
“Më në fund, armatës sonë iu shtua Koço Theodhosi. Me sa duket, tradhtarë të tjerë janë duke ardhur drejt nesh”. Raportet e fshehta, të publikuara numrin e kaluar, mbi groteskun e bisedave intime të Vilson Blloshmit për spastrimet në radhët e udhëheqjes komuniste, mbajnë nënshkrimet e “Studentit” dhe “Bletës”. Të tjera të dhëna nga të tjerë bashkëpunëtorë artikulojnë opinionet e tij për ngjarjet e ditës. “Niksoni mbërriti në Kinë, diçka pritet të ndodhë”. “Flota sovjetike po shëtit në Mesdhe, kot nuk lëviz ajo”. “Një art i imponuar nuk është kurrë i bukur”. Interesante tingëllon përbuzja e poetit për shpërfytyrimin e Enverit pas kryqëzimit të gjeneralëve të ushtrisë. “Arrestimi i Beqir Ballukut, atë e ka bërë nervoz e të padurueshëm”, nënvizohet thënia e Blloshmit gjatë një bisede shoqërore në minierën e Përrenjasit. Në dosjen operative të Blloshmit janë një mori raportesh të tilla. Pjesa në vazhdim i përket sistemimit të të dhënave për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, zbulimit të planit për t’u arratisur dhe prangosjes së poetit në befasi. Po çfarë ndodhi me Blloshmin në birucat e Tiranës dhe si iu përgjigj ai ofertës së Kadri Hazbiut për t’iu bashkuar shërbimit të fshehtë?
Raport i datës 24.3.1976
“Dardha” njofton se më 20.3.1976 është takuar në Qukës me Vilson Blloshmin, gjatë rrugës për në Karkavec. Ai e ka pyetur se si u bë puna e muzeut që dogjën. Vilsoni i ka thënë se “atë nuk e dogji ndonjë nga ne. Mund ta ketë djegur ndonjëri nga ata të Sigurimit, që të marrin më qafë popullin”. Kur ai i ka thënë Vilsonit: “Si është e mundur kjo?”. Vilsoni i ka thënë: “Një gjë duhet ta dish: ata e bëjnë se janë të pabesë. E ka djegur ndonjë grup i Elbasanit. Ti duhet të dish edhe një gjë tjetër. Një ditë ka ardhur andej nga Dik Lenaku, zv.kryetari i Degës me gjithë operativin dhe ka hedhur një letër anonime ku bënte thirrje për kryengritje. Këtë nuk e di njeri veç kryetarit të Këshillit të Bashkuar dhe Sherif Blloshmit. Kur ai i ka thënë se ku e dinte këtë, Vilsoni i ka thënë: ‘Nuk ta them. Një gjë duhet ta dish, se një ditë do t’i dalë fundi kësaj, se është shumë turbull. Një gjë do të bëhet. U nisën ato grupet, por u kapën. Këta kanë nisur të na luftojnë ne, bëjnë luftën e klasave. Ç’do të bëhet me ne? Ne baltën kemi në dorë. Po grupet kanë dalë nga qeveria, nga Koçi Xoxe e deri te Beqir Balluku. Ata e shohin se nuk është e drejtë, por nuk kanë çfarë me ba’”. Me kaq u ndamë.
Vendim i datës 10.04.1976

Vilson Blloshmi është i biri i Samiut dhe i Nadires, i datëlindjes 1947, lindur dhe banues në fshatin Bërzeshtë të rrethit Librazhd, i martuar, pa fëmijë, i padënuar, me arsim të mesëm pedagogjik, rrjedh nga një shtresë e pasur, ku i ati i tij sot është kulak, me shtetësi dhe kombësi shqiptare. I lartpërmenduri ka zhvilluar dhe zhvillon agjitacion e propagandë kundër pushtetit tonë popullor. Kështu, nga të dhënat e marra në ngarkim të tij nga b.p. “Studenti”, “Bleta”, si dhe nga dy shënime operative, del se Vilson Blloshmi zhvillon agjitacion e propagandë.
Më dt. 5.5.1976, qytetari Ferit Çota denoncon pranë organeve tona, se Vilson Blloshmi ka shfaqur tendencën e arratisjes së bashku me Genc Lekën, Xhemal Halilin dhe një shok tjetër nga Rrajca, emri i të cilit nuk dihet. Personat e lartpërmendur janë me të kaluar të keqe dhe, si të tillë, janë marrë në përpunim aktiv si Xhemal Halili në 2. A., për tendencë arratisje etj. Nisur nga materialet e lartpërmendura dhe për të goditur aktivitetin armiqësor të tij, Vilson Blloshmi të merret në përpunim 2. A., për tendencë arratisjeje, duke hartuar dhe një plan masash agjenturalo-operative në këtë drejtim.
