Edmond Kapllani është gati për të luajtur shanset e tij në repartin e sulmit. Në konferencën e djeshme për shtyp, bomberi durrsak tregon edhe bisedën që ka bërë me trajnerin Kuzhe, për ta bindur që ta grumbullonte.Ai ka treguar një bisedë telefonike me teknikun kuqezi, ku u ka shpjeguar se ishte në formë të mirë dhe kishte shënuar rregullisht në katër ndeshjet e fundit, në kampionatin gjerman të futbollit.
Si e gjen Kombëtaren pas kaq muajsh larg?
Në Kombëtare, i rëndësishëm është grupi, ai na ka çuar deri në këtë pikë dhe do të vazhdojë të na dhurojë ndeshje pozitive, ndoshta edhe në ndeshjen e radhës me Bosnjën. Ne shpresojmë shumë dhe besojmë se mund të bëjmë diçka të mirë për të kënaqur edhe tifozët e ekipit tonë.
Nga se u bind Kuzhe që ju riktheu në Kombëtare?
Shikoni, Kuzhe ka pasur të drejtë, sepse ai është trajner dhe ka dyshimet e veta, nëse një lojtar është në 100 % të formës apo jo. Ai më mori në telefon dhe unë i bëra të ditur që në 4 ndeshjet e fundit kam luajtur rregullisht dhe kam qenë mirë, duke mos pasur probleme. Nga kjo pastaj u bind të më rikthente.
A është gati Kapllani për të luajtur 90 minuta?
Unë kam qenë gati. Çdo lojtar, madje edhe më i riu që vjen këtu, është gati për të luajtur. Unë më shumë gëzohem që jam pjesë e këtij grupi, pastaj a luaj apo jo, nuk varet nga unë. Mjafton që cilido që shkon në fushë, të japë më të mirën e vet.
Ndeshemi me Bosnjën, një kundërshtar shumë i vështirë, si e shikoni këtë përballje?
Për të thënë të drejtën, për Shqipërinë çdo kundërshtar është i vështirë. Ne e pamë edhe me Luksemburgun, me të cilët e patëm të vështirë, pasi futbolli sot nuk është si më përpara. Kështu do të jetë edhe me Bosnjën, nuk diskutohet, por unë kam besim te grupi, sepse në futbollin modern grupi jep shumë rezultate. Nëse luajmë si me Bjellorusinë, mund të marrim një pikë, por edhe një fitore.
Do ta ndiqni ndeshjen Rumani-Bosnjë, sa do ju shërbejë ky takim për të parë se si do të luajnë boshnjakët?
Në fakt, unë mendoj se është e rëndësishme ndeshja jonë dhe jo se si do të luajnë ata. Kjo do të bëjë diferencën. Ne do të futemi në fushë për të zhvilluar ndeshjen tonë, me besimin për të marrë pikë, edhe pse përballë do të kemi një skuadër mjaft të fortë.
Ku do të jetë Kapllani sezonin e ardhshëm, tek Augsburgu apo te Padërborni?
Kjo mbetet për t’u parë, sepse Augsburgu ka dalë në kategorinë e parë dhe është duke kërkuar lojtarë të rinj. Dihet që kategoria e parë do futbollistë të një tjetër niveli. Unë jam një sulmues me eksperiencë dhe atyre u duhet një i tillë, kështu që me 99 % do të qëndroj aty. Gjithsesi, çdo gjë do të verifikohet dhe detajohet në ditët në vazhdim.
6 Gola
ka realizuar Kapllani, në 30 ndeshje që ka luajtur me ekipin përfaqësues. 28-vjeçari konsiderohet si një nga sulmuesit kryesorë për të ardhmen e skuadrës kuqezi.











