
Garanci maksimale, sepse bëhet fjalë për një produkt 100 % natyral dhe pa asnjë efekt anësor.Madje si dëshmi të gjallë, veç 10 mijë pacientëve të testuar në Kuba, Thoma Jançe, administratori i “Pharma-Matrix” jep edhe shembullin personal. Në intervistën e tij për gazetën, ai sqaron se amullia e shkaktuar ditët e fundit në media lidhur me preparatin që prodhohet nga helmi i akrepit të kaltër është e pabazë. Sa i përket deklaratave të bëra për mënyrën se si ky produkt është futur në Shqipëri dhe skepticizmin për efektet e tij, Jançe shprehet se kompania që ai drejton nuk është klinikë diagnostikuese. Gjithashtu, tregon si vendi ynë mori ekskluzivitetin e produktit. Pacientët kryesisht të huaj vijnë pasi këtë preparat ua përshkruajnë mjekët onkologë. “Produkti është një pasuri kombëtare për Shqipërinë, në nivel human dhe komercial. Nëse barrierat burokratike nuk do të na lenë të vazhdojmë këtë iniciative krejtësisht të ligjshme, ne do të transferohemi gjetkë”, thotë administratori i “Pharma-Matrix”. Jo rastësisht, pas diplomimit në Kuba për mjekësi homeopatike, ai është kthyer pas 20 vjetësh për të nisur këtë aktivitet në Shqipëri.
Ditët e fundit, mediat italiane kanë shkruar për një produkt kubanez kundër tumoreve, ekskluzivitetin e të cilit tashmë e ka marrë Shqipëria. Mund të na thoni çfarë është ky preparat që po cilësohet si çudibërës dhe pse nuk tregtohet në BE e Amerikë?
Bëhet fjalë për një produkt homeopatik (tradicional) të prodhuar në Kubë, që lufton qelizat tumorale. Është një preparat 100 % natyral, i cili ka përmbajtje në një dozë fare të vogël të helmit të akrepit të kaltër. Kjo dozë është sa 1/30 milionta e sasisë së preparatit. Është prodhuar nga kompania shtetërore farmaceutike kubaneze, “Labiofam”. Është vërtetuar se lufton qelizat kancerogjene. Po kështu, përdoret edhe si parandalues për një sërë sëmundjesh. Në Kubë, doza të vogla të tij ua japin fëmijëve në gjimnaze. Për shkak të legjislacionit të Bashkimit Europian lidhur me këto lloj produktesh dhe për shkak të embargos ndaj Kubës, ky produkt nuk është regjistruar në BE. Shqipëria në legjislacionin e saj ka të gjithë hapësirën që na lejoi ta sillnim ekskluzivisht dhe të bëheshim shpërndarës për gjithë Europën. Tashmë, 35 mijë Italianë të prekur nga tumoret që shkojnë çdo vit në Kubë për të marrë “Vidadox -30 CH”, automatikisht transferohen në Shqipëri. Çka do të thotë se kemi një turizëm shëndetësor që vendit i bën vetëm mirë. Ne kemi vetëm 1 muaj që kemi nisur punën dhe kërkesat janë shumë të mëdha.
Ju thatë se është krijuar konfuzion si për efektet, por edhe për tregtimin e këtij produkti, në fakt, si operohet me të? Si arrin deri tek pacientët?
Dua të theksoj se ne nuk jemi klinikë diagnostikuse. Ne thjesht tregtojmë një preparat natyral, siç ka me qindra të tillë në tregun shqiptar dhe atë europian. Dua të theksoj se ne nuk jemi klinikë diagnostikuese. Këtë e bëjnë mjekët onkologë. Tek ne pacientët, kryesisht italianë, vijnë me recetat e mjekëve onkologë që ua përshkruajnë. Ne nuk sheshim produkte me shumicë. Kemi dy mjeke të specializuara për mjekësi homeopatike, të cilat shohin kartelën e të sëmurit kur jepet preparati. Produkti që ne shesim, nuk është se ka lidhje me produktet farmaceutike. Është natyral dhe si i tillë merret me dëshirë nga një qytetar. Dua ta sqaroj këtë pjesë, pasi ne për asnjë çast nuk themi se “Vidatoxi” mund të zëvendësojë kemioterapinë apo të bëjë mrekullia. Është përdorur në mbi 10 mijë persona, nga ku është vërtetuar se redukton masën tumorale dhe përdoret paralelisht me kimioterapinë, duke e ndihmuar atë. Vetë pacientët japin dëshmitë e tyre. Njëri prej tyre jam edhe unë. Prandaj them se opinioni duhet sqaruar mbi rolin e kompanisë sonë. Ajo çka ne japim është garancia se është një produkt që nuk ka asnjë efekt anësor. Për këtë e kam personalisht ndërgjegjen të larë edhe përpara Zotit.
Sa persona vijnë në ditë për ta marrë produktin dhe a ka pacientë nga Shqipëria apo janë vetëm të huaj?
Vetëm nga Italia kemi 2-3 pacientë në ditë që vijnë vetë ta marrin. Ata kanë vite që kanë njohuri për këtë preparat dhe ua përshkruajnë mjekët onkologë. Mund të përmendja këtu Vatikanin, mjekët onkologë të së cilit përshkruajnë receta për të sëmurët me tumore për të tërhequr këtë preparat. Vatikani ka shfaqur shumë interes për të. Porositë janë të përditshme nga shumë vende të Bashkimit Europian, e fundit ishte sot nga Zvicra. Theksoj se kemi vetëm 1 muaj që kemi nisur punën normalisht. Pacientë shqiptar ka pak, pasi nuk kanë pasur dijeni. Ne nuk na u la koha as për të bërë reklamë, të cilën nuk e kishim si synim prioritar. Por, javën e fundit, kanë nisur kërkesat nga Kosova sapo është mësuar se ai tregtohet në Tiranë.
Pas jehonës në media edhe nga autoritetet shëndetësore shqiptare, kanë nisur kontrollet dhe verifikimet, mendoni se ligjërisht mund t’ju hapet ndonjë pengesë në aktivitetin tuaj dhe pse jeni në dilemë për ta transferuar?
Ligjërisht, kompania është në rregull në të gjitha hallkat. Mendoj se pengesat janë të nivelit burokratik ose ndoshta për mungesë informacioni mbi mjekësinë homeopatike(tradicionale-natyrore).Mendoj se është normale të ekzistojnë. Por unë dua t’ju them se në fakt kjo është një iniciativë, të cilën ne duam ta zgjerojmë. Kemi ndërmend të sjellim dhe 50 produkte të tjera natyrale. Shteti shqiptar prej kësaj iniciative do të ketë vetë përftime. Ashtu si çdo qytetar për shëndetin e tij, edhe vetë Shqipëria prej turizmit kulturor e prej taksave që paguhen rregullisht për importin vjel miliona euro të ardhura. Nëse barrierat e pabazuara në ligj nuk hiqen, atëherë do të na duhet ta transferojmë biznesin tonë në një vend tjetër. Aktualisht, kemi ofertë nga Tunizia, ndërsa preparati do të regjistrohet shumë shpejt edhe në Spanjë.
ZIRINA LLAMBRO











