Ish-ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, udhëzimin e fundit të firmosur prej tij ia ka adresuar Policisë Rrugore. Ai i ka dhënë një zgjidhje problemit të vendosjes së gjobave në mungesë të drejtuesve të mjeteve, një fenomen i kthyer në shqetësim muajt e fundit. Për të shmangur veprimet arbitrare nga ana e efektivave të Patrullës së Përgjithshme dhe ata të Policisë Rrugore, udhëzimi nr. 102, i datës 13 qershor 2012, shpjegon me detaje hallkat që duhen përshkuar deri në vendosjen e një gjobe në mungesë të drejtuesit apo pronarit të mjetit. Gjobat në mungesë vendosen kryesisht për automjetet e parkuara dyshe, që pengojnë qarkullimin e lirë të mjeteve të tjera dhe nuk respektojnë sinjalistikën vertikale apo horizontale. Deri dje, pjesa më e madhe e automjeteve të parkuara dyshe përfundonin në pika bllokimi, duke u zhvendosur me karrotrec. Sipas udhëzimit, një automjet i parkuar dysh zhvendoset në një pikë bllokimi me karrotrec vetëm në rastet kur ka gjoba të prapambetura dhe polici rrugor, pasi pret për disa minuta drejtuesin apo pronarin, lajmëron karrotrecin pasi vendos edhe gjobën. Në rastet kur drejtuesi i automjetit nuk rezulton debitor, atëherë polici rrugor nis procedurat e vendosjes së gjobës, që sipas udhëzimit të ministrit të Brendshëm, duhet të kalojë në tri hallka kryesore. Polici që konstaton shkeljen rrugore, vë në dijeni punonjësit e sallës së drejtimit, ndërsa ky i fundit duhet të njoftojë menjëherë eprorin e efektivit që ka raportuar shkeljen. Sipas një udhëzimi të mëparshëm të ministrit të Brendshëm, që i përket muajit janar, gjobat e vendosura në mungesë që do të bëhen të pavlefshme janë ato të vendosura për shkelje semafori dhe parkim të gabuar pas orës 23:00 të mbrëmjes. Në udhëzim lejohet kalimi me semafor të kuq pas orës së përcaktuar, pasi drejtuesi i mjetit të jetë siguruar që nuk ka rrezik po të kalojë kryqëzimin. Gjithashtu, pas orës 23:00 lejohet parkimi i mjeteve në vendet e përcaktuara për institucione të ndryshme.
VENDOSJA E GJOBES
Në rastet e konstatimit të shkeljeve të normave të qarkullimit rrugor, në mungesë të drejtuesit të mjetit, punonjësi i Policisë njofton menjëherë sallën e drejtimit, sipas juridiksionin territorial. Ai duhet t’i raportojë sallës tipin e mjetit, targën, vendndodhjen, shkeljen e konstatuar duke specifikuar sinjalistikën ekzistuese dhe numrin e serisë së procesverbalit të konstatimit që do të plotësojë. Plotësohet procesverbali i konstatimit dhe një kopje vendoset në xhamin e makinës, në një vend të dukshëm për drejtuesin apo pronarin. Punonjësi i shërbimit të sallës së drejtimit që ka marrë njoftim për shkeljen rrugore, plotëson menjëherë të dhënat e marra në regjistrin model 1, bashkëlidhur dhe një pjesë të udhëzimit të ministrit. Regjistri duhet të plotësohet në mënyrë kronologjike për çdo rast të raportuar. Mosplotësimi në kohë dhe saktë i regjistrit përbën shkelje të rëndë disiplinore nga ana e tij. Menjëherë pas plotësimit të regjistrit, punonjësi i sallës duhet të njoftojë eprorin e drejtpërdrejtë të punonjësit të Policisë që njoftoi për shkeljen e konstatuar. Në përfundim të turnit, punonjësi që ka vendosur gjobën i dorëzon eprorit të tij origjinalin dhe kopjen e tretë të procesverbalit të konstatimit të shkeljes në mungesë për verifikim dhe evidentim të mëtejshëm. Eprori bën kontrollin e saktësisë mes procesverbalit të policit dhe regjistrit të sallës së drejtimit, dhe më pas bën dorëzimin e gjobës në zyrën e financës.
NJOFTIMI PER GJOBEN
Për rastet e vendosjes së gjobave në mungesë, punonjësi i Policisë që plotëson procesverbalin është i detyruar që nëpërmjet targës së mjetit të zbulojë pronarin apo drejtuesit e mjetit. Pasi gjendet emri i personit që ka në pronësi makinën, në bashkëpunim edhe me postën, gjendet adresa e saktë dhe një kopje e procesverbalit i dërgohet me postë pronarit të mjetit. Në rastet kur makina është shitur dhe nuk është bërë aktpronësia, atëherë pronari njofton për gjobën drejtuesin aktual. E njëjta gjë ndodh edhe për makinat e blera me kredi. Kur makina rezulton në pronësi të bankës që ka dhënë kredinë për blerje makine, gjoba i dërgohet me postë bankës, e cila identifikon klientin e saj. Të gjitha këto veprime duhet të kryhen domosdoshmërish brenda 30 ditëve.
