bashkia po mendon të krijojë”, tha Tabaku. Ajo renditi disa nga masat e marra për të lehtësuar klimën e biznesit, si krijimi i Qendrës së Licencimit në Tiranë, reduktimin nga 360 ditë në 55 të kohës së marrjes së një leje ndërtimi, heqjen dhe reduktimin e mbi 60 taksave dhe tarifave vendore. “Dy janë themelet kryesore me të cilat ne po punojmë për të mbështetur bizneset e reja dhe për të stimuluar punësimin në qytetin e Tiranës. Për çdo biznes të ri, i cili regjistrohet në qytetin e Tiranës dhe punëson më shumë se 50 persona, ka përjashtim nga taksat lokale për 4 vite”, tha Tabaku. Sipas saj, trami dhe terminali i ri i pasagjerëve janë një tjetër mundësi e madhe për investime në kryeqytet. Po kështu edhe plani i ri urbanistik, pjesë e të cilit është edhe projekti për bulevardin e ri.

Lehtësirat për biznesin
Marrja e lejes së ndërtimit :

Ishte 360 ditë

U bë 55 ditë

Reduktim i 65 taksave dhe tarifave vendore

Kompanitë që punësojnë mbi 50 punëtorë:

Përjashtim 4 vjet nga taksat

Kompanitë që punësojnë mbi 75 persona:

Përjashtim nga taksat lokale

30% ulje të taksës së infrastrukturës

© Panorama.al

Te lidhura