Plani agjenturalo-operativ
Nga të dhënat e marra në ngarkim të Vilson Blloshmit del se ky zhvillon agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. Më datë 9.5.1976, qytetari Ferit Çota denoncon në organet tona se, Vilson Blloshmi i ka propozuar për t’u arratisur në Jugosllavi së bashku me Xhemal Halilin, i cili u mor në përpunim 2.A., për këtë tendencë. Genc Leka në kontrollin operativ 2.B., po ashtu është dhe një qytetar tjetër nga Rrajca, emri i të cilit nuk dihet. Me qëllim për të parandaluar në kohë arratisjen e tij së bashku me personat e tjerë të lartpërmendur, do të merren këto masa agjenturalo-operative.
1 – Do t’i jepet një vijë sjelljeje qytetarit Ferit Çota, për të zbuluar se kush është personi nga Rrajca, kur e kanë lënë datën për t’u arratisur, në çfarë drejtimi do të lëvizin dhe, nëse kanë armë, çfarë lloj arme kanë?
2 – Meqenëse Feriti do të takohet me Vilsonin më datë 10.5.1976 në Përrenjas, do të merret në survejim për ta saktësuar se me cilin person do të takohet dhe do të saktësohen edhe lëvizjet e tjera…
5 – Me rastin e arrestimit të vëllait të Vilsonit, i janë dhënë detyra B. P. “Studenti”, “Nogolit”, si dhe qytetarëve Sali Vlashi dhe Bardho Qyrës, për t’i pasur nën kontroll, meqenëse banojnë dhe jetojnë në këtë fshat dhe për çdo lëvizje të Vilsonit (largim nga fshati) të na njoftojnë me këtë parullë: “Pakon e nisëm për Librazhd”. Gjithashtu, u është dhënë detyrë që zbulojnë kush vete te Vilsoni, nga janë këta persona etj.
7 – Do të merren masa kontrolli dhe në drejtim të Genc Lekës, i cili del që do të arratiset me Vilson Blloshmin.
Mbas përfundimit të këtyre detyrave të ngritura në këtë plan, do të bëhet analiza e tyre dhe do të merren masa të mëtejshme. (Punëtori operativ, Xh. Karriqi.)
Raport i datës 19.5.1976

“Studenti” njofton se, më dt. 7.5.1976 ishte te muzeu i fshatit Bërzeshtë. Aty shkoi dhe Vilson Blloshmi, i cili nga larg i tha: “A ke shkrepëse me vete?”. Desh t’i thotë me këtë, si qëndron aty? Ai u përgjigj: “Jo, nuk kam”. Në bisedë Vilsoni qëndroi ca, por nuk hapi bisedë. Ai e pyeti: “A ke marrë vesh për vëllanë që ke në burg?”. Ndërsa Vilsoni s’i tha asgjë dhe qëndronte si i turpëruar për atë. Pas pak, Vilsoni u nda.
Detyrë e operativit Xh. Karriqi
Bashkëpunëtorit iu dha detyrë që të takohet me Vilsonin. Gjatë bisedës që do të zhvillojnë, t’i thotë, se “ti Vilson, atë ditë më the a ke shkrepëse. Ti nuk e pi duhanin, përse e doje? Apo më the mua që do t’i vësh zjarrin muzeut? Ti e di që ne do ta ruajmë. Se e dogjën një herë dhe akoma nuk është zbuluar. Po të dëgjojë ndonjëri që ne flasim kështu, rrezik se dyshon se ti ia ke vënë zjarrin muzeut, e nuk ka dalë ose luftohen si puna jote dhe e imja, që na hoqën babanë nga muzeu se m’u arratis vëllai”. Tanimë, në drejtim të Vilsonin po aktivizojmë edhe bashkëpunëtorin “Dardha”.
Raport i datës 1.06.1976
“Dardha” njofton se në bisedën që zhvilloi me Vilson Blloshmin, ndër të tjera, Vilsoni i tha atij se “po vuajmë si qeni, nuk rrohet kështu. Edhe Perëndia me të keq, edhe njerëzit nuk na lënë rehat”. Vilsoni ishte me gjithë gruan. Më gjatë nuk u bisedua me të.
Detyrë e operativit V. Gjorga
Takoni Vilsonin dhe i thoni: “Më vjen keq që është larguar kaq shumë nga unë. Nuk e di, po më duket se ju nuk keni besim tek unë. Ju më thatë se po vuajmë. Përse po vuan, apo ke ndonjë hall nga familja? Ti thua që Perëndia dhe njerëzit nuk na lënë rehat. Kush nuk të lë rehat? Apo ke ndonjë grindje me ndonjë person?”.
Sqarim
Vilsoni ndiqet për tendencë “arratisjeje” dhe “agjitacion e propagandë”. Është me arsim të mesëm pedagogjik, kulak.