PARASHKRIMI, 2 VJET
Sipas burimeve nga Drejtoria e Policisë Rrugore, me ndryshimet në Kodin Rrugor ka ndryshuar edhe parashkrimi i gjobave. Ndryshe nga më parë, që gjoba mund të “falej” nëse kalonte një vit kalendarik pa u paguar, tashmë afati i amnistisë ka ndryshuar në dy vjet. Vetëm pas dy vitesh kalendarike nga momenti i vendosjes së gjobës, atëherë ajo bëhet e pavlefshme.
KARROTRECI
Policia Rrugore, në bazë të kontratës me shoqërinë e karrotrecëve, për parkimet dyshe të mjeteve kërkon shërbim të tillë vetëm nëse mjeti i parkuar dysh është debitor ndaj Policisë Rrugore, ose kur ka zënë më shumë se gjysmën e rrugës. Në rast të kundërt, kur nuk ka gjoba pa paguar, ose nuk bëhet pengim për qarkullimin, mjeti nuk zhvendoset me karrotrec, por vendoset gjobë.
ZHVENDOSJA E MJETIT
Ndodh që automjetet mund të zhvendosen me karrotrec edhe atëherë kur janë të parkuara në vende të rregullta parkimi, por zhvendosja e mjeteve në të tilla raste kryhet kur në vendin ku është parkuar automjeti do të kryhet një ceremoni. Në këtë rast, shërbimi me karrotrec është falas e pa gjobë, dhe pronari i mjetin lajmërohet se makina e tij është dërguar në një vend tjetër parkimi.
SEMAFORI
Në një udhëzim tjetër të ministrit të Brendshëm, të lëshuar në muajin janar të këtij viti, Policia Rrugore urdhërohet të mos ndëshkojë me gjobë apo heqje patente drejtuesit e mjeteve që shkelin semaforin e kuq pas orës 23:00. Drejtuesi i mjetit duhet ta verifikojë vetë nëse ka rrezik të kalojë me dritë të kuqe dhe në rast se nuk ka lëvizje, mund të kalojë pa u gjobitur.
NJOFTIMI PER GJOBEN
Sipas udhëzimit nr. 102 të datës 13 qershor 2012, afati maksimal i regjistrimit të gjobës në sistem nga momenti i raportimit të saj është 14 orë. Efektivi që konstaton shkeljen pa praninë e shoferit apo pronarit të mjetit, duhet që t’ia raportojë atë direkt sallës së drejtimit me radio nga terreni. Pronarit të makinës duhet t’i bëhet me dije për ekzistencën e gjobës në emër të tij brenda 30 ditëve nga vendosja e saj në mungesë në mënyrë që të lindë detyrimi për ta paguar.
Gjobat e vendosura në mungesë të shoferit nuk do të amnistohen
Ndëshkohet polici për pasaktësi në procesverbal
TIRANE – Një muaj më parë, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit u hap një zyrë ankimimesh, ku luteshin që të drejtoheshin të gjithë ata drejtues mjetesh që pretendonin se janë ndëshkuar fiktivisht me gjoba në mungesë nga Policia Rrugore. Një grup specialistësh të Qarkullimit Rrugor nisi të verifikojë një për një ankesat e drejtuesve nga të gjitha qytetet e vendit, për të zbuluar rastet kur ka pasur veprime arbitrare nga ana e policisë apo edhe falsifikim të fletës së gjobës. Vetëm për Tiranën rezultojnë të vendosura në mungesë rreth 39 mijë gjoba, ose 40 për qind e totalit të gjobave të vendosura nga Patrulla e Përgjithshme dhe nga Policia Rrugore. Drejtuesit e automjeteve që ishin ndëshkuar në mungesë pretendonin se do të gjenin zgjidhje për të mos i paguar këto gjoba. Por, në fakt, nuk do të ndodhë kështu. Asnjë nga gjobat e vendosura në mungesë nuk do të amnistohet nga Policia. Por ndëshkimit nuk do t’i shpëtojnë as punonjësit e Policisë që kanë kryer shkelje apo pasaktësi në plotësimin e procesverbalit pas konstatimit të shkeljes në afatin e vendosjes së gjobës, që është brenda 14 orësh, apo në afatin e përcaktimit të adresës së pronarit të mjetit dhe dërgimin e gjobës me postë, që është brenda 30 ditësh. Sipas udhëzimit të ministrit të Brendshëm, për punonjësin e Policisë që rezulton të ketë kryer një nga këto shkelje, në kundërshtim me udhëzimin dhe Kodin Rrugor, kërkohet nisja e një procesi disiplinor dhe ngarkohet me detyrë drejtori i Përgjithshëm i Policisë që të përcaktojë procedurat që do të ndiqen në të tilla raste.GJOBA ME POSTE
Udhëzimi parashikon krijimin e një regjistri të veçantë në sallën e drejtimit për gjobat e vendosura ndaj automjeteve në mungesë të shoferit. Në fund të ditës punonjësi ia raporton sërish shkeljet e kapura eprorit të tij. Çdo shofer që do të gjobitet në mungesë për shkelje të rregullave të qarkullimit, do të lajmërohet në shtëpinë e tij nëpërmjet postës për ekzistencën e këtij detyrimi.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