Vlerësimi i dhënë ka rëndësi, se objekti flet për pakënaqësi ndaj njerëzve për mënyrën e jetesës.
Raport i datës 8.06.1976
“Nogoli” njofton se më 4.5.1976 kishte shkuar në Bërzeshtë, në shtëpinë e Hasan Blloshmit e atje ndodhej dhe Sami Blloshmi, Bukurosh Blloshmi e Vilson Blloshmi. Aty ai ka shprehur keqardhjen për arrestimin e Bedriut (vëllait të Vilsonit) dhe është interesuar si e ka punën. Aty për aty Vilsoni ka thënë: “Burgu për burrat është”.
Detyrë e operativit Xh. Karriqi
Bashkëpunëtorit iu dha detyrë që të takohet me Vilson Blloshmin dhe gjatë bisedës t’i thotë: “A keni marrë vesh gjë për Bedriun? Çfarë ka deponuar në hetuesi? Se mos e ngatërrojnë për politikë meqë ne jemi të deklasuar. Dhe kohët e fundit i është vënë zjarri muzeut. Mos është ngatërruar ai?”. Atëherë ai do të dënohet më rëndë. Gjatë bisedës i thoni Vilsonit: “Po ty të kanë thirrur për punën e atyre librave?”. Në drejtim të Vilsonit do të aktivizohet bashkëpunëtori “Studenti” (mësues nga fshati Fanjë).
Raport i datës 13.06.1976
“Dardha” njofton se në datën 8.6.1976 ka takuar Vilson Blloshmin në Qukës dhe duke pirë nga një kafe e konjak, Vilsoni më tha se kemi lindur për të vuajtur, dhe jo për të rrojtur si njerëz. Ai i ka thënë: “Vilson, përse thua kështu?”. Janë ndarë. Vilsoni ka hyrë në postë dhe kur ka dalë, janë takuar përsëri. Në këtë kohë, ai ka thënë: “Sido që të shkojë kjo punë, edhe sikur të më vrasin, nuk bëhem spiun i këtyre. Po, ç‘t’u bëj, më është ngatërruar vëllai kot dhe pyeta. Atij i kanë dalë shumë dëshmitarë dhe e futën kot në burg”. Pastaj u ndamë se ai u takua me Xhemal Sinën nga Gurra.
Detyrë e operativit V. Gjorga
Ju do të shkoni të takoni Vilsonin dhe do t’i thoni atij se një ditë, kur jemi takuar, më keni thënë se kemi lindur për të vuajtur, e jo për të jetuar, nuk të kuptova në bisedë edhe nuk më erdhi mirë që ju nuk m’u shprehët lirisht mua. Nuk e di se si e ke punën, a nuk më beson? Ju jeni me shkollë, e keni të mesmen, por ju duhet të dini se kur bisedoj me ju më zgjatet jeta. Ju këtë nuk e bëtë, përse nuk ma thoni?
Shënim, 5 gusht 1976
Sot u bë arrestimi i Vilson Blloshmit. U bë kontrolli i banesës së tij dhe sekuestrimi i materialeve të dyshimta, si libra, blloqe, fletore etj. Objektin morëm detyrë për ta transportuar në Tiranë për hetime speciale.(Kryetari i Degës së Brendshme Merdar Hasa) vijon…
Poeti me 80 qindarka në xhep
Ndër të rrallat dokumente me shkrim dore të dosjes “Blloshmi” është një procesverbal i datës 5 gusht 1976, mbajtur në momentin e mbërritjes së poetit në burgun e Tiranës. Në pak rreshta të shkruara si në këmbë, hetuesi i Ministrisë së Brendshme, Irfan Shaqiri, në praninë e komandantit të repartit 313 Haki Shehu dhe oficerit të rojës, Shaqir Muça, ka dokumentuar inventarin e sendeve të konstatuara gjatë kontrollit të Vilson Blloshmit. Renditja e listimit të “pasurisë” së poetit “të rrezikshëm”, sipas zyrtarëve të Sigurimit, fillon me numrin rendor 1 dhe mbyllet me numrin 9. Nënshkruesit e procesverbalit deklarojnë se i kanë gjetur një orë “Darvil” me fushë të zezë, një thikë buke, letrën e njoftimit, librezën ushtarake, një rrip pantallonash të zi, një bllok shënimesh, një stilolaps ngjyrë gri, një palë rripa këpucësh dhe shumën prej 80 qindarkash. Pra, e gjithë pasuria e poetit të kryqëzuar për tradhti dhe përvetësim të pasurisë socialiste, përveç rrobave të trupit dhe orës së dorës, nuk arrinte 100 lek(!).
AFRIM IMAJ
© Panorama.al











